Berisha: Qindra mijëra shqiptarë janë ngritur kundër narkoregjimit, Rama po ndjek hap pas hapi regjimin e Beogradit
Kryetari i PD, Sali Berisha, në takimin me kryetarët dhe sekretarët e degëve, dënoi me forcë qëndrimet autoritare, mafioze dhe të pakonceptueshme ndaj fjalës së lirë për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama, të cilin e akuzon si ‘autori që shtetin ligjor e zëvendësoi me shtetin e mafies, me narkoshtetin dhe po e zbraz çdo muaj e më shumë’
Berisha tha se qindra mijëra shqiptarë janë ngritur kundër këtij narkoregjimi.
Berisha: Unë dënoj me forcën më të madhe këto qëndrime autoritare, diktatoriale, mafioze, të pakonceptueshme ndaj fjalës së lirë, ndaj debatit në mbrojtje të kreut të organizatës kriminale, në mbrojtje të Edi Ramës, i cili është autor krimesh monstruoze, i cili Shqipërinë, vend anëtar të NATO-s, Shqipërinë, vend me orientim të fuqishëm europian, shtetin ligjor e zëvendësoi me shtetin e mafies, me narkoshtetin dhe po e zbraz çdo muaj e më shumë.
Por, në qoftë se Edi Rama dhe mafia e pushtetit vendosin në këtë vend për çdo gjë, falë përkushtimit të madh të demokratëve dhe të qytetarëve shqiptarë, themelet e narkoshtetit janë të lëkundur sot më shumë se kurrë.
Sot ka një regjim në shkërmoqje në Europë që po ndjek hap pas hapi regjimin e Beogradit, dhe ky është regjimi i Tiranës.
Dhe këtu, kanë një meritë të madhe të gjithë ata që qëndruan, nuk u përkulën. Të gjithë ata që me protestat e tyre, dëshmuan se Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje të lira por farsë elektorale.
Miqtë tanë në Europë dhe në botë, të cilët e gozhduan atë, e damkosën atë në një seri rezolutash të organizatave partiake më të fuqishme ndërkombëtare, në të cilat edhe ne jemi të anëtarësuar.
Pikërisht, në sfondin e zëvendësimit të shtetit ligjor me narkoshtetin, në sfondin e vjedhjes dhe plaçkitjes së shqiptarëve më shumë se çdo pushtim tjetër, e varfërimit dhe mjerimit të tyre, në sfondin de fakto të dëbimit të tyre nga Shqipëria me kushtet, për kushtet e kalkuluara.
Shpërtheu në fillim të qershorit, protesta popullore më e madhe, më gjigante, më e bukur, më madhështore që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj. Dhjetëra, qindra mijëra shqiptarë nga të katër anët e Shqipërisë, por edhe të dheut, mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës kundër narkoregjimit, kundër kreut të organizatës kriminale dhe narkoqeverisë së tij.




