Basha, amerikanëve: Standardi i zgjedhjeve në rrezik, PS, LSI po tentojnë manipulimin
SHBA: Do të monitorojmë me shumë kujdes të gjitha bashkitë në 21 qershor
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgëzojnë Partinë Demokratike për vullnetin e treguar në procesin e dekriminalizimit. Kjo është deklarata e bërë nga zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit, z. Hoyt Yee, në një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Duket se lëvizja e selisë blu për të tërhequr kandidatin e saj nga Këlcyra, Gentian Muhametaj, ka sjellë edhe përgëzimet e para të ndërkombëtarëve. Në takim ishte i pranishëm edhe një nga mbështetësit kryesorë të dekriminalizimit, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu. Kryetari i Partisë Demokratike ndau shqetësimin për mungesën e vullnetit të mazhorancës për të miratuar aktet ligjore që do të ndalonin personat me precedentë kriminalë të garonin në zgjedhjet e 21 qershorit dhe të promovoheshin ne administratën publike. “Për Partinë Demokratike është më e rëndësishme pastërtia e figurës së kandidatit sesa kalkulimet elektorale. Me gjithë angazhimin e Partisë Demokratike ka mungesë vullneti nga ana e mazhorancës, për të realizuar procesin e dekriminalizimit, e cila vazhdon të promovojë persona me precedentë kriminalë, të cilët janë sot pjese e garës për kryetarë bashkie”. Palët folën dhe diskutuan edhe për situatën parazgjedhore dhe fushatën elektorale të 21 qershorit. Shefi i selisë blu i njohu miqtë amerikanë me problematikën e ndeshur dhe presionin që po ushtrohet ndaj opozitës dhe veprimtarëve të saj në të gjithë vendin. “Ka përpjekje të vazhdueshme të mazhorancës për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve, duke vënë në rrezik standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme”. Basha theksoi se dyshja Rama-Meta ka nisur të ngrejë skemën e blerjes së votave, duke u bërë presion të hapur drejtorëve të administratës publike, për të blerë votat përmes falsifikimit të kartave të identitetit e shtimit të votuesve në zona të ndryshme të vendit, fakte të cilat janë bërë publike dhe çuar para drejtësisë, konkretisht në Durrës dhe në Kavajë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, solli në vëmendje rastin e Durrësit, ku militantët e PS dhunuan anëtarë të PD-së, rastin e Ersekës ku u tentua të goditet kryetari i opozitës, rastin e Malësisë së Madhe, ku pas takimit elektoral, policia ushtroi kontrolle ndaj simpatizantëve të PD-së. Në Vorë dhe në Sukth, persona me precedentë kriminalë, të armatosur janë vënë në shërbim të Partisë Socialiste dhe LSI dhe terrorizojnë banorët. “Kulmi i shantazhit qeveritar është presioni i hapur që i bëhet kandidatit të Partisë Demokratike në Vorë apo kandidatit të Ersekës që është kërcënuar nga ministri i Mjedisit. Dhuna policore dhe presioni ndaj disa kandidatëve janë një shembull i keq i përdorimit politik nga qeveria të Policisë së Shtetit, me përpjekjen për të shantazhuar mbështetësit e opozitës”. Nga ana e tij pasi u njoh me situatën nga zoti Basha, zëvendësndihmës sekretari i shtetit, z. Hoyt Yee, tha se do të merren të gjitha masat që vëzhguesit e Ambasadës së SHBA-së të jenë prezentë dhe monitorojnë me kujdes procesin në të gjithë bashkitë, në zgjedhjet e 21 qershorit. Duket se Ygjedhjet e 21 qershorit do të jenë një test i fort për mazhorancën qeverisëse, një gjë të tillë zyrtari amerikan e përmendi edhe në takimin e zhvilluar me kreun e Kuvendit Ilir Meta. Pas parashtrimit të situatës para zgjedhore në Shqipëri nga kreu i LSI, ilir Meta, zyrtari amerikan theksoi se zgjedhjet e 21 qershorit kanë lidhje direkte me integrimin e vendit. ‘mbarëvajtja e standardeve më të larta të zhvillimit të zgjedhjeve të pushtetit qendror në 21 qershor, është moment kyç në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.’ Ndërkaq në emër të qeverisë Shqiptare zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit, z. Hoyt Yee u prit nga ministri i jashtëm Ditmir Bushati. Ndërsa nuk është ende e qartë se përse zyrtari i lartë amerikan ka shmangur Kryeministrin Rama nga axhenda e tij. Ajo që vihet re në takimet me krerët e mazhorancës dhe nga njoftimet për media të shpërndara nga zyrat përkatëse të shtypit flitet për rendësin e standardeve të zgjedhjeve të 21 qershorit, ndërsa nuk përmendet askund mbi çfarë është diskutuar mbi dekriminalizimin. Ambasada amerikane në tiranë ka qenë shumë aktive në procesin e pastrimit të politikës nga elementë të dënuar dhe të përfolur si kandidat për zgjedhjet e 21 qershorit.
