Gjykata e Lartë ka urdhëruar lirimin nga burgu të Durim Bamit, duke i caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Sipas vendimit të Kolegjit Penal, Bami nuk duhet të takojë persona të tjerë, përveç pjesëtarëve të ngushtë të familjes deri në një vendim tjetër. Gjykata argumentoi lirimin e Bamit, me pretendimin se kanë ndryshuar rrethanat që nga moment i arrestit të tij, pasi organi i akuzës ndodhet në fazën përfundimtare të hetimit. 34-vjeçari nga Fushë-Kruja akuzohet për “Kallëzim të rremë” në bashkëpunim, pasi ka krijuar prova të rreme për të iniciuar ndjekjen penale ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit. Vendimi i ndryshimit të masës së sigurisë për avokatin është i pranueshëm edhe pse ai kërkoi një masë me të butë sigurie. Para Kolegjit Penal, avokat tha se klienti i tij ka bashkëpunuar me prokurorin që nga momenti i arrestimit, duke ndihmuar akuzën në zbardhjen e të vërtetës. Ai i tha gjykatës, se Durim Bami është rimarrë në pyetje nga prokuroria dhe ka sqaruar edhe momentet e përgjimit ambiental në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kur edhe është ballafaquar me deputetin Doshi. Mbrojtësi tha se klienti i tij i qëndron pretendimeve, se gjithçka ka qenë e sajuar nga deputeti Tom Doshi. Ndërkohë përfaqësuesi i akuzës, ishte kundër lirimit nga burgu të 34-vjeçarit nga Fushë-Kruja duke e përshkruar si një person me rrezikshmëri të lartë për shkak të kaluarës kriminale dhe sajimit të provave të rreme për të cilën është proceduar. Lirimi i Durim Bamit erdhi 10 ditë pasi Gjykata e Lartë i ndryshoi masën e sigurisë deputetit Tom Doshi, të cilit i është caktuar masa e sigurisë “Detyrim për paraqitjeje”.




