Debati për shëndetësinë/ Rama: Ulëm me 30% çmimet e ilaçeve. PD: Spitalet pa barnat jetikë, sistemi i kapur nga mafia

Gëzim Saliu

rama shendetesiKryeministri: Shlyem 40 milionë USD borxhe. Vokshi: Pse u larguan dy kompanitë e mëdha të banave në botë nga Shqipëria? Po hiqni barnat cilësorë e po fusni barnat e Rilindjes

Kryeministri Rama deklaron se shqiptarët i blejnë sot ilaçet 30% më lirë sesa në qeverisjen e kaluar. Duke e cilësuar si një nga arritjet e qeverisë së tij në sistemin shëndetësor, kreu i qeverisë theksoi dje Kongresin e tretë Ndërkombëtar të Shkencave Biomjekësore se në këtë formë i janë kursyer buxhetit 70 milionë dollarë. “Kemi realizuar një zotim të rëndësishëm që të mos lejojmë që shqiptarët ti blejnë ilaçet më shtrenjtë se në vendin e origjinës dhe me heqjen e taksës mbi ilaçet kemi arritur ti ulim çmimet në një mesatare 30%, duke i kursyer buxhetit të shtetit 70 mln dollarë, të cilat fuqizojnë ndjeshëm qeverinë për të bërë më shumë për sistemin shëndetësor”, – tha Rama. Më tej, ai theksoi se mungesa e ilaçeve në spitale vinte për shkak të borxhit 40 milionë USD që la, sipas tij, qeverisja e kaluar ndaj furnitorëve. “Arsyeja e mungesës së ilaçeve lidhej me një borxh të madh që shteti u kishte furnitorëve që me kontratë u kishte kërkuar sasitë e furnizimit por nuk i kishte paguar. Dhe furnitorët në një moment të caktuar kishin ndalur së furnizuari spitalin, 40 mln dollarë. Ju e keni parasysh që 40 milion dollarë për buxhetin tërësor të shëndetësisë dhe shtetit nuk janë pak, janë shumë. Qeveria nuk ka asnjë atribut kushtetues dhe ligjor ti thotë sipërmarrjes unë të paguaj kur dua dhe nuk të paguaj kur s’dua dhe që ti thotë furnitorëve të spitaleve ilaçet do sillni, por unë lekët do t’ua jap kur ti kem. Ne shlyem plotësisht borxhin ndaj furnitorëve dhe sot jemi në kushte të reja”, – tha ai duke renditur në arritjet e sistemit shëndetësor edhe zbatimin e ligjit antiduhan. “Arritëm që 85 barna të reja të futen në listën e rimbursimit, 45 janë principe të reja aktive. Në rrugën e një zotimi shumë të fortë dhe padyshim shumë ambicioz për të shkuar drejt mbulimit shëndetësor universal ne bëmë të mundur që vitin e parë që çdo shqiptar rezident 40-65 vjeç të përfitojë kontroll mjekësor falas pranë qendrës shëndetësore të vendbanimit të tij. Hapëm një betejë me duhanin dhe arritëm më në fund të zbatojmë një ligj që ishte miratuar kohë më parë dhe nuk e zbatonte askush”, – u shpreh Kryeministri.

 

Reagimi

Pas deklaratave të kreut të qeverisë nuk ka munguar reagimi i Partisë Demokratike, e cila, përmes deputetes Alban Vokshi, akuzoi Ramën se mashtroi shqiptarët. “Për cilat ilaçe foli sot Kryeministri, kur në listën e rimbursimit të këtij viti, më shumë se 30% e barnave kushtojnë deri në 150% më shumë. Pse Kryeministri nuk u shpjegon shqiptarëve, që ishin pikërisht trysnia e pandërprerë e qeverisë dhe gjendja mjerane, ku ai e ka çuar ekonominë shqiptare, arsyet që çuan në largimin e dy prej kompanive nga më të mëdhatë në botë të prodhimit të barnave Glaxo dhe Actavis”, – tha deputetja e PD-së. Më tej, Vokshi pohoi se shumë barna cilësore të kompanive serioze farmaceutike po tërhiqen nga tregu shqiptar dhe po zëvendësohen me barnat që ajo i cilësoi si të Rilindjes. “Kryeministri i gënjeu përsëri shqiptarët kur tha se, kostoja e barnave u ul me 70 milionë lekë në buxhetin e shtetit, mungesa e alternativave të para në treg (për arsye se kompanitë nuk i sjellin për mungesë interesi), kanë sjellë që qeveria të rimbursojë alternativat pasardhëse që janë shumë më të shtrenjta. Sot në farmaci dhe spitale mungojnë barna jetike për kurimin e disa sëmundjeve të rënda si kancer, leucemi etj.”, – pohoi Vokshi, e cila shtoi se për check-up falas rezultoi një tjetër projekt fiktiv, korruptiv dhe i dështuar. “Kur sistemin e kap mafia ajo pushton çdo hapësirë konkurrence dhe ligjore. Çka do të thotë që, të gjitha paratë e taksapaguesve janë mbledhur në dy ose tri duar, qeveri-parlament-ministri, dhe ky rrjet kontrollon dhe menaxhon edhe qindarkën e fundit”, – deklaroi deputetja e PD-së.

