Biberaj: Meta në kafaz njësoj si seancat e gjyqeve politike të ’46-ës!
Pedagogu Aleksandër Biberaj e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama si armikun më të madh të Shqipërisë, Kosovës dhe çështjes shqiptare, ndërsa bëri thirrje për një bashkim të gjerë kombëtar për rrëzimin e tij nga pushteti.
Gjatë fjalës së tij në “Foltoren” para godinës së Qeverisë, Biberaj foli edhe për gjyqin ndaj ish-presidentit Ilir Meta, të cilin e krahasoi me skenat e gjyqeve politike të vitit 1946, që sipas tij, shënuan fillimin e instalimit të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Ai e quajti situatën aktuale një gjyq politik dhe një antireklamë më të keqe për Shqipërinë, duke akuzuar kryeministrin dhe sistemin e drejtësisë se kanë përqendruar të gjitha pushtetet në duart e një njeriu të vetëm.
Biberaj: E keni parë dhe përcjellë të gjithë, në kafaz ishte ish-presidenti i Shqipërisë, ish-kryeministri, ish-kryetar i parlamentit, një figurë e shquar politike si Ilir Meta dhe realisht kur po e shikoja në media, m’u kujtua seanca e gjyqeve politike e 46-ës. As më pak, as më shumë sesa gjyqet politike që përfundonin me pushkatim, me varre litar dhe aty filloi diktatura e Enver Hoxhës të instalohej dhe të çimentohej në Shqipëri. Mjafton kjo pamje e sotshme, ku një lider i opozitës, një student i dhjetorit, është pas hekurave, padrejtësisht dhe është gjyq politik.
Në qoftë se bëhej fjalë për sistem drejtësie, zoti Meta duhej të ishte qytetar i lirë, të kishte të drejtën të mbrohej me avokat siç e parashikon kushtetuta dhe legjislacioni dhe jo të rrëmbehej në atë mënyrë kriminale dhe sot të jetë pas atij kafazi. Është turp për çdo qytetar të këtij vendi, është turp për çdo politikan të këtij vendi, sepse ajo është antireklama më e keqe që ne i bëjmë Shqipërisë. Kur them ne, jo ne si opozitarë, se ne s’kemi gjë në dorë, por e para kryeministri, qeveria, sistemi i drejtësisë dhe të gjitha pushtetet që sot në Shqipëri janë në duart e një personi.
E dyta, një ndër sloganet kryesore të lëvizjes studentore të dhjetorit, përveç se liri-demokraci, ka qenë edhe e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Po ndiqja dje podkastin e kryeministrit, monologjet e varfëra të tij, që përpiqej të fajësonte opozitën për mungesën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. E vërteta është që qeverisja e Partisë Demokratike, e drejtuar nga doktor Berisha, ka pasur suksese të jashtëzakonshme lidhur me integrimin europian. Ka pasur bllokim të integrimit nga qeverisja e Fatos Nanos, ndjesë pastë se nuk jeton më, por me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, ky proces filloi të ecte me hapa të shpejtë.
Unë kam pasur fatin në atë kohë që të drejtoj delegacionin shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe natyrisht kam qenë dëshmitar i një pune intensive, bërë nga kryeministri i Shqipërisë, nga parlamenti, nga Ministria e Jashtme dhe pati reforma të jashtëzakonshme. Dhe po të mos kishte ndodhur rotacioni i 2013-ës, ne sot ishim anëtarë me të drejta të plota të Bashkimit Europian. Monologu mjeran i Edi Ramës tregon edhe nivelin e tij politik, por edhe dështimin e tij komplet në politikat e integrimit të Bashkimit Europian. Ishim me Maqedoninë, u ndamë nga Maqedonia. Jemi me Malin e Zi, jemi ndarë përsëri nga Mali i Zi, sepse Mali i Zi po anëtarësohet dhe ne nuk po anëtarësohemi.
