Debati në KQZ/ PS, luftë PSD-së së Gjinushit, kthen për rishqyrtim 2 kandidatë. Luzi bashkon votat me të majtët

Gëzim Saliu

Debati në KQZPS: Të çregjistrohet kandidati i PSD-së për Malësinë e Madhe, 20 familjarë të tij me akt noterial mohojnë të kenë dhënë firmën. PD: Familjarët e kandidatit janë nën presion

Partia Socialiste shpreh kundërshti ndaj kandidatëve të Partisë Social-Demokrate të drejtuar nga Skënder Gjinushi, kur ky i fundit nuk pranoi të bëhej pjesë e koalicionit të majtë dhe vendosi të garojë i vetëm në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesit ligjorë të PS-së në institucionin më të lartë zgjedhor kërkuan kthimin për rishqyrtim të dy kandidatëve të PSD-së, për atë në Përrenjas e ndërsa për atë të Malësisë së Madhe kërkuan çregjistrimin e kandidatit të PSD-së për këtë Bashki. PS në këtë mbledhje pretendoi se 20 familjarë të kandidatit me akt noterial mohojnë të kenë dhënë firmën për kandidimin e tij. Nga ana tjetër, Partia Demokratike pretendoi se, familjarët e kandidatit janë nën presion pasi punojnë në administratën shtetërore. Sipas PD, ata janë detyruar të mohojnë firmën e tyre. Vetë kandidati, Ardian Hysa u shpreh gjatë diskutimeve në KQZ se, ka filmuar momentin e firmosjes nga ana e familjarëve të tij. Hysa u regjistrua brenda afatit ligjor por tashmë rrezikon çregjistrimin për shkak të parregullsive.

 

Debati

Vrulli i kërkesave ankimore të PS-së ndaj kandidatë të PSD-së për kandidatët e propozuar për kryetarë Bashkie u shtua edhe më shumë në mbledhjen e djeshme të KQZ-së. Kjo e fundit ktheu dje për shqyrtim kandidatin Artur Topi të PSD për kryetar të bashkisë Përrenjas, si dhe kandidatin për bashkinë e Përmetit. Socialistët kanë qenë kundër vendimeve të KZAZ-së dhe kanë kërkuar çregjistrimin e tyre, me arsyetimin se materialet nuk ishin të plota. Sipas tyre vendimi i KZAZ për regjistrimin e kandidatit Artur Topi për bashkinë Përrenjas të quhet i pavlefshëm, pasi dyshohet për falsifikim firmash. “Nga ekspertimi që është bërë nga ajo deklaratë dhe nga indicet që kemi, rezulton se firmat janë hedhur nga një dorë, për aq raste sa keni aty”, – tha përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ Genci Gjonçaj. Ndërkohë anëtari i KQZ-së Hysen Osmanaj theksoi: “Dua t’u bëj thirrje dhe kolegëve se kemi rrugë të gjatë bashkë. Nëse mendoni kështu ta deformoni ligjin, e vërteta është se nuk do të shkojnë mirë zgjedhjet”. Ndërkaq, nënkryetari i KQZ-së, i propozuar nga PS Denair Biba theksoi se është e qartë se në këtë debat palët mundohen të ruajnë llogoret politike në kuadër të garës së 21 qershorit. “Duke folur troç tani, PS nuk ka ndonjë interes që kandidati në fjalë të marrë pjesë në zgjedhje se me ç’duket merr vota të majta. PD ka interes që ky të marrë pjesë pikërisht se merr vota të majta. Palët natyrisht që janë të njëanshme në këto qasjet e tyre, por kjo është edhe e bukura e procesit në fund të fundit, prandaj është edhe kontradiktor. Edhe ne i dëgjojmë të dyja palët”, – deklaroi ai. Në fund të debatit, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Lefterie Luzi bashkoi votat me të majtën për të administruar dosjen e plotë të dokumentacionit, e për të bërë verifikimet e duhura të firmave. Deri më tani, nga Partia Social Demokrate, Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka zyrtarizuar vetëm dy kandidatë për krerë Bashkie, Arben Ajdini në Rrogozhinë si dhe Albert Çaçin për Bashkinë e Fierit.

