Deklarata e deputetit/ Gjykata nuk i jep lirinë, Tom Doshi rinis sulmet ndaj Metës: Kam mesazhet

Artan Cena

tom-doshiDeputeti i Shkodrës këmbëngul se ndaj tij po përgatitej një atentat. Tom Doshi flet dhe për pasurinë: Jam hetuar një herë, Ganaj nuk është koordinuar me Prokurorinë

Deputeti Tom Doshi e ka cilësuar sulm politik kallëzimin e bërë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për fshehje dhe pastrim parash. Këto deklarata Doshi i bëri gjatë mesditës së djeshme pas daljes nga Gjykata e Lartë, ku iu refuzua kërkesa për heqjen e masës së sigurisë “Detyrim paraqitjeje”. Deputeti i Shkodrës ka vazhduar duke iu qëndruar pretendimeve se për të ka pasur një plan për të eliminuar fizikisht. Ai hodhi akuza ndaj Spartak Brahos se ka ndikuar në hetim. Ndërkaq, në sallën e Gjykatës, Doshi ka bërë batuta dhe për zgjedhjet e 21 qershorit, duke u shprehur se do të mbështesë këdo që do t’i kërkojë ndihmë. Doshi akuzohet nga ILDKP-ja se, përmes kontratave fiktive, ka kryer veprat penale të fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave, në vlerën e 23 milionë eurove.

 

Akuzat ndaj Metës

Pasi doli nga ambientet e Gjykatës, deputeti shkodran Tom Doshi u qëndroi edhe një herë fort deklaratave të tij se ka pasur një komplot për ta vrarë, ndërsa pretendon se ka prova të pakontestueshme se kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, është takuar me Fation Skënderin, që sipas Doshit është ndërmjetësi mes Durim Bamit dhe Ilir Metës. Përpara gazetarëve Tom Doshi është shprehur: “Ndërrimi i masës së sigurisë nuk është shqetësim për mua, e rëndësishme është që shqiptarët ta dinë se hetimi nuk është bërë, janë munduar të mbulojnë provat që kam pasur”. Më tej deputeti bën me dije se “gjatë kësaj kohe kam prova që ngjarja është e vërtet. Spartak Braho, njeriu i afërt me Ilir Metën, vërtetohet se ka shkuar në Gjermani që ka komunikuar vazhdimisht me Fation Skënderin edhe kur ka ardhur në Shqipëri, por këto prova nuk janë pranuar. Përsëris, që personi më i afërt i Metës ka qenë në takim edhe me kryeprokurorin dhe ministrin e Brendshëm. Ky person ka futur duart në proces, këtë do ta shihni gjatë hetimit, do ti paraqes në gjykatë provat. Kam mesazhe telefonike, tabulate që disponon Fationi, ndërmjetësi mes Metës dhe Bamit, këta që më datë 5 komunikojnë me të, nga 10 herë në ditë”, – është shprehur jashtë Gjykatës së Lartë deputeti Tom Doshi.

 

Për pasurinë

Por deputeti shkodran nuk ka lënë pa përmendur si sulm të hapur politik kallëzimin që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive bëri ndaj tij në Prokurorinë e Përgjithshme. “Unë jam hetuar edhe njëherë tjetër nga Prokuroria e Përgjithshme, zoti Ganaj nuk është koordinuar mirë me Prokurorinë e Përgjithshme, por ka filluar një hetim që është një sulm politik”, – tha deputeti pasi doli nga salla ku gjykata nuk e la të lirë. Ndërsa në lidhje me kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, avokatët mbrojtës thanë se ajo ishte një kërkesë rutinë, e cila normalisht do ripërsëritet nga ana e tyre.

 

Dhuna në familje, rritet numri i femrave që merren në mbrojtje

Rastet e grave që merren në mbrojtje për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tyre janë rritur ndjeshëm. Por më shqetësuese janë dhe rastet kur këto urdhra mbrojtje nuk respektohen. Në komunikatat zyrtare të policisë, raportohen raste të ndryshme ku bashkëshorti, babai, kunati apo djali ushtrojnë dhunë ndaj femrës. Konkretisht, në Durrës një 34-vjeçare është dhunuar fizikisht dhe është kërcënuar me mesazhe në telefon nga ish-bashkëshorti i saj. Armand Xhelali, 37 vjeç ka thyer urdhrin e mbrojtjes për ish-bashkëshorten, duke përfunduar në pranga. Në Shijak është lëshuar urdhër mbrojtje për E. T., 41 vjeç, pasi kunati i saj, V. T., 46 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Në fshatin Mesmal të Korçës është ndaluar një 39-vjeçar, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij, J. H., 28 vjeçe. Ndërkaq një tjetër rast është regjistruar në Elbasan për dhunën në familje. D. SH., 36 vjeç, nga fshati Nartë i Gramshit, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj djalit të xhaxhait të tij, S. SH., 26 vjeç. Mbi të riun rëndon akuza e “Dhunës në familje”.

 

Tiranë, në pranga 3 vëllezër e babai, kapen me drogë e armë

 Policia e Tiranës ka arrestuar paraditen e djeshme tre vëllezër dhe babanë e tyre, pasi nga informacionet e mbledhura në rrugë operative kishte zbuluar se ata kishin në zotërim drogë dhe armë. Lajmin e bëjnë të ditur burime policore zyrtare, sipas të cilave në pranga kanë rënë vëllezërit Osman, Selim dhe Arben Çerpja, si dhe babai i tyre. Të njëjtat burimeve thanë se nga kontrolli i kryer në banesën e tyre policia gjeti një arsenal armësh dhe 111 bimë lëndë narkotike të tipit kanabis. Arsenali i armëve ishte i përbërë nga: 5 kallëpe tritoli, 700 kapsolla detonatorë, si dhe 1 pistoletë, 1 pushkë dhe 1 armë gjahu, saktësuar ditën e djeshme burime nga Policia e Tiranës.

 

Energjia, 9 persona në pranga, mes tyre dhe një inxhinier

 Ka vijuar edhe gjatë javës së shkuar puna e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së, në të gjithë vendin, për evidentimin dhe vënien para ligjit të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme. Policia bëri të ditur zyrtarisht se, gjatë javës së kaluar janë evidentuar 27 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 28 autorë. Ndërkaq, janë arrestuar në flagrancë 9 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Është ndaluar gjithashtu edhe një inxhinier i OSHEE-së. 10 persona janë shpallur në kërkim dhe 8 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë. Po gjatë javës që lamë pas janë ndërprerë 1111 lidhje të abonentëve debitorë dhe 27 lidhje të paligjshme.

 

Share it :