Christian Forneck në selinë blu/ Këlliçi: Integrimi në BE dhe lufta kundër korrupsionit në fokus të takimit

Christian Forneck në selinë blu/ Këlliçi: Integrimi në BE dhe lufta kundër korrupsionit në fokus të takimit

Këshilltari për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Sigurinë i grupit CDU/ CSU në Bundestagun gjerman, Christian Forneck, zhvilloi një takim në selinë e PD me kryetarin Sali Berisha, deputetët Tomorr Alizoti dhe Belind Këlliçi, si dhe Sekretarin për Marrëdhëniet me Jashtë, Enri Çeno.

Këtë takim e ka publikuar në Facebook, deputeti Belind Këlliçi, i cili thekson se marrëdhëniet në rritje mes dy forcave politike, riafirmojnë bashkëpunimin e ngushtë mes tyre në funksion të zhvillimeve demokratike në Shqipëri.

Gjithashtu Këlliçi shprehet se me Forneck ndanë qëndrime të përbashkëta mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke u ndalur veçanërisht te sfidat që lidhen me shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit.

Në takim u përmend gjithashtu mbështetja e vazhdueshme e CDU/CSU dhe Fondacionit Konrad Adenauer, si dhe roli i drejtuesit të tij në Shqipëri, Dr. Thomas Kunze, në forcimin e institucioneve demokratike në vend.

Postimi i plotë:

Një takim i shkëlqyer sot në selinë e PD me Christian Forneck, Këshilltarin për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Sigurinë të grupit CDU/CSU në Bundestag, ku u konfirmuan raportet në rritje mes formacioneve tona poilitike.

Me zyrtarin e lartë gjerman, ndamë vullnetin e palëkundur për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, dhe sfidat që ka ky proces që kanë të bëjnë me shtetin ligjor dhe korrupsionin.

Roli i Partisë Demokratike për transparencë dhe luftë pa kompromis me abuzimin me pushtetin vlerësohet nga partnerët.

Ne jemi falenderues për ndihmën e vazhdueshme që CDU/CSU ka dhënë për Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike në dekada tashmë, e në mënyrë të veçantë gjithashtu Fondacioni Konrad Adenauer dhe drejtuesi i saj në Shqipëri Dr. Thomas Kunze.

Integrimi europian bazohet në meritë dhe kërkesat dhe kriteret s’mund të anashkalohen, ato duhen plotësuar me punë, përkushtim dhe me vullnet të qartë politik.

Share it :