Selia blu i përsërit të majtës ofertën për të tërhequr nga gara kandidatët e inkriminuar
Opozita vazhdon të këmbëngulë në procesin e dekriminalizimit. Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, ka përshëndetur edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe në veçanti të ambasadorit amerikan Lu, i cili ka bërë thirrje publike për të dalë masivisht në votime dhe për të mos e shitur votën. Dekriminalizimi është mënyra e vetme për të ecur përpara, për të forcuar demokracinë dhe për t’u dhënë mundësi qytetarëve të votojnë të lirë, ky ishte mesazhi i ligjvënësit demokrat. “Jam sot këtu për të përshëndetur në emër të Partisë Demokratike mbështetjen e madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadori Donald Lu, si dhe partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë i japin procesit të dekriminalizimit të politikës në tërësi dhe zgjedhjeve vendore në veçanti”.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike solli në kujtesën e publikut denoncimet e bëra për kandidatët e majtë të inkriminuar dhe të lidhur me krimin. Dyshja Rama-Meta duhet të zbatojë marrëveshjen e dhjetorit, e cila ishte kushti kryesor për rikthimin e opozitës në Kuvend. “Partia Demokratike ka denoncuar me fakte të pakundërshtueshme se në këto zgjedhje garojnë kandidatë me rekorde të tmerrshme kriminale dhe ka kërkuar e kërkon prej dy muajsh nga dyshja Rama Meta zbatimin e rezolutës së 24 dhjetorit për dekriminalizimin e kandidaturave të 21 qershorit dhe të politikës në përgjithësi”. Nga selia blu Bylykbashi bëri me dije edhe një herë se prej disa javësh propozimi për verifikimin e personave me rekorde kriminale që kandidojnë në zgjedhjet e 21 qershorit u është bërë zyrtarisht përfaqësuesve të shumicës parlamentare, PS dhe LSI. “Kjo marrëveshje mundëson verifikimin e kandidatëve të dyshuar dhe nëse rezultojnë me rekorde të rënda kriminale apo refuzojnë të verifikohen, përjashtimin e këtyre kandidatëve nga kandidimi”. Ligjvënësi demokrat përsëriti se nuk është vonë për një çështje, e cila u shërben të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga bindjet politike. Sipas Bylykbashit, mjafton vullneti politik i palëve për të hyrë në këtë proces. Ai shprehu vullnetin e plotë të partisë më të madhe të opozitës parlamentare, duke e hedhur topin në fushën e të majtëve. “Ripërsërisim sot thirrjen ndaj përfaqësuesve të qeverisë që të demonstrojnë vullnet politik dhe t’i hapim rrugën dekriminalizimit të zgjedhjeve vendore. Është në interesin e çdo shqiptari, pavarësisht prej bindjeve politike që persona me rekorde kriminale të mos garojnë për funksionet e larta publike të të zgjedhurve vendorë”. Partia Demokratike vazhdon të këmbëngul prej më se një viti për të larguar nga jeta politike personat e dënuar me burg për aktivitete të rënda kriminale si trafikimi i lëndëve narkotike, qenieve njerëzore dhe vrasjeve. Ndërkohë, në zgjedhjet e 21 qershorit ka pasur shumë akuza për kandidatë të lidhur me krimin. Ndërsa shumë eksponentë të opozitës në të gjithë vendin kanë ngritur shqetësimin se po kërcënohen çdo ditë deri në eliminim fizik nga përfaqësues të së majtës të lidhur me krimin. Në procesin e dekriminalizimit opozita ka marrë mbështetjen e plotë të faktorit ndërkombëtar, sidomos të shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vetë ambasadori Lu ka bërë thirrje për një politikë për qytetarët, kundër lidhjeve të politikës me krimin si dhe ka inkurajuar qytetarët të votojnë të lirë dhe të mos e shesin votën e tyre.
