Blushi publikon provën e re: Si SPAK mashtronte SHBA duke manipuluar të vërtetën
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi sot se një dokument i ri provon, sipas tij, se SPAK ka manipuluar autoritetet amerikane në hetimet ndaj Ilir Metës.
Blushi tha se në një letërporosi dërguar SHBA-së, SPAK e paraqet Metën si kryetar të LSI-së në vitin 2018, ndonëse ai kishte dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë në prill 2017 pas zgjedhjes President i Republikës. Sipas tij, kjo tregon pasaktësi serioze dhe përdorim politik të hetimeve.
Ai akuzoi prokurorët për mungesë profesionalizmi, duke përmendur edhe pretendimin se urdhri i arrestit ndaj Metës është bazuar në një ligj të shfuqizuar.
Blushi u ndal edhe te çështja e lobimit, duke deklaruar se vetë Prokuroria ka rrëzuar akuzën kryesore për lobim 1 milion dollarësh, pasi sipas tij është provuar vetëm një pagesë e ligjshme prej 15 mijë dollarësh për McKeon Group.
Gjithashtu, ai kritikoi zhvillimin e seancave gjyqësore me dyer të mbyllura, duke i cilësuar si proces të politizuar dhe pa transparencë, ndërsa kërkoi transmetim live dhe pjesëmarrje publike në çdo seancë ndaj Ilir Metës.
Deklarata e plotë:
Sot do të provojmë sërish se si çdo letërporosi e nisur nga Prokurorët e SPAK-ut në SHBA në lidhje me Presidentin e Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, ka patur vetëm një qëllim, manipulimin dhe keqpërdorimin e autoriteteve amerikane kundër Ilir Metës, por njëherazi një provë që vërteton edhe njëherë para të gjithë shqiptarëve se kush ka qenë në të vërtetë standardi i hetimeve, që me të drejtë e kemi krahasuar fiks me standardin e kallëzuesve të rremë, me standardet e rrëmbimit, të paraburgimit dhe të gjykimit të Z. Meta, që bashkohen vetëm në manipulim, mashtrim dhe shkelje ligji, të kryer me dashje.
Se sa profesionalë janë treguar prokurorët, do mjaftonte të rikujtoj faktin se urdhëri i arrestit të Z. Meta u mbështet mbi një ligj të shfuqizuar 4 vite.
Por qëllimi i këtij komunimi është se pasi ju kemi faktuar se si prokurorët e SPAK-ut, me firmë dhe me vulë, mashtruan hapur dhe qëllimisht Departamentin e Drejtësisë në SHBA, sikur gjoja e kanë të provuar se Ilir Meta ka përdorur të paktën tre karta bankare amerikane, sot do ju tregojmë se si të njëjtën prokurorë, të udhëhequr nga verbëria politike dhe jo nga profesionalizmi, në një tjetër letërporosi të dërguar në SHBA në lidhje me kontratën GSIS-LSI, shkruajnë se Kryetar i LSI-së në vitin 2018 ka qenë Ilir Meta.
Kur ndërkohë që në datën 29 prill 2017, një ditë pas zgjedhjes në Kuvend në postimin e Presidentit të Republikës, ai deklaroi publikisht dorëheqjen e tij nga drejtimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kur i gjithë opinioni publik vendas dhe ndërkombëtar e di shumë mirë se në vitin 2018 Ilir Meta drejtonte institucionin e Presidentit të Republikës dhe jo Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Vlen të theksohet se kjo letërporosi është dërguar në SHBA në lidhje me kontratën mes GSIS dhe LSI, që nuk ka qenë një kontratë mes GSIS dhe Ilir Metës.
Aq “professional” ka qenë hetimi sa ende prokuroria nuk jep dot aktin kur sipas kontratës ka mbaruar kjo marrëveshje, sepse sipas logjikës së SPAK ajo ende mund të vazhdojë dhe sipas tyre Ilir Meta ende mund të jetë duke vijuar lobimin e supozuar nga IEVP “Jordan Misja”.
Dhe meqë jemi te denoncimi publik i mashtrimeve dhe manipulimeve.
