Bisedimet me Prishtinën kusht për në BE/ Merkel në Beograd: Be-ja mundëson paqen në Ballkanin Perëndimorë

Merkel në Beograd2Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se gatishmëria për kompromis në bisedimet me Prishtinën do të merret parasysh kur të vendoset për hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim të Serbisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha të mërkurën në mbrëmje në Beograd se gatishmëria e Serbisë për kompromise me Kosovën do të merret parasysh kur te vendoset për hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim të saj në Bashkimin Evropian.

Kanclerja Merkel, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mundëson paqen në Ballkanin perëndimor

“Ne në vitin 2003 u kemi hapur mundësinë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimorë që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Kjo është në interesin e ndërsjellë si për Ballkanin Perëndimore si për Be-në që ka 28 vende anëtare. Në interesin tonë është paqja në Ballkanin Perëndimorë dhe BE-ja e mundëson këtë. Dua të falënderoj kryeministrin e Serbisë që ka ndërmarrë nisma dhe ka nxitur qëndrueshmërinë në rajon. Me bisedimet me Prishtinën, Beogradi ka dëshmuar gatishmëri për kompromis dhe kjo do të merret parasysh kur të vendoset për hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim”, tha ajo.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të përafrimit me BE-në. Ajo përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim, por diplomatët evropian thonë se hapja e kapitujve për këtë çështje varet nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura në atë proces.

Kancelarja Merkel e cila shkoi në Beograd nga Tirana, vlerësoi gatishmërinë për bisedime ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Cilësia e re e kontakteve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë shihet në vizitat e kryeministrave që ishte e pamundur para disa vjetësh. Kjo duhet të vazhdojë”, tha mes tjerash kancelaria Merkel, e cila tërhoqi vërejtjen se Serbia ka ende shumë punë për të bërë.

 

“Sfidë e re për Serbinë është edhe vala e migrimeve. Migruesit po hyjin nga Greqia dhe Serbia është bërë vend tranzit”, tha ajo duke nënvizuar gatishmërinë për të ndihmuar lehtësimin e barrës së migruesve dhe refugjatëve që po shfrytëzojnë Ballkanin si rrugë drejt Bashkimi Evropian.

 

 Rusia i vë veton projektrezolutës për Srebrenicën

Rusia i vuri veton një projekt-rezolute të OKB-së që e dënon si akt gjenocidi masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjes.

Votimi në Këshillin e Sigurimit ishte 10 vota pro dhe 1 kundër. Katër anëtarë, Angola, Kina, Nigeria dhe Venezuela, abstenuan.

Ambasadori britanik Peter Wilson tha se vendi i tij është i indinjuar me veton e Rusisë.

“Veprimet e Rusisë njollosin kujtimin e të gjithë atyre që humbën jetën në gjenocidin në Srebrenicë,” tha ambasadori Wilson. “Rusia do të duhet të justifikojë sjelljen e saj para familjeve të më shumë se 8,000 njerëzve të vrarë, masakra më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.”

Ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, e cila ishte gazetare 24-vjeçare në Bosnjë në kohën e masakrës së Srebrenicës, i tha Këshillit të Sigurimit se “në të gjithë brutalitetin e asaj lufte të tmerrshme, kjo masakër ishte një tmerr që bënte përjashtim, ishte gjenocid, një fakt tashmë i provuar në mënyrë të përsëritur nga gjykatat ndërkombëtare.”

“Vota e sotme kishte rëndësi,” tha zonja Power. “Ajo kishte rëndësi jashtëzakonisht të madhe për familjet e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës. Vetoja e Rusisë ua copëton zemrën atyre familjeve dhe kjo është një njollë tjetër në historinë e Këshillit.”

Organizata Amnesty International tha se vetoja e Rusisë është një fyerje për familjet e viktimave të masakrës dhe do të pengojë përpjekjet për pajtim mes të komuniteteve të Bosnje-Hercegovinës.

Dy gjykata ndërkombëtare e kanë quajtur gjenocid vrasjen nga serbët e Bosnjes të 8 mijë burrave dhe djemve muslimanë në enklavën e OKB-së të mbrojtur nga trupat holandeze.

Rusia, Serbia dhe serbët e Bosnjës e kanë quajtur përçarëse projekt-rezolutën e paraqitur në Këshillit të Sigurimit.

 

 Asambleja Parlamentare e OSBE-së miraton rezolutë kundër Rusisë

Asambleja Parlamentare e OSBE-së ka miratuar një rezolutë që dënon Rusinë për “sulme të njëanshme dhe të pajustifikuara mbi sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Në tekstin e rezolutës i bëhet thirrje Rusisë që të “ndalë furnizimin” e armëve të rënda, municionit, njësive ushtarake ruse dhe mercenarëve përgjatë kufirit rus për në lindje të Ukrainës dhe të mos sigurojë ndihmë për separatistët pro-rusë.

Në të thuhet gjithashtu se Asambleja shprehë shqetësim të madh për situatën në Krime, të cilën Rusia e ka aneksuar në mars të vitit 2014.

Rusia e ka bojkotuar seancën vjetore të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së që po mbahet në Helsinki, duke thënë se kryetarit të Dumës ruse, Sergei Naryshkin dhe 5 delegatëve të tjerë u është ndaluar shkuarja në Finlandë.

Share it :