Pas humbjes së zgjedhjeve dhe akuzave të ndërsjellta mes anëtarëve të partive kryesore të koalicionit të majtë, duket se dega e PS-së në Shkodër është tërësisht e përçarë. Mbledhja e djeshme e strukturave të PS-së u shoqërua me debate të forta, ku pas përplasjeve të shumta “Komisari” i rajonit verior ministri i jashtëm Ditmir Bushati deklaroi se do të bëheshin zgjedhje të reja të strukturave ku do të zgjidhej dhe kryetari i ri. “Loja e deritanishme nuk ka qenë e suksesshme”, u shpreh Bushati para anëtarëve të PS së Shkodrës, duke iu referuar humbjes së zgjedhjeve të 21 qershorit. Ndërkaq deputeti i PS-së në Shkodër Paulin Stërkaj ka pranuar situatën e keqe ku ndodhen strukturat e PS në këtë qark. Në një prononcim për gazetarët pas mbledhjes së PS së Shkodrës, ai nënkuptoi që kanë qenë konfliktet e brendshme që çuan në humbjen e zgjedhjeve për Bashkinë. “Jemi në situatë të keqe, reforma po bëhen kudo. Në Shkodër humbëm në mënyrë qesharake”. Po ashtu deputeti socialist tha gjithashtu se mbledhja e strukturave u bë për t’i dhënë zgjidhje situatës dhe përçarjeve që ekzistojnë. “Ju e dini si është bërë administrata. Kjo nuk ishte mbledhje për punësim. Do të përfitojnë kontribuuesit dhe jo servilat”, u shpreh Stërkaj duke paralajmëruar largime nga strukturat e PS së Shkodrës. Ndërkaq fajtor për këtë situatë sipas Stërkaj është deputeti i larguar nga kjo forcë politike Tom Doshi, duke thënë se anëtarët e PS së Shkodrës ishin të pavendosur në cilin kah të pozicionoheshin. “Në 03:00 të natës takoheshin me Tomën dhe në mëngjes me Agron Çelën, kurse në mëngjes me Keti Bazhdarin dhe në darkë me Namikun. Kam filmime për të gjitha këto që them”, deklaroi Paulin Stërkaj pas mbledhjes. Ndërkohë mësohet nga burimet se një anëtar i PS-së së Shkodrës në reagimin e tij në mbledhje ka theksuar se fajtor kryesor për këtë gjendje është LSI-ja. “E keqja në Partinë Socialiste nuk është Tom Doshi. E keqja është Ilir Meta. Të largohet nga koalicioni dhe të bashkohet me PD-në”, mësohet të jetë shprehur ai. Po ashtu kritika për aleatët e PS-së ka pasur edhe nga anëtarë të tjerë të degës së PS-së së Shkodrës, të cilët kanë shprehur kundërshti edhe për shifrat e punësimit në admin9stratë në raport me aleatët. “Pas fitores në 2013 pritëm shumë se do ndryshonte situata e punësimit për mirë. Por sot, dy vjet më pas, shihet se punësimi i drejtorëve nuk bëhet në bazë të meritave”, theksoi Besnik Brahimi, ish-kreu i komunës së Bërdicës.