 

Kosova i do në Boletin/ Rama takim me familjarët, eshtrat e Boletinit do të prehen në 10 qershor në Vlorë

Pas një takimi me familjarë të Heroit Kombëtar Isa Boletini, Kryeministri Rama deklaroi dje se në 10 qershor eshtrat e atdhetarit të shquar do të rivarrosen pranë bashkëluftëtarit të tij Ismail Qemali në Varrezat e Dëshmorëve. Rama dhe zv.kryeministri njëkohësisht ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, bënë publike ceremoninë e rivarrimit që do të kulmojë më 10 qershor në sheshin “Pavarësia” në Vlorë. “Rrugëtimi do të kryhet përmes trojeve të Kosovës dhe Shqipërisë deri kur ceremonia të përmbyllet në sheshin e Pavarësisë dhe Isa Boletini të prehet pranë bashkëluftëtarit të tij Ismail Qemalit”, – tha Rama. Zv.kryeministri i Kosovës njëkohësisht ministër i jashtëm Hashim Thaçi e vlerësoi këtë iniciativë si një mesazh të bashkimit të shqiptarëve. “Jemi të bindur se së bashku po bëjmë gjënë e duhur të nderojmë figurën e madhe dhe këtë histori”, – pohoi ai. Por historianët kosovar këshilli i komunës së Mitrovicës dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri kërkojnë që eshtrat e Isa Boletinit të rivarrosen në Boletin dhe jo në Vlorë.

 

Shpërndan 750 legalizime/ Rama në Paskuqan: Kandidatët e PD-së janë oficerë pa uniformë

Kryeministri Rama ishte sërish dje në Paskuqan për të dytën herë brenda 1 viti, ku shpërndau edhe 750 leje të tjera legalizimi. Duke iu përgjigjur akuzave se këto janë leje për fushatë elektorale, Rama hodhi poshtë këtë pretendim të opozitës, pasi sipas tij në të gjithë Shqipërinë leje të tilla janë shpërndarë sistematikisht çdo javë. “Në 8 vjet ata bënë vetëm 155 legalizime. 155 legalizime janë më pak se 2 për qind e kërkesave që për 8 vjet me radhë prisnin për të marrë përgjigje. Ne që atë ditë që jemi takuar këtu, e deri më sot, kemi bërë gati dhe do të shpërndajmë sot 750 legalizime, plus legalizimet që janë bërë gjatë kësaj periudhe, kemi kaluar 1 mijë legalizime vetëm këtu”, – deklaroi Rama. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë nuk nguroi të kritikonte kandidatët e PD-së të cilët i si oficerë pa uniform. “Nëse këtu në Kamëz votoni atë që keni pasur gjithë këto kohë, nuk keni ç’prisni ndryshe. Çfarë do prisni ndryshe? Çfarë do të bëjë më mirë? Ku janë provat që do të bëjë më mirë? Nuk ekzistojnë dhe do të përsëritet e njëjta gjë. Të kërkosh të ndryshosh një situatë të krijuar nga ecja në rrugë të gabuar duke vazhduar po në atë rrugë, do të thotë të kesh po të njëjtin rezultat”, – tha ai.

 

Në Dumre/ Meta dhe Balla me shall të kuq: U çliruam pa hyrjen e fuqive aleate në vend

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i shoqëruar nga ministri Edmond Haxhinasto dhe deputeti Taulant Balla ka marrë pjesë në ceremoninë e zhvilluar në Cërrik me rastin e 72-vjetorit të Batalionit të Dumresë. Në këtë takim të gjithë pjesëmarrësit kishin një shall të kuq në qafë në respekt të partizanëve, duke përfshirë kryetarin e kuvendit, ministrin dhe deputetin demokrat. Në fjalën e tij Meta tha se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është e shenjtë dhe si e tillë duhet të nderohet. “Se u derdh gjithë ai gjak i bijve dhe bijave më të mira të Shqipërisë, i ajkës së rinisë shqiptare, për të çliruar vendin. Jemi nga vendet e pakta që jemi çliruar pa hyrë një fuqi aleate në territorin tonë. Dhe përsëri pas çlirimit vendet fqinje kërkonin copëtimin e Shqipërisë dhe jepnin gjoja prova për të treguar se Shqipëria ishte bashkëpunëtore e fashizmit”, – tha Meta, duke shtuar se shpesh herë është hedhur baltë mbi historinë dhe luftën antifashiste me synimin e vetëm për të përçarë vendin.

 

Share it :