Nga Nebil Çika
Pyetja është bërë tashmë një makth për të gjithë ata që nuk kanë dashur e nuk kanë besuar se doktori mund të fitojë garën për kreun e kryeqytetit bashkinë më të madhe e më të rëndësishme të vendit. Përkundër sondazheve politike apo të paguara, fitorja e z. Kosova tashmë është një opsion i konsideruar edhe në kampin e majtë e sidomos në rrethet e oligarkisë financiare e politike, të cilët duken të shqetësuar nga realiteti elektoral në Tiranë. Me sa duket, asnjë, përfshi edhe politikanë apo rrethe pranë PD-së, nuk kanë menduar e nuk kanë besuar që dr. Kosova do të gjente një përkrahje të tillë tek njerëzit dhe sigurisht nuk kanë bërë edhe planet e llogaritë e tyre të mbështetura në një skemë e logjikë të tillë. Të mësuar me ndarje paraprake të pushtetit në tavolinë apo aleanca fluide e marrëveshje të heshtura dypalëshe, oligarkia është vënë para faktit të kryer njëherazi edhe përballë kërcënimit të prishjes së status quo-së me drejtimin e kryeqytetit në këto vite të pluralizmit politik në Shqipëri. Dr. Kosova nuk është modeli i kandidatëve politikë që kemi parë deri tani. Ai ka hyrë në treguan politik dhe në garën për bashkinë me “parametra zero” (nëse do të përdorim një term nga marketingu sportiv) që do të thotë se nuk i ka borxh askujt për karrierën e tij politike. Përkundrazi, besoj se në borxh janë ata të cilët ai zgjodhi t’i përfaqësonte politikisht, duke ofruar kështu kandidaturën më të mirë të mundshme për Tiranën në këto 25 vite të zgjedhjeve pluraliste.
Dr. Kosova nuk ka pasur nevojën e politikës për t’u bërë një nga emrat më të njohur të publikut shqiptar. Nuk i ka pasur nevojën politikës e as oligarkisë financiare për të siguruar jetesën e tij dhe familjes së tij. Në fakt, ai nuk ia ka pasur nevojën askujt për t’u bërë ky që është, kandidatura më e mirë e mundshme për Tiranën. Kjo sigurisht i jep atij lirinë e nevojshme apo të drejtën për të bërë një kontratë me ata që më shumë se kushdo kanë mundësinë t’i japin atij kreun e kryeqytetit, votuesit e Tiranës, dhe luksin të mos jetë i detyruar kur të zgjidhet t’i shërbejë oligarkisë financiare e politike, qoftë edhe asaj pjese të saj që vërtitet rreth partisë që ai përfaqëson, PD-së.
Por pikërisht kjo mundësi e rrallë për dr. Kosovën dhe qytetarët e Tiranës është kërcënim dhe një rrezik i madh për pjesën tjetër oligarkinë financiare e politike, e cila deri tani ka pasur mundësinë dhe monopolin për të ndikuar jo vetëm tek drejtimi politik i Tiranës, por edhe i gjithë Shqipërisë. Alarmi në radhët e tyre është i madh. Përpjekjet për t’i gjetur apo për t’i sajuar dr. Kosovës ndonjë defekt apo shekeje jo vetëm që kanë dështuar, por janë kthyer në bumerang për ata që i artikulojnë apo përfitojnë prej tyre.
Ky avantazh elektoral i z. Kosova është theksuar më shumë edhe nga kandidatura kundërshtare, e cila është krejt e kundërta e tij. Veliaj i PS-së është një sajesë politike e oligarkisë dhe çdo “sukses” i tij ka mbrapa pikërisht këtë pjesë të shoqërisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare. Veliaj është bërë i njohur nga politika, i pasuar nga politika, i kandiduar nga politika, i lidhur me oligarkinë e ndoshta edhe me pjesën e errët të saj. Prokuroria zbuloi ditë më parë se zonja e tij ishte e përfshirë në aferat e një personi në hetim, pjesë e oligarkisë ndërkombëtare që vepron në Shqipëri. Shumica e medias e kontrolluar nga oligarkia financiare dhe politike e fshehu këtë fakt, gjë që e bën edhe më të qartë lidhjen, por edhe detyrimin e kundërshtarit të dr. Kosovës me oligarkinë politike, financiare e mediatike, detyrime që borxhliu do t’ua kthejë patjetër, nëse vjen në pushtet. Mendoni pak çfarë do të ishte bërë në media nëse një situatë e tillë do t’i kishte ndodhur dr. Kosovës.
Besoj se me gjithë përpjekjet për t’ia fshehur publikut fakti që z. Kosova është një njeri jashtë kontrollit të oligarkisë politike e financiare dhe sidomos asaj pjese të inkriminuar të saj, është një fakt i njohur për publikun dhe ndoshta përparësia më e madhe e tij në këto zgjedhje. Duke mos qenë peng i askujt, ai ka mundësi më shumë t’i qëndrojë fjalës dhe kontratës me zgjedhësit qytetarë të Tiranës, për të cilët është një mundësi që as e kishin menduar. Të trembur nga zgjedhja e z. Kosova janë pa dyshim ata që nuk kanë pasur apo nuk kanë mundësinë ta detyrojnë apo t’i imponohen atij, oligarkia politiko-financiare, përfituesja më e madhe nga pushteti deri tani.
Me z. Kosova për herë te parë, shpresoj jo të fundit, në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, ka dy palë, jo PD e PS, as e majtë dhe e djathtë, por nga një anë qytetarët e thjeshtë e të ndershëm dhe nga ana tjetër oligarkia politike e financiare, pa dallim krahu e bindjeje politike. Pikërisht, kjo betejë ndryshe për Tiranën, me Halim Kosovën kandidat, ka ngritur shqetësimin e madh tek oligarkia ose më mirë të themi “paria aktuale sunduese” që e kërcënuar me të drejtë pyet: Çfarë ndodh nëse dr. Kosova fiton Tiranën?! Ka ardhur koha që këtë pyetje t’ia bëjë vetes edhe pala tjetër, qytetarët e thjeshtë e të ndershëm, të cilët nuk e kanë luksin ta djegin mundësinë e artë të kenë një kryetar bashkie… të gjithin të tyre.