Por miqtë e mi, nuk ka politikë më anti-kombëtare sesa të mos lejosh anëtarësimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Bashkimin Europian. Një ëndërr jo vetëm 35 vjeçare, por një ëndërr që nga lufta e dytë botërore, sepse ne kemi pasur e kemi vokacion pro-perëndimor. Kështu që unë mendoj të gjithë kolegët deputetë, të gjithë ata që dalin nëpër media, të sqarojnë opinionin publik, popullin shqiptar, se Edi Rama me politikat e tij kriminale, sidomos me rastin e fundit të Belina Ballukut, nuk ka shanse të anëtarësojë Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Edhe ajo pasaportë që e tundi vjet, pasaportë false, sot është djegur. Kam një thirrje për kolegët e mi profesorë të universiteteve dhe për të gjithë intelektualët shqiptarë. Ne e dimë të gjithë që intelektualët në përgjithësi në çdo kohë dhe në çdo sistem janë konformistë. Natyra e intelektualëve. Por miqtë e mi, sot kombi është në rrezik, Shqipëria është në rrezik. Nuk ka më kohë për të pritur. Duhet të gjithë të bashkohemi me Partinë Demokratike, me doktor Berishën, me çdo faktor opozitar në qeverinë shqiptare, me shoqatat, me grupet e interesit, për të bërë të mundur rotacionin politik. Nuk kemi zgjidhje tjetër, nuk kemi alternativë tjetër. Të punojmë fort me universitetet, me studentët, me shkollat e mesme. Forumet rinore, të gjitha forumet tona duhet të jenë prezent.
Miqtë e mi, duhet të ngjallim shpresën. Në këtë vend është vrarë shpresa. Dhe shpresa është vrarë për dy arsye madhore. Është vrarë sepse kemi një qeverisje totalisht të korruptuar dhe të inkriminuar, por është vrarë shpresa sepse edhe opozita është goditur padrejtësisht me liderët e saj në procese penale dhe të burgosur për të krijuar idenë që ky vend nuk ka shpresë, nuk ka besim. Se në qoftë se ke goditur opozitën, ti ke goditur moralin në shoqërisë. Ke goditur të ardhmen e Shqipërisë, por lavdi Zotit, fatmirësisht ne jemi ringritur. Dhe jemi sot këtu për t’ju dërguar shqiptarëve që ky vend ka shpresë. Ky vend bëhet.
Dhe ne besojmë fort që Shqipëria do të bëhet dhe shqiptarët patjetër do të kenë një të ardhme më të mirë. Kisha diçka edhe për bashkimin opozitar, por edhe mentalitetin tonë. Miqtë e mi, opozita është e lodhshme, është sakrificë. Ata që e kanë provuar opozitën në vitet ’97, 2005 ka qenë shumë e vështirë. Edhe me të vrarë, edhe me të plagosur. Një pjesë e madhe këtu i shoh, për të mos thënë gati të gjithë janë dëshmitarë. Edhe opozita që nga 8 dhjetori kur filloi lëvizja studentore deri më 22 mars ’92-shit ka qenë e vështirë, nuk ka qenë e lehtë. Pra ata që kanë bërë fushata, na ndiqnin makinat e sigurimit të shtetit gjithandej. Ushtria ishte vënë në dispozicion të tyre, policia e shtetit, por ne ia dolëm që të mbijetojmë dhe të fitojmë zgjedhjet.
Kështu që unë kam thirrje për të gjithë qytetarët shqiptarë, të bashkohen rreth Partisë Demokratike, të bashkohen rreth opozitës, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër. Ne shqiptarët e kemi një sëmundje përçarje. E ka thënë i madhi Gjergj Fishta, më kollaj mbush një thes me pleshta sesa bashkon shqiptarët. Por është një moment kyç në historinë e këtij kombi. Nuk është problemi se ne qeverisemi thjesht nga një njeri pervers, i zhytur në vese, nga një hajdut, nga një kriminel, nga një anti-shqiptar. Por ky po e shkatërron kombin shqiptar në mënyrë permanente. Është armiku më i madh i Shqipërisë, i Kosovës dhe i çështjes shqiptare. Ky zotëri ka punuar dhe punon kundër çështjes kombëtare natë e ditë, pa ju dridhur qerpiku. Dhe është detyrë patriotike për ta larguar një orë e më përpara nga pushteti.
Çdo ditë, çdo orë që rrin ky zotëri në pushtet, dëmi që i bëhet Shqipërisë dhe shqiptarëve është i parikuperueshëm. Një ndër krimet që ka bërë është që e ka nxjerrë Aleksandër Vuçiçin nga izolimi dhe e ka barazuar viktimën me persekutorin. Ka barazuar Serbinë me Kosovën, serbët me kosovarët. Ky e ka bërë, sepse gjithë Europa, politika amerikane, e dinë që Aleksandër Vuçiç vjen nga e shkuara kriminale e lufëtrave etnike në Ballkan që kanë bërë serbët. Kanë bërë krime. Dhe Aleksandër Vuçiç ka qenë atje. Dhe kjo zotëria bashkëpunon me të për t’ia bërë të ardhmen Serbisë më të mirë, duke shkatërruar të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kosovës. Kështu që kam një mesazh që të bashkohemi të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, pa dallim feje, moshe, krahine dhe ideje, edhe të majtë, edhe pa bindje politike.