 

Intervista për Anadolu Agency/ Kryeministri: S’kisha ndërmend për të hyrë në politikë, më ka rënë në kokë. Ja kur do largohem

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nuk ka pasur ndërmend të hynte në politikë. Në një intervistë për Anadolu Agency, kreu i qeverisë tha se se ka filluar jetën e tij politikë duke sjell në pah kundërshtimet ndaj sistemit. “Hyra në politikë pas ndërrimit të sistemit të regjimit. Kjo ishte një jetë e pa parashikuar nga unë. Politika është diçka që më ka rënë në kokë. Kjo nuk është një jetë të cilën dua ta ndjek deri në pafundësi. Sepse politikanët e sotëm duhet të kuptojnë që koha e detyrës së tyre është e limituar, dhe njëkohësisht edhe koha e të qenit si drejtues e shkurtër. Kisha një jetë si artist, tani kam një jetë të dytë si politikan, shpresoj në jetën e tretë të jem i lirë”. Nga ana tjetër Rama në fjalën e tij shprehu dëshirën për të rritur bashkëpunimin tregtar mes dy vendeve dhe ftesën e investitorëve turq për të investuar në Shqipëri dhe theksoi se Shqipëria ka potenciale për zhvillim në fushat si Energjetika, Minierat, Bujqësia dhe Industria. “Të paktën arti është një liri individuale, ndërsa politika është një shprehje e vullnetit të punës në grup. Nëse arti është një dritare që shikon drejt të pamundurës, politika është përpjekja e bërë për të arritur diçka të mundur”.

 

Raporti i Auditit/ KQZ do t’i drejtohet Prokurorisë, Teliti: Në Durrës ka lëvizje jonatyrale të popullsisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar dje raportin e auditit të Armand Telitit mbi veprimet e kryera në regjistrin e gjendjes civile në bazë të të cilit ka lëvizje jonatyrale të popullsisë në drejtim të Bashkisë së Durrësit. Duke e konsideruar këtë një krim elektoral, Teliti i kërkoi KQZ-së të ndërhyjë për të mos rrezikuar zgjedhjet në Durrës. Përfaqësuesit e partive politike kërkuan që këto veprime të hetohen ndërsa KQZ vendosi t’i drejtohet Prokurorisë për këtë çështje. Sipas raportit, vetëm gjatë periudhës 10 mars deri me 25 prill janë regjistruar në Bashkinë e Durrësit 2186 zgjedhës, veprim për të cilin auditi teknicien Armand Teliti tha se përgjegjës është kryetari i Bashkisë, pasi shifrat e lëvizjes së popullsisë nuk janë natyrale. Përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj, tha se nëse kjo është e vërtetë, këta persona të fshihen nga lista, por kujtoi eksperiencën e shkuar të zgjedhjeve parlamentare ku socialistet ngritën shqetësimin për regjistrim jonatyral të popullsisë në Kukës.

 

Në Has dhe Tropojë/ Basha: Shqiptarët në kufijtë e mbijetesës, Rama-Meta pasurohen çdo ditë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prezantoi dje kandidatët për kryetar bashkie Elez Maçin në Has dhe Besnik Dushën në Tropojë. Lideri i opozitës theksoi se kjo mazhorancë punon me standarde të dyfishta. “Ndërsa shqiptarët janë sot në kufijtë e mbijetesës, dyshja Rama-Meta dhe klientët e tyre po pasurohen ditë për ditë. Qytetarët burgosen për 30 mijë lekë të vjetra, fatura të papaguara të energjisë, ndërsa miqve dhe klientët e Ilir Metës dhe Edi Ramës u falen milion lekë detyrime”, – deklaroi Basha. Sipas kreut të PD-së, 20 mijë familje shqiptare janë hequr me të padrejtë nga listat e ndihmës ekonomike, ndërkohë që, theksoi ai, ata që kanë mbetur në listë marrin për ndihmë ekonomike aq pak sa nuk paguajnë dot as gjysmën e faturave të energjisë. “Situata e rëndë ekonomike që po kalojnë familjet shqiptare, është merita e dyshes Rama-Meta që me politikat e tyre, arrogancën dhe papërgjegjshmërinë kanë bërë që shqiptarët të shohin si të vetmen shpresë eksodin. Shumica e qytetarëve marrin borxh për bukën e gojës, ndërsa nuk presin asnjë përmirësim në muajt që vijnë”, – deklaroi Basha.

Share it :