Ndërkohë që Greqia mbetet në pritje të bisedimeve progresive me trojkën dhe vendet perëndimore për zgjidhjen e problemit akut financiar, presidenti rus, Vladimir Putin, i shprehu kryeministrit grek, Aleksis Cipras, mbështetjen e tij pa rezerva për popullin grek, përballë vështirësive që duhet të kapërcejnë, sipas Kremlinit.
“Vladimir Putin shprehu mbështetjen për popullin grek përballë vështirësive që vendi duhet të kapërcejë”, sipas një komunikate të presidencës ruse pas një bisede telefonike mes dy drejtuesve Putin dhe Cipras. ”Ata diskutuan gjithashtu për disa çështje të lidhura me zhvillimin e bashkëpunimit ruso-grek”, sipas Kremlinit.
Gjithashtu zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi më herët se shpresonte që Greqia do të mund të arrinte një kompromis me kreditorët evropianë, pas fitores së ”Jo”-së në referendumin grek.
“Ne dëshirojmë për partnerët tanë grekë të arrijnë sa më shpejt të jetë e mundur kompromisin e nevojshëm me kreditorët dhe të marrin vendime që do të kontribuojnë në mënyrën më të mirë për stabilitetin ekonomik dhe social të vendit”, deklaroi Peskov, cituar nga agjencia zyrtare e lajmeve TASS.




