Blushi: Cilësia e hetimit skandaloze, dosja është bosh. SPAK pranoi se akuza për lobim ka rënë

Blushi: Cilësia e hetimit skandaloze, dosja është bosh. SPAK pranoi se akuza për lobim ka rënë

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, duke folur për gazetarët pas seancës në Gjykatën e Posaçme ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka hedhur akuza të forta ndaj SPAK dhe procesit hetimor.

Blushi ironizoi kushtet e paraburgimit të Metës, duke iu referuar ‘kafazit me shtatë yje’, ndërsa tha se komunikimi i tij me avokatët dhe mediat është i pamundur. Ai kritikoi gjithashtu mungesën e mediave në fund të seancës, duke pretenduar se kjo lidhet me ‘cilësinë skandaloze të hetimit’.

Sipas Blushit, gjatë seancës u provua se ndaj Metës ‘nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë penale’, duke shtuar se nuk ekzistojnë prova për lidhje me biznesmenë apo afera korruptive, si dhe nuk ka pasuri të paligjshme të sekuestruara.

Deputeti i PL-së deklaroi se prokurori në sallën e gjyqit ka pranuar se akuza e lidhur me lobimin për ‘McKeon Group’ ka rënë, pasi, sipas tij, autoritetet amerikane nuk kanë evidentuar shkelje ligjore nga Meta.

‘Shtata ishte forma ironike e kafazit, pra, jo kafaz me pesë yje, po kafaz me shtatë yje. Nuk keni faj që nuk e keni kuptuar sepse kushtet në të cilat ai ndodhet në një kafaz ku është e pamundur të komunikohet me avokatin e jo më me gazetarët.

Megjithatë është për të ardhur keq fakti që deri në fund të kësaj seance mediat nuk ishin prezente dhe kjo lidhet vetëm me një fakt të vetëm. Cilësia skandaloze, është pak të thuash, e dobët e hetimit.

Gjatë kësaj seance është, u provua ajo çfarë ne kemi thënë, ajo çfarë vetë Meta ka thënë, që kundër tij nuk ka asnjë fakt, nuk ka asnjë provë penale, nuk ka asnjë mesazh telefonik, nuk ka asnjë lidhje të faktuar me çdo lloj biznesmeni apo afere korruptive apo ku e di unë se çfarë tjetër.

Nuk ka asnjë cent të paligjshëm të sekuestruar, ka thjesht dhe vetëm një dosje bosh dhe një standard mizerabël hetimi që fakton edhe njëherë të vërtetën e vetme se zoti Meta është sot i rrëmbyer jo thjesht dhe vetëm politik, por gjeopolitik, sepse në qoftë se ju do ju kishin lejuar deri në fund të kësaj seance të ishit prezent, do e kuptonit realisht se kush është standarti i hetimeve.

Një proces hetimor skandaloz që nuk ka mundur dot, se s’nuk kishte se si mund të ndodhte, të gjente qoftë edhe një, nuk po them disa, po qoftë edhe një provë. Nuk ka asnjë provë të vetme ndaj zotit Meta, i cili, sikundër e theksova dhe në fillim të këtij bashkëbisedimi me ju, është aty thjesht dhe vetëm me urdhër të Edi Ramës dhe të diktuar qartësisht nga Charles McGonigal.

Dua të evidentoj faktin, meqë kam qenë prezent edhe në seancën e masës së dhënies së masës së sigurisë ndaj tij, fakti që prokurori, ndryshe nga seanca kur u shqyrtua masa e sigurisë, i pyetur nga gjykatësja që a ka ndonjë provë pra lehtësuese sipas SPAK-ut dhe Meta, refuzoi të përgjigjej dhe më vonë kur filloi seanca në gjykim, pohoi me gojën e vet.

Prandaj them që ata qëllimisht ju mbajnë larg, jo vetëm ju, po duan të mbajnë larg faktit që shqiptarët të mësojnë të vërtetën. Prokurori pohoi me gojën e vet në sallën e gjyqit që akuza e lobimit për McKeon Group ka rënë.

Kur ndërkohë, Meta u rrëmbye në 21 tetor të vitit 2024 me pretendimin se ka paguar 1 milion dollarë për Donald Trump. Dhe sot i njëjti prokuror që në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, tha s’ka asnjë provë lehtësuese për Meta, pra mashtroi gjykatën, në seancën e gjykimit në themel, pretendoi të kundërtën.

Nga të gjitha sa, ato prova sipas tij, të ashtuquajtura se e theksoj dosja është bosh, ajo për McKeon Group tha ka rënë tha, nuk nuk nuk ekziston. Kur ndërkohë prej vitesh e vitesh me radhë, apo jo, në mediat e e sponsorizuara me paratë e inceneratorëve dhe ata papagaj për fat të keq të SPAK-ut, apo jo, pretendonin që është faktuar lobimi i ashtuquajturi i Meta apo ku e di unë se çfarë tjetër.

Pra, i njëjti prokuror thotë që nuk ka asnjë, le të themi, provë që mund të lehtësojë pozicionin e zotit Meta dhe për këtë arsye ai kërkoi që zoti Meta të qëndrojë në paraburgim politik, pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë penale, dhe i njëjti prokuror, kur fillon gjyqi në themel, pohon të kundërtën.

Po, tha, s’ka ça të thotë tjetër. Një nga akuzat tha ka rënë tha, sepse çështja e McKeon Group tha, na e solli përgjigjen autoriteti amerikan, nuk ka asnjë fakt penal zoti Meta. Dhe zoti Meta i pyeti: Ore më fal, ligjet në Shqipëri i kam shkelur? Jo. Ligjet në Amerikë i kam shkelur? Jo. Për çfarë ndodhet sot?

Kjo është pyetja që duhet t’i bëni ju në fakt prokurorëve gojëkyçur dhe sy mbyllur të SPAK-ut. Përse sot Meta duhet të vijojë të qëndrojë në burg politik?

Arsyeja dhe përgjigjen besoj edhe ju e dini, pavarësisht se ndoshta refuzoni ta shprehni publikisht, është urdhri politik i Edi Ramës.’, u shpreh ndër të tjera Tedi Blushi për gazetarët.

Share it :