Demenca funksionale si alibi për t’u mbrojtur nga vetja

Demenca funksionale si alibi për t’u mbrojtur nga vetja

Nga Luçiano Boçi/

Dëshmia e Taulant Ballës në seancën e dosjes “Partizani”, nuk ishte një përballje faktesh e provash, sepse ato mungojnë në dosjen e stisur me mund, kundër Berishës.

Dëshmia ishte një përballje e dëshmitarit kallëzues me vetveten.

Me atë që ka thënë dje dhe atë që u përpoq të mos kujtonte në përballjen në seancë.

“Kam bërë kallëzim si qytetar” – tha në fillim ai, me fodullëkun e tij tipik bosh.

Kjo fjali do të ishte fisnike, nëse nuk do të vinte nga një njeri që sa herë flet bën pis e që në atë sallë është kryetar i një grupi parlamentar politik.

Pra, kemi përpara jo qytetarin klasik por një qytetar atipik, “qytetar” me eskortë politike.

Një lloj “qytetari” që “rastësisht” ka akses në dokumente që qytetarët e zakonshëm i shohin vetëm në ëndrra ose në dosje hetimore.

Dhe pas kësaj erdhi refreni i njohur – “Nuk më kujtohet.”

Ballës “rastësisht” i kishte ikur kujtesa.

Nuk i kujtohej shoqëria.

Nuk i kujtohej procedura.

Nuk i kujtohej dokumenti.

E kur dëshmitari kryesor fillon të harrojë më shumë se sa mban mend, atëherë kemi kaluar nga drejtësia tek teatri.

E kjo nuk është harresë.

Kjo është përzgjedhje nga paniku për të mbrojtur veten nga kallëzimi i rremë.

Është “demencë funksionale”, që aktivizohet vetëm kur pyetjet bëhen të sikletshme.

Ironikisht, kujtesa i rikthehet menjëherë kur duhet të artikulohet narrativa politike.

Dhe këtu problemi i çmendur nuk është vetëm individi, por sidomos siguria i individit për t’u mbështetur tek një drejtësi që ngre akuza pa prova të qarta, “prova” këto të mbledhura pa zinxhir të verifikueshëm, të cilave i shtohet dëshmitari me demencë.

Në çdo sistem normal, pyetja “Ku i keni mbështetur të dhënat?” do ishte themeli i drejtësisë.

Kurse për Ballën e prokurorët kjo pyetje shihet si një bezdi procedurale, diçka që duhet kaluar shpejt, me një përcaktim pa përcaktim si “i kam marrë nga burime të ndryshme”.

Burime “të ndryshme” janë në drejtësi burime për të mos thënë asgjë.

E ky standard akuzash, tregon qartë se në dosjen “Partizani” nuk kemi të bëjmë me drejtësi, por me improvizim politik.

Një improvizim që mbështetet te zhurma, jo te prova, mbështetet tek perceptimi, jo te fakti.

Dhe më ironikja është në fund të dëshmisë me demencë, kur dëshmitari i rremë Balla e quan “nder” kallëzimin e tij.

Por, Balla dhe prokurorët harrojnë se nder në një proces është të mbash përgjegjësi për atë që thua.

Nder është të dish nga vijnë provat që përdor.

Nder është të mos fshihesh pas harresës kur të kërkohet llogari.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :