Dokumentari “Brenda ka dritë” nga Rea Surroi dhe Dardan Selimaj, prodhim i Kohavisionit është shpërblyer me çmimin dokumentari më i mirë shqiptar (Best Film in Albanian) në edicionin e parë të festivalit të filmit dokumentar “DocuTIFF”, i cili u mbajt nga 9 deri më 13 maj në Tiranë. Juria i ndanë këtë shpërblim dokumentarit “Brenda ka dritë” me arsyetimin: “Simbolikë e qartë dhe artistikisht e arritur. Vendosje e objektit në mënyrë të natyrshme dhe konkrete në përcjelljen e mesazhit te spektatori. Autorët kanë arritur të sinkronizojnë vlerat artistike me shijet e jurisë dhe besoj edhe me ato të spektatorit që asistoi në projeksion. Personazhi kryesor është mjaft interesant dhe përbën vlerë në strukturën e skenarit. Intervistat janë dinamike dhe përcjellin informacion. Kamera është në funksion të tërësisë së dokumentarit”. Fokusi i dokumentarit ‘Brenda ka dritë’ ishte procesi i krijimit të instalacionit artistik të Petrit Halilajt për Pavijonin e Republikës së Kosovës në Bienalen e Artit në Venecie në vitin 2013. “Brenda ka dritë” u dha si premierë Dokufestin e shkuar dhe deri më tash është shfaqur në disa festivale në Itali, SHBA, Sllovaki dhe Gjermani.




