Deputetë e Partisë së Lirisë I kanë nisur një letrë Kryetares dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Ata kërkojnë në shkresën e tyre respektimin nga ana e Gjykatës të afateve ligjore për zbardhjen e vendimit, datë 08.04.2026, për çështjen me kërkues, Z. Ilir Metaj, President i Partisë së Lirisë
Drejtuar: Kryetares dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë
Lënda: Kërkesë për respektimin e afateve ligjore për zbardhjen e vendimit, datë 08.04.2026, për çështjen me kërkues, Z. Ilir Metaj, President i Partisë së Lirisë
E nderuar Kryetare e Gjykatës Kushtetuese,
Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,
Ne deputetët e grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, nisur nga rëndësia kushtetuese dhe interesi i lartë publik që mbart çështja e shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese në seancën plenare të datës 08.04.2026, lidhur me kërkuesin Z. Ilir Metaj, President i Partisë së Lirisë, kërkojmë respektimin rigoroz të afateve ligjore për shpalljen e vendimit të arsyetuar.
Respektimi i afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, përbën një domosdoshmëri themelore për garantimin e sigurisë juridike, transparencës dhe besimit të publikut te drejtësia kushtetuese.
Në këtë kuadër, ju sjellim në vëmendje se çdo vonesë e pajustifikuar në zbardhjen e vendimit, në kundërshtim me afatet e përcaktuara nga ligji, do të përbënte cenim të standardeve të një procesi të rregullt ligjor, të parimit të sigurisë juridike, si dhe të vetë besueshmërisë së drejtësisë kushtetuese.
Duke vlerësuar rolin dhe përgjegjësinë e Gjykatës Kushtetuese si garantuese e Kushtetutës dhe e të drejtave themelore, shprehim pritshmërinë që zbardhja e vendimit të kryhet brenda afateve ligjore të përcaktuara.
Me respekt,
Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë
TEDI BLUSHI – EDMOND HAXHINASTO – ERISA XHIXHO – BRUNILDA HAXHIU






