Në Shqipëri varfëria do të thellohet ndërsa nivelet e mirëqënies do të bien si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë elektrike thuhet në raportin më të fundit të bankës Botërore.
Në këtë raport, kufiri i varfërisë për vende me ekonomi mesatare si Shqipëria arrin rreth 21% brenda një viti.
Nga ana tjetër, teksa projektbuxheti i shtetit nuk ka menduar për shtresat sociale por i ka dhënë vëmendje koncensioneve, ministrja Ibrahimaj në një takim për për sistemin e pagesave elektronike, i kushtoi rëndësi krijimit të regjistrit të llogarive bankare si dhe një regjistri të borxhit.
Dua të përmend disa nga nismat e qeverisë shqiptare. Së pari, krijimin e regjistrit kombëtar të llogarive bankare. Ky regjistër und të shërbejë si një hap i parë dhe i rëndësishëm për krijimin e regjistrit të borxhit,” tha ajo.
Ndërkohë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi se institucioni që ai drejton vlerësoi përfshirjen masive të pagesave elektronike.
“Volumet e pagesave me kartë janë rritur ndjeshëm, sidomos gjatë pesëvjeçarit të fundit (2018-2022), duke shënuar një trend mesatar rritës prej rreth 40% në vit. Banka ka ndërmarrë edhe një sërë masash të tjera, si krijimi dhe operimi i sistemit AIPS-EURO për pagesat ndërbankare në Euro brenda vendit,” tha ai.
Ndërkaq, nivelet e larta inflacioniste në vend vazhdojnë të rriten nga muaji në muaj. E vetmja politikë monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë është rritja e normës bazë të interesit. Por që kjo nuk po ndikon pozitivisht dhe nuk po arrihet objektivi i kërkuar.




