Dashuria që u kthye në gjakmarje/ Prokuroria mer të pandehur Koçekun dhe Klaudio Lisaj, për vrasjen e Pavlin Prekës

Dashuria që u kthye në gjakmarje/ Prokuroria mer të pandehur Koçekun dhe Klaudio Lisaj, për vrasjen e Pavlin Prekës

Elton Qyno – Syri.net

Një histori dashurie mes një 20-vjeçari të quajtur Pavlin Preka dhe një vajze 16-vjeçare në fshatin Guci e Re, është kthyer në një tragjedi njerëzore, pasi i riu është vrarë në vitin 2025 nga babai i vajzës, Vasel Koçeku dhe dy miqtë e tij Aleksandër Koçeku, Klaudio Lisaj.

Por nuk ka shkuar 1 vit e 5 muaj nga vrasja e Pavlin Prekës, në muajin Korrik 2026, është vrarë në një atentat kushëriri i vajzës, Aleksandër Koçeku, i cili kishte vetëm pak muaj që kishte dalë nga burgu i Reçit, ku mbahej i izoluar si i dyshuar për pjesëmarje në vrasjen e të dashurit të kushërirës së tij, Pavlin Preka.

Të dyja vrasjet janë hetuar nga prokuroria e Shkodrës, e cila pak ditë më parë ka vendosur që aktet hetimore që lidhen me ekzekutimin e të riut Pavlin Preka, t’ia dërgojë gjykatës së Shkodrës me qëllim shqyrtimin gjyqësor.

Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se për këtë vrasje është marë i pandehur vetëm, Klaudio Lisaj dhe Vasel Koçeku, të cilët akuzohen për “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.

Ndërsa për autorin tjetër Aleksandër Koçeku, akuza është pushuar për shkak se ai prej muajit Korrik 2026 është vrarë nga persona ende të paidentifikuar. Kjo dosje vijon të jetë ende nën hetim.

Çështja tashmë është në pritje për tu gjykuar nga gjyqtarja e shortuar, Anisa Tepelena alias Brinja, e cila do gjykojë dosjen e Klaudio Lisaj dhe Vasel Koçekut.

Sipas dosjes hetimore, ngjarja lidhet me një histori sentimentale mes viktimës, Pavlin Preka dhe vajzës së mitur të Aleksandër Koçekut.

Dëshira për të rrëmbyer një vajze të mitur dyshohet se është bërë shkak për vrasjen e të riut, Pavlin Prekës, në fshatin Guci e Re në Shkodër.

Sipas hetimeve të kryera nga Policia dhe Prokuroria e Shkodrës, viktima Pavlin Preka ka shfaqur dëshirën për të rrëmbyer vajzën e njërit prej autorëve të krimit, 43-vjeçarit Vasel Koçeku, çka solli më pas vrasjen e 20-vjeçarit Preka.

Vasel Koçeku dhe bashkëpunëtori i tij në këtë vrasje, Klaudio Lisaj, nuk kanë pranuar autorësinë e krimit, por përgjimet telefonike, sipas anëtarëve të grupit hetimor, kanë treguar të kundërtën.

Lisaj është personi që ka thirrur dhe ka nxjerrë nga shtëpia 20-vjeçarin Pavlin Preka. Ndërsa personi që e ka qëlluar dyshohet se është babai i vajzës së mitur, Vasel Koçeku.

Sipas hetimeve të kryera, vrasja dyshohet se ka si motiv një konflikt të gjatë që lidhet me dëshirën e viktimës Pavlin Preka për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, e cila aktualisht është 16 vjeçe.

Historia, sipas hetimeve, nis rreth tre vite më parë, kur Pavlin Preka së bashku me prindërit e tij, i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç.

Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Vasel Koçeku, duke i thënë se nuk kishte vajzë për të martuar, pasi ishte shumë e vogël dhe duhej të ndiqte shkollën.

Megjithatë, Pavlin Preka ka vijuar të shfaqë interes dhe këmbëngulje për vajzën, duke shprehur ndjenjat e tij edhe tek persona të tjerë, të cilëve u ishte shprehur se do t’ia rrëmbente vajzën Vasel Koçekut me qëllim krijimin e martesës me të.

Sipas hetimeve, dyshohet se mëngjesin e 20 shkurtit, Klaudio Lisaj, i njohur i viktimës dhe i familjes Koçeku, e ka nxjerrë Pavlin Prekën nga banesa e tij në Guci të Re.

Më pas, sipas dyshimeve të prokurorisë, Vasel Koçeku e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Për identifikimin e dy autorëve të vrasjes, Policisë dhe Prokurorisë së Shkodrës u janë dashur një sërë veprimesh hetimore, si përgjime dhe marrja e dhjetëra deklarimeve të personave të ndryshëm, si dhe e dy protagonistëve të këtij krimi.

Share it :