Veton Surroi: Fjalimi që kryeministri i Kosovës NUK duhet ta mbajë në Tiranë më 2025

Do të ketë me gjasë mbledhje të ardhshme mes parlamenteve të Kosovës e Shqipërisë në të ardhmen, dhe takimi i ardhshëm do të duhej të mbahej në Tiranë. Ndoshta do të ishte mirë që nga tani të vendosej një standard i ri këmbimi mendimesh dhe që fjalimi i ardhshëm i kryeministrit të Kosovës të MOS i përmbajë pikat e poshtëshënuara. Po të lexoheshin, do të kuptoheshin me të drejtë nga vendi nikoqir si tejkalim i tonit miqësor, të sovranitetit të vendit e të respektit të ndërsjellë që duhet të ekzistojë mes dy vendeve.

• Kosova është në vendin e parë të rritës ekonomike, avancimit të demokracisë, luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar krahasuar me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Përderisa fqinjët tanë shënojnë prapakthim e disa janë nisur në drejtim të autokracive zgjedhore – madje me ndihmë të madhe edhe të krimit të organizuar e narkotrafikut – Kosova po ecën përpara në konsolidimin e vet demokratik.

Në Kosovë kemi ndjeshmëri të veçantë ndaj Shqipërisë, që shumë prej nesh e kemi quajtur “shteti amë”. Ndonëse realiteti i sotëm është i dy shteteve, dashuria amtare do të jetojë, së paku për gjeneratën tonë.

• Mu për këtë dhe nga përkrahja historike që ndiejmë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nuk kemi si të mos i ndajmë këtu vëllazërisht me ju brengat tona për gjendjen e Shqipërisë dhe të ofrojnë ndihmën tonë të pakursyer kurdo që të na kërkohet.

• Përpjekja monumentale e miqve tanë për të vendosur sundimin e ligjit në Shqipëri ka dhënë dhe po jep rezultate të dukshme. Kosova po kalon nëpër një proces të mundimshëm të zhvillimit të pavarësisë së sistemit prokurorial e gjyqësor dhe andaj dimë se sa janë të ndjeshme këto për Republikën e Shqipërisë. Megjithatë, shohim me brengosje mundësinë që drejtësia të përdoret si mjet politik. Në këtë drejtim e shoh si brengosëse që Kuvendi i Shqipërisë deri më sot nuk ka bërë një rezolutë, të arritur me konsensusin e të gjitha partive politike, që do të vlerësonte standardet etike e profesionale të sistemit të drejtësisë. Në rast se arrini një konsensus për rezolutë, ta keni të sigurt përkrahjen tonë në Kuvendin e Kosovës.

• Të jem krejtësisht i qartë, ne përkrahim plotësisht punën e SPAK-ut, të themeluar me ndihmën e drejtpërdrejtë të miqve tanë ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-së. Dhe, nuk do të përkrahnim kurrfarë përpjekjeje për ta zhbërë këtë institucion sepse, siç ka thënë moti presidenti ynë historik I. Rugova, “shtëpia mbahet me miq”.

• Por, vendi ynë, Kosova, ka ndjeshmëri të veçantë ndaj çfarëdo që i përngjet përndjekjes politike. Dhe, ndonëse përkrahim plotësisht pavarësinë e SPAK-ut dhe të gjykatave, nuk kemi si të mos pyetemi për fatin e liderëve të opozitës që po kalojnë nëpër procese juridike, që dikush mund t’i vlerësojë si selektive.

• Andaj, nuk ka si të mos e përsërisë ngërçin që e kam këtu në foltore e të cilin po e ndaj me ju, rreth unitetit historik ndër ne shqiptarët. Përderisa po zhvillohen këto procese gjyqësore, nuk duhet harruar se Shqipëria e sotme demokratike nuk do të kishte arritur në këtë pikë pa kontributin parësor të liderit të parë opozitar kundër komunizmit, Sali Berisha, dhe liderit të parë ndër socialistët e rinj që i kaloi të gjitha postet me përgjegjësi të lartë në vend, Ilir Meta. Sidoqoftë, është gjithashtu e rëndësishme të theksojmë një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm në këtë debat. Pa angazhimin dhe përkushtimin e Sali Berishës dhe Ilir Metës në momentet kyç të historisë së Shqipërisë, shumë nga arritjet që kemi sot mund të kishin mbetur të papërfunduara.

• Dhe, dua të ndaj me ju në fund, edhe një preokupim për të cilin jemi të gatshëm të ndihmojmë. Kosova, si një shtet që ka kaluar një periudhë të vështirë të ndarjes dhe sfidave të brendshme, ka një angazhim të thellë për mbështetje dhe ndihmë në ruajtjen e të drejtave të pakicave. Kjo është arsyeja pse, si Qeveri e Kosovës, ne ofrojmë një bashkëpunim të ngushtë për hartimin e një Statuti të Bashkësisë së Territoreve Grekofone të Shqipërisë. Ky është një hap i rëndësishëm për të forcuar identitetin kulturor dhe gjuhësor të kësaj pakice dhe për të siguruar që ata të gëzojnë të drejtat e plota, ashtu siç duhet të jetë për çdo komunitet në Shqipëri. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë me eksperiencën dhe njohuritë tona për të ndihmuar në krijimin e një baze ligjore dhe institucionale që do të mbrojë këto të drejta dhe do të mundësojë një integrim të plotë të grekofonëve në shoqërinë shqiptare.

Veton Surroi themelues i Koha ditore. Shkrimi nga Koha.net

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news