Dekriminalizimi /Qeveria miraton projektligjin, merr hua “Severinon” e PD-së:  Me fuqi prapravepruese

 

FelajFelaj: Ja cilat janë 79 veprat penale që do lënë jashtë të inkriminuarit nga funksionet publike

Gëzim Saliu

Këshilli i Ministrave miratoi dje në mbledhjen e radhës projektligjin “Për emërimet në funksionet publike”, i cili përbën edhe draftin e mazhorancës qeverisëse lidhur me debatin për dekriminalizimin. Drafti parashikon refuzimin përjetë për personat që janë dënuar për një nga 79 vepra penale që nisin me vrasjen, vjedhjen, shfrytëzimin i prostitucionit apo ndalimin për një kohë të caktuar për të dënuarit për korrupsion apo manipulime në proceset zgjedhore. “Të gjithë personat e dënuar, brenda apo jashtë vendit, me vendime gjyqësore të formës së prerë, për një sërë krimesh të rënda të kryera me dashje e që përcaktohen shprehimisht në këtë projektligj, ndalohet të zgjidhen deputetë, kryetarë bashkie, këshilltarë në këshillin bashkiak; të emërohen në detyrën e Kryeministrit, apo anëtarit të Këshillit të Ministrave; të zgjidhen në funksione për të cilat voton Parlamenti, këshillat bashkiakë apo këshillat e qarkut” , bëri të ditur dje nga Kryeministria, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj.

Projektligji

Ligji i ri i qeverisë parashikon që të ndalojë të marrin poste publike personat që kanë kryer krime të parashikuara në ligj dhe për rastin kur ndaj tyre janë dhënë vendime dënimi nga Gjykata e Shkallës së parë, pra jo përfundimtare, ose ndaj të cilëve është vendosur një masë sigurimi personale ose është lëshuar urdhër kërkimi nga autoriteti gjyqësor i huaj.  Për këtë kategori, ndalimi do të zgjasë deri në revokimin e masës së sigurisë, urdhrit të arrest ndërkombëtar ose vendimit të pafajësisë. Ndërsa për kategorinë e personave që janë të dënuar, ndalimi për të kandiduar do të jetë në përputhje me rëndësinë e veprës që kanë kryer. Për vepra penale më të rënda dhe më të rrezikshme ndalimi do të jetë përjetë; ndërsa për vepra të tjera 20 vjet nga përfundimi i vuajtjes së dënimit me burg dhe 10 vjet për të gjithë ata persona që kanë marrë dënime me burgim jo më pak se dy vjet. “Falë kësaj nisme të Këshillit të Ministrave, e frymëzuar nga ligji italian ‘Severino’ dhe praktikat më të mira ndërkombëtare që adresojnë të njëjtën problematikë, qeveria shqiptare i jep votuesve mundësinë për t’u njohur me të shkuarën e secilit prej kandidatëve që pretendojnë të zgjidhen apo të ushtrojnë funksione publike në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi ministrja Felaj. Ndërkaq sipas ligjit të qeverisë, çdo person që kërkon poste publike është i detyruar të bëjë vetë deklarimin sepse në të kundërt do të refuzohet. “Për ata që kryejnë vetëdeklarim të rremë, do të ketë penalitete. Të dhënat e formularit të vetëdeklarimeve parashikohen të jenë publike, ndërkohë që titullari i formularit do të mbajë përgjegjësi penale në rast të të dhënave të rreme ose të shtrembëruara”. Po ashtu ministrja bëri të ditur se ligji do të ketë fuqi prapravepruese edhe për sa u përket personave tashmë të zgjedhur dhe që po ushtrojnë funksionet e tyre. Ligji parashikohet të ushtrojë veprimin e tij dhe ndaj të gjithë atyre që janë zgjedhur, emëruar ose janë duke ushtruar funksione publike, pikërisht përmes të njëjtave instrumente, vetëdeklarimeve dhe më tej verifikimeve nga organet përgjegjëse. “Ligji parashikon të ushtrojë veprimin e tij edhe ndaj të gjithë atyre që janë zgjedhur, emëruar ose janë duke ushtruar funksione publike pikërisht përmes të njëjtave instrumenta, deklarimeve dhe më tej verifikimeve nga organet përgjegjëse. Qeveria dhe maxhoranca do të paraqesë në parlament këtë projektligj bashkë me draftin për ndryshimet kushtetuese që reflektojnë parimet e kësaj nisme, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare kësaj çështje me interes të lartë publik”, deklaroi ministrja Felaj.

 

box

Deklarata shokuese

Braho: Testi drogës muhabet kot, shumë e kanë përdorur si nga ju ashtu edhe nga ne

Në debat e sipër me kolegët e opozitës në diskutimin e çështjes së dekriminalizimit në komisionin e posaçëm parlamentar, deputeti i LSI-së Spartak Braho bëri një deklarate që më paku krijoi habi për mënyrën e thjeshtë me të cilën u tha si në radhët e të pranishmëve ashtu edhe tek gazetarët. Duke komentuar draftin e pozitës dhe një ndër kërkesat e saj për testin e drogës, Braho tha se dihet që ka përodrue4s së lëndëve narkotike si nga ana e opozitës ashtu edhe nga ana e mazhorancës. “Edhe ajo për testin e drogës, më duket si muhabet kot, po meqenëse e doni hajde ta vëmë. Ka shumë që kanë përdorur drogën jo vetëm nga ju por edhe nga ne”, deklaroi ai.

 

Share it :