Basha për dekriminalizimin
Lideri demokrat Lulzim Basha e ngriti shqetësimin e dekriminalizimit edhe në takimin e radhës në Ersekë. Ai i drejtoi disa pyetje z. Rama për kandidatin e majtë të Ersekës. “Po i them Kryeministrit, ore këtë kandidatin tënd di gjë se çfarë e ke!? Po si e ka emrin njëherë, Beni apo Koço? Po babai si e ka, Panajot apo Xhek? A ka pyetur pse e ka ndërruar emrin? Me gënjeshtra e trafiqe do ecë përpara ky vend?”, – theksoi Basha.
PD Shkodër akuzon: Paniku i humbjes po shtyn PS-në dhe LSI-në të blejnë vota
Partia Demokratike Shkodër ka vazhduar denoncimin e përditshëm të përpjekjeve për manipulim dhe blerje votash nga koalicioni i majtë. Nëpërmjet numrit dy të selisë blu në qytetin verior, ka bërë të ditur prova të reja që përfshijnë të majtën në blerjen dhe presionet e paligjshme ndaj votuesve. “Numërimi mbrapsht për humbjen në zgjedhjet e 21 qershorit të aleancës PS-LSI ka filluar. Megjithëse po përdorin shtetin si vegël të pazareve të tyre Partia Demokratike e Shkodrës u kujton sërish banorëve të saj faktet e turpshme të bëra publike nga mediat gjatë ditëve të fundit për përpjekjet e aleancës PS-LSI për blerjen e votave në Shkodër”. Nëpërmjet nënkryetarit të PD-së Shkodër, Bujar Hoti, është sjellë edhe një herë në vëmendje dhe është falënderuar ambasadori amerikan Donald Lu për deklaratën e tij nga Shkodra për të mos shitur votën. Hoti akuzoi të majtën se ka ulur varfërinë këmbëkryq në Shkodër dhe po përpiqet ta blejë votën e qytetarëve të varfër. “LSI po blen varfërinë dhe mjerimin e shkaktuar nga aleanca në pushtet, duke i gënjyer familjet e varfra me thasë me miell në këmbim të votës. Por shkodranët nuk do bëjnë pite as petulla me miellin e LSI-së. Jo më!” Zyrtari demokrat ka sjellë në vëmendjen e shkodranëve denoncimet e sjella nga media për klonimin e kartave të identitetit si dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS. Ndërhyrja në të dhënat personale të qytetarëve u denoncua publikisht para ambasadorit amerikan edhe nga vetë kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës, Voltana Ademi. “Media u tregoi shqiptarëve se pa nisur ende fushata ishin prodhuar mbi 700 karta identiteti false për t’u përdorur në Shkodër. Aleanca në pushtet po kontrollon nga zyrat e saj sistemin ndërkufitar TIMS për regjistrimin në mënyrë abuzive të emigrantëve që gjoja hyjnë në Shqipëri, për të justifikuar më pas votimin fiktiv të tyre nga persona të tjerë, përmes përdorimit të kartave false. Por vullneti i lirë i shkodranëve nuk mund të klonohet e as të falsifikohet”. Nënkryetari demokrat i qytetit verior u shpreh i bindur në fitoren e të djathtës në 21 qershor.
Precedenti i rrezikshëm
Policia e Gjirokastrës ndaloi fotografen e kandidatit të djathtë për Bashkinë e Gjirokastrës për bashkinë e Gjirokastrës dhe eksponentë të FRPD-së, Besa Selfo, për një status në “Facebook”. Selfo ironizonte kandidaten e LSI-së, Zamira Rami, për Bashkinë e Gjirokastrës lidhur me takimet e saj me publikun rrugëve të qytetit të gurtë. Rami e paditi për shpifje dhe policia kreu ndalimin e saj. Prej disa fushatash elektorale nuk kishim parë ndalim gazetarësh. Nga komuniteti i medias dhe e djathta ndalimi i gazetares Besa Selfo është një sinjal i qartë për përfshirjen e strukturave shtetërore në manipulimin e zgjedhjeve të 21 qershorit.