Bogdani i kërkon transparencë “mikut të tij” Veliaj
Transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut. Kjo ka qenë deklarata e mbajtur nga deputeti demokrat Gerti Bogdani ndaj kandidatit për kryebashkiak të Tiranës, Erion Veliaj. “Prej 4 ditësh Erion Veliaj i shmanget skandalit të përfshirjes së bashkëshortes së tij në skemën e Dzanashvillit për pastrimin e parave. Nuk jep asnjë shpjegim, me shpresën se kjo histori tronditëse e lidhjes me një prej emrave më të njohur të trafikut në rajon, do të harrohet. Por faktet janë kokëforta, nuk mund të mbulohen”. Ndërsa kandidati i majtë ka zgjedhur ta trajtojë si një sulm personal dhe ndaj familjes së tij, deputeti i selis blu i ka ngritur edhe një herë një sërë pyetjesh të cilat ende janë pa përgjigje. “Pse nuk bën transparencë kandidati që flet lart e poshtë për rregull e ligje. Sa para mori bashkëshortja e tij nga kjo kontratë? A ka raportuar ajo në momentin kur u bënë transaksionet e dyshimta financiare, për çka ka nisur edhe hetimi për pastrim parash?” Bërja publike e kontratës në fjalë u bë së pari nga ish-kryeministri Berisha, i cili akuzoi të majtën se bëri aleancë me malavitën vendore dhe mafian ndërkombëtare për të rrëzuar qeverinë e tij nga pushteti. Dzanashvilli është një biznesmen gjeorgjian i akuzuar në Rumani si i lidhur me procesin e pastrimit të parave. Vetë zoti Dzanashvilli ka bërë një deklaratë së fundi në një media shqiptare se ka takuar edhe vetë Kryeministrin Rama.
Ardjan Turku: Qytetarët po kërcënohen për të mos qenë pjesë e fushatës
Situata e fushatës zgjedhore në Elbasan nuk është aspak e qetë dhe qytetarët po kërcënohen për të mos qenë pjesë e fushatës së tij dhe detyrohen të jenë pjesë e aktiviteteve të PS, LSI. Deklarata është bërë nga Kandidati për kryetar Bashkie i Partisë Demokratike dhe koalicionit të djathtë në Elbasan Ardjan Turku i cili ka vazhduar takimet me qytetarët elbasanas. Banorët kanë ngritur shqetësime për situatën ekonomike dhe varfërinë të cilën po përjetojnë. Ndërkohë një banore e kësaj lagjeje ka shprehur shqetësimin e heqjes nga skema e ndihmës ekonomike, duke sjellë vështirësi të mëdha financiare. Në vëmendjen e kandidatit Ardjan Turku kanë qenë edhe anëtarë të komunitetit rom e egjiptian. Në këtë takim kandidati Turku është ndalur edhe tek fenomeni i blerjes së votës, i cili po tentohet të përdoret gjerësisht në këto zgjedhje.
Basha, “Qytetar Nderi” i Mitrovicës
Kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherësh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, të martën në një ceremoni do t’i dorëzohet çmimi “Qytetar Nderi i Mitrovicës”. “Të martën me 9.6.2015, në orën 21:00, në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”, me një ceremoni rasti, do t’i dorëzohet çmimi “Qytetar Nderi i Mitrovicës” kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha”, – thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.




