Berisha: Me qeveritë në Kosovë kam bashkëpunuar njësoj me të gjithë! Procesi në Hagë nuk ka asnjë provë
Kryetari i PD, Sali Berisha, në një deklaratë për media, u pyet lidhur me raportet e tij me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe qëndrimin ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.
Berisha tha se gjatë periudhës së bashkëpunimit me qeveritë e Kosovës ka pasur marrëdhënie institucionale të qëndrueshme, pavarësisht ndryshimeve politike, duke theksuar se ka ndjekur gjithmonë një qasje të njëjtë bashkëpunimi me të gjitha qeveritë.
Ardit Hoxha, EuroNews: Z. Berisha, kam dy pyetje, po së pari do të doja të bëja një pyetje që nuk ka shumë lidhje qoftë me aktualitetin politik, po edhe me atë që ju deklaruat. Po marr shkas nga një intervistë e mbrëmjes së djeshme publikuar në mediat shqiptare e ish-presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, nga Haga ku ai qëndron prej gati 5 vitesh tashmë. Pavarësisht raportit jo aq të mirë që ju keni pasur në periudhën 16-20 dhe përplasjeve në distancë, sërish në intervistën e tij z. Thaçi ruante një lloj mirënjohje dhe respekti për bashkëpunimin me ju. Pyetja që unë kam për ju z. Berisha është: gjatë kësaj periudhe që z. Thaçi ka qenë në burg, ju keni pasur mundësi të kontaktoni me të qoftë edhe telefonikisht dhe nëse nga Partia Demokratike ka pasur ndonjë përpjekje për mbështetje apo lobim për të gjithë komandantët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, në paraburgim?
Sali Berisha: Pyetje shumë e drejtë. Së pari njëherë, Hashim Thaçi ka thënë të vërtetën. Unë nuk kam bërë dhe s’do bëj kurrë dallim në bashkëpunim si qeveri me qeverinë e Kosovës, pavarësisht se kush është në pushtet. Unë jam përpjekur të kem marrëdhëniet më të mira dhe mendoj se i kemi patur.
Janë bërë hapat më historikë në atë periudhë, siç e dini ju, të bashkëpunimit.
Natyrisht, ndarja jonë ka ardhur për çështje thelbësore dhe këto janë të gjëra s’po hyj të bëj këtu, por unë e kam thënë dhe e them, kam ndjekur me shumë interes procesin gjyqësor. Në mënyrë absolute, nuk kam konstatuar qoftë dhe një provë të vetme të krimeve për të cilat ata burra janë akuzuar. Jo!
Dhe në këtë kontekst, thirrja ime ka është shpallje ndaj gjykatës, shpallja e pafajësisë së tyre. Tani, si opozitë, mundësitë e lobimit janë të pakta, por qeveria në vlerësimin tim dhe çfarë fshihet pas kësaj, i ka dëmtuar. I ka dëmtuar! Edhe sot po të vish në Dick Marty, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe të pyesësh aty të pranishmit për fjalën e Edi Ramës, ajo ka lënë përshtypjen më neveritëse, më të keqe.
Një akuzë absurde ndaj parlamentit, ndaj deputetëve, në një kohë kur kishte një mundësi tjetër absolute. Në momentin kur u faktua se nuk ka patur transplant organesh, që ishte dhe akuza numër një më kryesore, qeveria shqiptare duhet të ndërmerrte në rrugë diplomatike dhe miqësore, të dyja, hapat më të vendosura që të amendohej rezoluta dhe raporti ku flitej për transplant organesh.
Dhe qeveria shqiptare kishte të drejtë legjitime sepse thuhej, transplanti ka ndodhur në Burrel dhe në Fushë-Krujë. Në këto zona. Ky zotëria, në vend që të bëjë këtë, shkoi aty dhe foli si Gedafi.
Dhe shko pyet ti, ia anuluan darkën zyrtare. Ta them me përgjegjësi absolute. Sa mbaroi fjalimin u mblodhën menjëherë ata. Ky ishte në pritje edhe vendosën t’ia anulojnë darkën dhe shkuan ia komunikuan.
Prit, marrim tjetrën. Ky shkon në Bordin e Paqes në Uashington. Shkon aty. Bordi i Paqes, ishte mbledhur. Ju e kuptoni vetë për qëllimet, lidhjen e mesme në radhë të parë, pastaj të tjera. Dhe ky zotëri i pacipë, histerik, mund t’i thuash çdo gjë, fjalimin, ia kushton Hagës, gjyqit të tyre, presidentit, me altoparlant.
Po ti në qoftë se do i ndihmosh, që s’kishte asnjë lidhje me temën aty, që o zotëri, në qoftë se do i ndihmosh ata, dhe duhet t’i ndihmosh, atëherë ti, në rrugë diplomatike i drejton një letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe i kërkon ndihmë për një, dy, tre, katër, pesë.
Prisni! Ti shfrytëzon të gjitha mundësitë për ta çuar në tavolinën e tij dokumentin që ai ta lexojë dhe ta shqyrtojë, nëse mund ketë ndonjë. Po ky, si një histerik i vërtetë, aty. Prit tani, më e keqja. Para një jave në Athinë, në Delf, i thotë gazetarit, se: ti ia ke çuar dhe Trumpit. Po, por s’më ka kthyer përgjigje. Nuk është budalla ky se, në këtë mënyrë mund të flasë si një budalla. Po jo, nuk e bën nga budallallëku.
Pse ça të kthejë përgjigje? Fjalimit tënd aty ishin krejt çështje të tjera, ti fole për atë? Po po, Trumpi nuk më ka kthyer përgjigje akoma për atë punë. Imagjinoni ju se kush e dëmton çështjen e tyre. Faleminderit!




