Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook pamjet e prezantimit të kandidatit të opozitës për bashkinë e Beratit, Zija Ismailit nga mbrëmja e djeshme.
“Album me foto nga çelja impresionuese e fushatës elektorale të Dr. Zija Ismailit në Berat, kandidati i fitores! Urime!” shkruan Berisha.
Opozita e bashkuar ka prezantuar zyrtarisht mbrëmjen e djeshme kandidatin për zgjedhjet vendore 2023 për bashkinë e Beratit. Do të jetë mjeku Zija Ismaili ai që do të kandidojë në garën elektorale të 14 majit. Në një sallë të mbushur plot, demokatët beratas, së bashku me përfaqësues të lartë të Partisë së Lirisë, prezantuan kandidatin e tyre, të bindur se në vend duhet një ndryshim për t’ia kthyer qeverisjen qytetarëve dhe jo pushtetarëve të korruptuar që e kanë mbajtur peng bashkinë e Beratit për vite me radhë. Deputeti i Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti ka theksuar se padrejtësia që i është bërë Partisë Demokratike e ka mbushur sallën plot me demokratë sepse PD-ja nuk është “vulë” por është emocion, është partia e demokratëve, partia e njerëzve të lirë.
Alizoti i ka bërë thirrje Berishës të mbledhë demokratët anembanë Shqipërisë, që ndihen të poshtëruar. Tashmë – ka thënë Alizoti – është tamam koha për revolucion për ta çuar Edi Ramën atje ku e meriton dhe ndryshimi do të fillojë nga Berati.







