Berisha: Ne e ndërtuam dixhitalizimin për qytetarin, Rama e AKSHI e kthyen në skandal
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë Rama se e ka deformuar procesin e dixhitalizimit në Shqipëri, duke e kthyer teknologjinë në një burim abuzimi dhe skandalesh.
Gjatë takimit që po zhvillohet për inteligjencën artificiale në selinë e PD, Berisha tha se qeveria e tij e nisi dixhitalizimin ‘për qytetarin’, ndërsa sot, sipas tij, ‘në Shqipëri për teknologjinë dixhitale mund të shkruhet libri më i zi i planetit’ dhe këtë, siç u shpreh, ‘e realizoi po AKSHI’.
Pjesë nga fjala e kryetarit të PD, Sali Berisha:
Kam kënaqësinë të paraqes para jush Lukën, një të ri shqiptar me historinë e tij të suksesit në një nga fushat më të avancuara të teknologjisë së informacionit, blockchain.
Njeri patriot, i cili prej shumë kohësh ka vendosur kontakte me Partinë Demokratike, me mua, dhe gjithnjë me idenë se si ato çka Luka ka realizuar në Kanada dhe më vonë në Emiratet e Bashkuara Arabe t’ia ofrojë dhe vendit tij.
Dhe sot ai paraqitet këtu me një ekspoze shumë interesante. Nuk dua të bëj histori, por në vitin 2005 penetrimi i internetit në këtë vend ishte gjithsej 4.9% dhe në jo pak raste nuk e llogarisin fare Shqipërinë, meqë ishte kaq e ulët në këtë fushë. Në kohën kur, në këtë kohë ne shpallëm moton ‘Shqipëria në moshën dixhitale’, dhe e vërteta është që në atë kohë pjesa më e madhe e mediave përqeshën qeverinë dhe këtë moto.
Por me vendosmëri kjo moto apo ky proces u shndërrua në një nga proceset më të suksesshme të asaj qeverisje. Penetrimi i internetit arriti në 63% por në disa fusha të caktuara ne arritëm pozicionet më të mira.
Nga vullneti politik dhe përkushtimi i madh i atij grupi punonjësish të drejtuar nga Genc Pollo, ministër për teknologjinë, të cilët arritën të bëjnë realitet në një kohë shumë më parë se të tjerët prokurimet dixhitale.
Arritën të bëhen realitet një seri shërbimesh. Tani, po ju them sinqerisht, problemi ynë madhor ishte korrupsioni dhe ne donim që kjo teknologji të përdorej në fushat ku korrupsioni ishte më i shprehur. U përdor për maturat dhe pati një efekt shumë pozitiv.
U bë një nga vendet e para me thesarin online. Kjo ishte një nismë e ish-presidentit Barak Obama dhe ne e instaluam, e vendosëm, e bëmë. Të nesërmen qytetari mësonte se sa ka shpenzuar kryeministri, sa ka shpenzuar çdo ministër nga paratë e taksave të tyre. U ndërtua ajo që quhej autobuzi elektronik me një fond të Bashkimit Europian, nga i cili një nga portalet do të ishte e-Albania, portali i sotshëm, ku u ofruan disa nga shërbimet që ishin të gatshme të instaluara në atë kohë.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dha një kontribut shumë të madh në të gjitha këto procese. Por tani, miqtë e mi, në qoftë se në Shqipëri për teknologjinë dixhitale mund të shkruhet libri më i zi i planetit, këtë libër të zi, këtë libër të zi në planet e realizoi po AKSHI.




