Debati 6 orësh/ KQZ rrëzon LSI-në, Luzi bashkon votat me opozitën: Në Vorë fitues Fiqiri Ismaili

Gëzim Saliu

kqz per lsiLuzi: Nuk ka prova të mjaftueshme për pavlefshmëri zgjedhjesh. Manjani: 360 votues fiktivë në Vorë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në Vorë. Në mbledhjen, e cila zgjati për thuajse 6 orë, ku ankimimi i LSI-së ishte një ndër më të zgjaturit e më të diskutuarit në KQZ, nuk munguan debatet mes përfaqësuesve ligjorë të forcës së drejtuar nga Meta dhe atyre të djathtë apo edhe mes vetë anëtarëve të institucionit më të lartë zgjedhor. Në rrëzimin e animimit të LSI-së përcaktuese ishte vota e kryetares së KQZ-së, Lefterie Luzi, e cila këtë herë bashkoi votat me anëtarët e propozuar nga opozita. Sipas Luzit, nga të gjitha dokumentet e paraqitura nga subjekti ankues nuk shihen shkaqe të rënda të cilat cenojnë procesin zgjedhor. “Nuk janë këto provat që mund të çojnë deri në pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Nuk mundemi dot ne që të bëjmë këtë gjë, për shkak se e kërkojnë subjektet politike”, – theksoi ajo.

 

Debati

Në animimin në KQZ, LSI paraqiti provat që sipas saj të paktën 360 votues për PD-në ishin transferuar vetëm për efekt rezultati zgjedhor. “Në Bashkinë e Vorës, zgjedhjet ishin të lira. Po ishin të lira! Njerëzit votuan lirisht, edhe ata që zgjodhën ta shisnin votën për një petull kanë votuar lirisht. Kanë lirinë e tyre! Të zgjedhësh të shesësh votën për një petull është pjesë e lirisë. Ne nuk kemi asnjë kundërshti për këtë pjesë, por standardi i tretë, ndershmëria. A ishin të ndershme zgjedhjet në Vorë? Absolutisht jo! Zgjedhjet në Bashkinë e Vorës nuk ishin të ndershme sepse kryetarin e Bashkisë së Vorës e kanë zgjedhur banorë jo të Vorës”, – deklaroi përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani. Ndërkohë, përfaqësuesit e opozitës argumentuan se nuk është kompetencë e KQZ-së ky lloj hetimi dhe se ai tashmë është duke u bërë nga organi i akuzës. Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, tha se nuk mund të flasë për mëdyshje për një mandat të marrë në formë të padrejtë, por ai theksoi se vota e tij do të shkonte pro pavlefshmërisë për të ndëshkuar fenomenin. “Unë besoj se aty ngjarja ka ndodhur. Ai mandat me gjasë është marrë me pa të drejtë. Por ky është dyshimi i zakonshëm i një njeriu siç jam unë. Unë nuk jam gjyqtar! Unë nuk mund ta them me bindje absolute përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që kjo është kështu. Është vetëm bindja ime. Në këtë kontekst a mund të votoj unë për pavlefshmërinë? Po do të votoj për pavlefshmërinë duke e ditur që nuk do të ketë asnjë pasojë, vetëm për të dënuar fenomenin”, – deklaroi Biba, duke marrë parasysh edhe faktin se ripërsëritja e zgjedhjeve kërkon të paktën 5 vota. Ndërkohë në qëndrimin e saj kryetarja Luzi i vuri vulën animimit duke theksuar se nuk ka prova të mjaftueshme për pavlefshmëri. “Nga këto që ka paraqitur subjekti ankues, nuk shoh shkaqe kaq të rënda, të cilat cenojnë procesin zgjedhor”, – pohoi ajo. Pas mbylljes së çështjes, Manjani në emër të LSI-së tha se KQZ me këtë vendim pranoi fenomenin e zgjedhësve fiktivë në Vorë. “Më vjen jashtëzakonisht mirë që anëtarët e KQZ në kor, pavarësisht përkatësisë politike, ranë të gjithë dakord që ka një fenomen në Vorë, por jo vetëm, ka një fenomen që ka të bëjë me transferimin e zgjedhësve për arsye politike por që me shumicë KQZ mendon se nuk është kompetent për ta zgjidhur këtë çështje”, – pohoi ai. Nga ana tjetër, Manjani tha se sa i përket çuarjes së çështjes në Kolegjin Zgjedhor, vendimi do të merret në një kohë të mëvonshme.

 

Në ministerialin për arsimin/ Rama: Shqipëria është sot në drejtimin e duhur, ndërsa Evropa jo

“Për arsye të mungesës së burimeve dhe një tradite të vjetër dhe për arsye të një papunësie të madhe tek të rinjtë ne e shohim veten në një situatë të rrezikshme”

Kryeministri Edi Rama bëri një deklaratë jo pak provokuese dje ndaj partnerëve evropianë në Bashkimin Evropian, duke pohuar se Shqipëria dhe vendet fqinje janë në drejtimin e duhur e ndërsa kjo, sipas tij, nuk ndodh për Evropën. Pjesëmarrës në ministerialin e Ballkanit Perëndimor për arsimin, Rama tha se askush nuk mund t’ia dalë mbanë vetëm. “Është fantastike që ne kemi mundësinë që të jetojmë në një epokë të re për rajonin tonë. Të kemi mundësinë të përdorim instrumente bashkëpunimi që nuk i kanë pasur pararendësit tanë. Me gjithë dashamirësinë e mundshme me gjithë vullnetin e mirë a mundet ndonjëra nga vendet tona në rajon t’ia dalë mbanë më vete. Më së fundi arritëm paqen mes nesh dhe tani që jemi të gatshëm të jemi në drejtimin e duhur nuk është Evropa në rrugën e duhur. Është ky fati ynë që të jetojmë në këtë kontradiktë por për arsye të mungesë së burimeve dhe një tradite të vjetër dhe për arsye të një papunësie të madhe tek të rinjtë ne e shohim veten në një situatë të rrezikshme. Po ashtu edhe për shkak të kërcënimeve me të cilat përballen shoqëritë tona kërcënime që kanë të bëjnë me uljen apo rënien e besimit në Evropë sidomos tek të rinjtë”, – u shpreh Rama.

 

Islamizmi radikal

Ndërkaq, një tjetër temë e prekur nga kreu i qeverisë në ministerialin për arsimin ishte edhe ajo lidhur me nacionalizimin dhe radikalizmin islamik, të cilët, sipas tij, nuk e bëjnë aspak të lehtë të ardhmen. Në këtë kontekst Rama tha se arsimi luan një rol parësor në këtë pjesë. “Me një potencial të madh të nacionalizmit në vend që rritet ku përgjigjet kundrejt papunësisë dhe varfërisë nuk janë bindëse dhe së fundi islamit radikal. Këto janë kërcënime që nuk e bëjnë të lehtë të ardhmen. Dhe na vënë ne në një situatë të vështirë sa i përket vendimeve të duhura dhe rrugës së duhur. Nuk jam fare i kënaqur që arsimi nuk duket gjëkundi në këtë marrëdhënie. Pyetja ime është e thjeshtë edhe sikur ne të përmirësojmë rrugën dhe infrastrukturën e komunikimit si do dukemi ne?”, – u shpreh Rama.

 

 

 

Share it :