Berisha: Iku koha kur Enver Hoxha i caktonte kryetarët e partive, ata që e thonë këtë gjë sot janë llumi i llumit
Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar tha se, iku koha kur Enver Hoxha i caktonte kryetarët e partive, ata që e thonë këtë gjë sot janë llumi i llumit.
Berisha: Marrim rrugët.
Rrugët u ndërtuan me çmime të paktën 5 deri në 10 herë më të ulëta se këto të sotmet. U ndërtuan, siç pretendohet, me oligarkë? Jo, absolutisht. U ndërtuan me tendera të hapur.
Dhe Rruga e Kombit është ndërtuar, kanë marrë pjesë 7 kompani ndërkombëtare dhe ka pasur një juri ndërkombëtare për herë të parë. Me asnjë shqiptar, vetëm mbikëqyrës, vëzhgues shqiptarë. Dhe s’ka pasur asnjë ankesë.
Dhe kompania Bechtel Enka që fitoi Rrugën e Kombit, erdhi mori pjesë në tenderin e Rrugës së Elbasanit. Doli e katërta, i kishte të gjithë makineritë këtu. Doli e katërta, nuk fitoi. Nuk fitoi. Jo. E kishim ligjin ligj.
Nuk po merrem fare me rezultatet e tjera, por po merrem me këto aspekte, të cilat i përdorin dhe kjo kulmon pastaj me tezën sikur të ishin bijtë e Enverit apo Hitlerit: Berisha duhet të ikë.
Çdo person që mendon t’i caktojë një partie politike kryetarin është në vetvete turpi i pluralizmit dhe i demokracisë. Atë bënte Enver Hoxha. Ku i thoshte ti Lumturi do jesh kryetarja e gruas, ti filani do jesh kryetari i forumit të të rinjve, ti Sotir do jesh kryetari i sindikatave. Ai i caktonte. Po ajo kohë u përmbys.
Dhe kur i dëgjon sot pas kaq vitesh, këta llumi i llumit njerëzor, ua them haptas këtu sepse mund të shkosh kudo, mund të mendosh çdo gjë, por që t’i caktosh një partie kryetarin që votohet nga anëtarët e saj, tregon që ti je një fatkeqësi individuale, je njeri fatkeq në shkallë ekstreme me setapin tënd psikologjik.