I njëjti prokuror që dje në seancën e masës së sigurisë deklaroi se nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë për Ilir Metën se të gjitha të ashtuquajtur prova kundër tij ekzistojnë, ishte i njëjti prokuror që një orë më pas në gjykimin në themel deklaroi se akuza për lobimin e paligjshëm të McKeon Group ishte rrëzuar pasi ishte provuar se ekzistonte vetëm një pagesë e ligjshme 15 mijë USD për këtë kompani sic kishte deklaruar botërisht dhe sic e ka provuar vetë Z. Meta në SPAK që para 3 vitesh kur është pyetur për këtë çështje.
Pra vetë Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore ndaj Z, Meta për gjoja lobimin 1 milion USD për një foto me Presidentin Trump.
Për rifreskim kujtese, shikoni tani titujt e lajmeve të rreme të “Mother Jones” dhe “Kronen Zeitung”, të sponsorizuara me paratë e inceneratorëve dhe të mafias ndërkombëtare, mbi të cilat u ndërtua jo vetëm helmimi i opinonit publik, por edhe kallëzimi i rremë dhe akuza kryesore kundër Z. Meta, akuzë mbi të cilën u mbështet rrëmbimi dhe izolimi i tij politik prej 19 muajsh, akuzë që dje u rrëzua nga vetë Prokuroria.
Tani të gjithë shqiptarët e kanë të qartë pse seancat gjyqësore të Z. Meta në vend që të jenë publike, bunkerizohen, pikërisht për të fshehur të vërtetat dhe cilësinë e standardeve të hetimit.
Manipulimi dhe mashtrimi, standardet kryesore të “Rilindjes” qartësisht po kthehen edhe në standardet e gjykimit.
E njëjta gjykatëse, që për mbajtjen në kafazin e xhamit të Z. Meta ju referuar precedentit të gjykimit të një terroristi maroken në Francë, duke shkelur gjithë standardet e drejtësisë franceze dhe KEDNj, po kështu dje për të justifikuar bunkerizimin e procesit politik ju referua neneve të konventës ku thuhet se kjo nuk jepet kur i pandehur nuk pranon, ndërkohë jemi në kushtet kur i pandehuri kërkon seancë publike dhe ligji e lejon.
Gjithashtu dënoj me forcë gënjshtrën e qëllimtë të thënë në sallën e gjyqit nga gjykatësja sikur gjoja seanca gjyqësore ishte publike por nuk kishte qytetarë të interesuar për ta ndjekur, kur ndërkohë jashtë dhe brenda ambienteve të GJKKO kishte me qindra qytetarë dhe të afërm të Z. Meta, të cilët u penguan qëllimisht për të hyrë në sallën e gjyqit, që rastësisht dje u caktua të ishte më e vogla.
Këta harrojnë se gjykata jo vetëm duhet të jetë e paanshme, por edhe duhet të paraqitet edhe në formë (jo vetëm përmbajtje) si e tillë.
Pra këta as nuk shtiren që të hiqen si të paanshëm.
Madje në praninë e të gjitha televizioneve kam kërkuar që të shmangien provokimi dhe përplasja e tyre me punonjësit e sigurisë së GJKKO, sepse nga një anë interesi për ta ndjekur gjykimin ishte e madh dhe në anën tjetër salla e përzgjedhur ishte e vogël.
Transparenca e këtij procesi është tmerri i Edi Ramës, sepse ai është vetë kallëzuesi i rremë, prokurori militant e falsifikues, rrëmbyesi bandit dhe po kështu edhe gjykatësi i vetëm i këtij procesi.
Transmetimi live, standard i vendosur që në fillim të viteve ’90 nga drejtësia shqiptare kur vendi ynë nuk ishte ende anëtar i Këshillit të Europës, do i tregonte opinionit publik jo vetëm nivelin e vërtetë profesional dhe moral të “prokurorëve dhe gjykatësve specialëve”.
Përsis me forcë kërkesën për të lejuar transmetimin live të të gjitha seanca e mbi të gjitha për të lejuar pjesëmarrjen e qytetarëve që duhet ta ndjekin procesin gjyqësor sepse transparenca është detyrim për çdo institucion publik dhe funksionar të lartë.




