Çeno: Porti i Durrësit çështje sigurie kombëtare, Shqipëria rrezikon të mbetet pa nyje portuale
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Enri Çeno gjatë diskutimit në tryezën me departamentin “Brain Gain” të PD-së, deklaroi se projekti i Porti i Durrësit nuk është vetëm infrastrukturor, por ka rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
Sipas tij, projekti duhet të lidhet me rrjetin hekurudhor rajonal dhe integrimin me Kosovën dhe Ballkanin, duke krijuar një nyje të rëndësishme transporti dhe tregtie në rajon. Çeno theksoi gjithashtu nevojën për angazhim të kapitalit strategjik ndërkombëtar për realizimin e tij.
Çeno: Komplimente për tematikën. Kjo është, nuk është thjesht çështje retorike politike, por ka një lidhje të drejtpërdrejtë me sigurinë tonë kombëtare dhe për të ardhmen e vendit. Projekti i Portit të Durrësit në vetvete nuk është thjesht port për qytetarët e Durrësit, po është për të gjithë shqiptarët, madje dhe përtej shqiptarëve, për të gjithë botën shqiptare, në vetvete. Nuk është një projekt thjesht për një qeveri, apo qoftë edhe për një gjeneratë, po projektohet e ardhmja e Shqipërisë, e madhe apo e vogël, për 100 vitet e ardhshme. Doktori më parë në fjalën e tij preku pak çështjen e marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator të 2020-ës.
Unë kam qenë pak i ndërlidhur me atë çështje, kështu që po sjell pak, një histori të asaj kohe. Pra, në verën e 2020-ës, unë së bashku me një grup ekspertësh, inxhinierë, një pjesë shqiptarë po edhe disa të tjerë të huaj, jemi përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe kemi projektuar, si të thuash, atë projekt. Unë, bashkë me disa miq të tjerë kemi lobuar në Uashington në atë periudhë aso kohe me, drejtpërdrejtë me të dërguarin special të Presidentit amerikan për çështjet e Ballkanit dhe me çështje, dhe me zyrtarë të tjerë të, të pjesës së sigurisë të Këshillit të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë.
Kështu që në 4 shtator, doktor, ke pasur edhe përfaqësuesit e partisë në Shtëpinë e Bardhë, në një farë mënyre. Ai projekt, të cilët në një farë mënyre u projektua, përfshinte jo, zgjerimin e Portit të Durrësit, jo thjesht kalimin në një zonë tjetër, po investim në Portin e Durrësit. Kjo do të lidhej në mënyrë të drejtpërdrejtë me hekurudhë, sepse një port pa hekurudhë nuk e ka të njëjtën rëndësi, siç edhe një hekurudhë pa port nuk ka të njëjtën rëndësi.
Kjo do të ndërlidhej me hekurudhë me Kosovën, pra do kishte ndërtimin e një porti të thatë në Fushë Kosovë dhe më pas do ndërlidhej edhe me Nishin dhe më pas me të gjitha linjat ndërkombëtare. Eksperti këtu foli pikërisht për këto çështje financiare në lidhje me kontejnerët. Në analizat e kohës që janë bërë, një kontejner për të kapur edhe pjesën e Europës Lindore, pra për të shkuar në zonën e Ukrainës apo të Polonisë duke kaluar nëpër Portin e Durrësit, përllogaritej që ishte 20% më i lirë në kosto krahasuar me Roterdamin apo me Hamburgun. Kështu që, tregu ekzistonte, ekziston edhe sot. Po si ia arrita unë dhe miqtë e mi që lobuam me sukses në Shtëpinë e Bardhë? Është shumë e thjeshtë, pra, mjafton të sinkronizosh interesat e tua kombëtare me interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ato, në atë periudhë ne ia arritëm. Jemi ende në kohë. Por sot ne jemi para një fakti, ku që kjo qeveri dhe ky kryeministër mund të ndalet vetëm përballë një ndërhyrje të madhe politike. Prandaj dhe ky takim unë e shikoj që është i rëndësishëm. Ajo që ne duhet të arrijmë, pra detyra jonë kombëtare, detyra jonë patriotike si popull opozitar, pra e opozitës, i ekspertëve, e jo ekspertëve patronazhistë sigurisht, dhe e shoqërisë civile që e ka këtë lloj ndjeshmërie, të bashkohen, të sjellin, të projektojnë diçka dhe të fillojmë lobimin nëpërmjet rrjeteve, network-ut tonë, të cilat sot janë edhe më, më të rëndësishme sesa para gjashtë vitesh. Kështu që unë besoj që kjo është një iniciativë e duhur dhe të gjithë së bashku ne, unë besoj që mund t’ia dalim me sukses, sepse e vetmja mënyrë për të parandaluar këtë kryeministër është që ne të arrijmë të, të implementojmë kapital strategjik. Çfarë do të thotë kapital strategjik? Kapital strategjik, të sjellim korporatat e mëdhaja amerikane apo gjermane.
Ka interes, pra kapital strategjik unë cilësoj dhe perceptoj BlackRock-un, unë cilësoj dhe perceptoj korporatat e mëdhaja amerikane, të cilët nëpërmjet intensitetit pra të push-it që ata mund, politik që mund të bëjnë nëpërmjet ambasadave apo zyrtarëve të lartë në, në, në Uashington, mund të parandalojë atë që po ndodh dita-ditës. Nuk kemi shumë kohë. Porti i Durrësit mund të mos ekzistojë pas 12 muajsh dhe ne të jemi në pikën e qytetit të Vlorës. Pra, në Vlorë sot porti i vjetër po ndërtohet, po ndërtohen kulla, ndërkohë që porti i ri ende nuk ka filluar ndërtimin. Dhe ata do hyjnë në një kalvar procesesh gjyqësore, problematikash nëpërmjet SPAK-ut dhe GJKKO-së, të cilët do ta parandalojë atë dhe Vlora do jetë pa port. Të gjitha portet e tjera të lidhura me sigurinë kombëtare, pra portet ushtarake janë eliminuar, duke iu dhënë në formën pra, në aspektin e, duke u mbuluar në aspektin e turizmit, zhvillimit turistik. Shqipëria është lënë pa port. Faleminderit!




