Basha në Sarandë/ Basha: Zyrat e punësimit janë kthyer në motele për qeveritarët

Jetmir Olldashi

basha dhe bozho ne sarandeE vetmja gjë që lulëzon në Shqipërinë e Edi Ramës dhe Ilir Metës është propaganda e lugës boshe

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, shpërtheu në akuza të forta nga qyteti jugor i Sarandës. Në mbështetje të kandidatit për kryebashkiak të Sarandës, zoti Basha i ka bërë thirrje dyshes Rama-Meta të dalin para qytetarëve dhe të japin llogari për premtimet me të cilat erdhën në pushtet dy vjet më parë. Papunësia është rritur, çmimet janë rritur, taksat janë rritur, varfëria është shtuar, qytetarët vuajnë për bukën e gojës, ndërsa Rama-Meta, tha zoti Basha janë kthyer në aktorë humori që tallen me shqiptarët.

Lideri i selisë blu iu drejtua të rinjve për problemin më të madh që i prek ata sot, papunësia. Ai i kërkoi dyshes Rama-Meta të japin llogari për premtimet e pambajtura dhe me mijëra vende pune të humbura këto dy vjet. “Nuk flasin dhe nuk japin përgjigje për premtimet që dhanë dy vite më parë. Sa të rinj apo të reja nga Saranda janë punësuar këto dy vite?” Kryedemokrati nuk la pa ngritur shqetësimin e tij dhe për taksat, tatimet, energjinë elektrike dhe rritjen e kostos së jetesës në Shqipëri. “Kush paguan sot më pak energji se para dy vitesh, kush paguan sot më pak taksa, kush fiton sot më shumë, kush jeton sot më mirë, kush nga ju i merr ilaçet falas në Sarandë, kush nga ju kurohet falas!?”

Nga Saranda, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha përcolli një mesazh edhe për votuesit e majtë të cilët sot janë më të zhgënjyer se qytetarët e tjerë nga keqqeverisja Rama Meta.

“Unë e di që në Sarandë ka shumë votues të majtë të 23 qershorit, unë e di që ata janë po kaq të zhgënjyer për mosmbajtjen e premtimeve, për vendet e punës që nuk erdhën e nuk erdhën kurrë, për poshtërimin që i bëhet ditë për ditë nga arroganca e këtij pushteti që i ka shndërruar zyrat e punësimit në motele për qeveritarët, i ka shndërruar në zyra ryshfeti. Ejani t’i japim një mesazh, një mesazh të qartë dhe të prerë oligarkisë që Saranda nuk ka dalë në shitje, që Sarandën nuk e blen e nuk e shet dot Koço Kokëdhima dhe klientela e tij!”

Kryetari i Partisë Demokratike ka bashkëbiseduar dhe me banore të Kardhiqit, Lunxhërisë, Delvinës e Finiqit. Banorët i kanë shprehur zotit Basha shqetësimet për mungesën e subvencioneve të cilat u jepen disa individëve që nuk merren fare me bujqësi. Po kështu, heqja me të padrejtë e ndihmës ekonomike dhe mungesa e rimbursimit të ilaçeve ishin të tjera shqetësime të banorëve të jugut.

Në mbyllje të takimeve në jug të vendit, kryetari i Partisë Demokratike u ndal dhe në Nepravishtë, bashkia e Libohovës. Në të gjitha takimet e zhvilluara, zoti Basha tha se e vetmja gjë që lulëzon nën qeverisjen Rama-Meta është propaganda.

“E vetmja gjë që lulëzon në Shqipërinë e Edi Ramës dhe Ilir Metës është propaganda, propaganda e lugës boshe. Edi Rama dhe Ilir Meta flasin për çdo gjë, përveç papunësisë, përveç varfërisë, përveç pamundësisë për të mbyllur muajin, por ju thonë ne nuk duhet të flasim për ulje taksash e nuk duhet të flasim për ulje çmimesh”.

 

Kryetari i PD-së vazhdon takimet në Elbasan dhe Shijak

Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, realizoi takime me qytetarë dhe bizneset në lagjen “5 Maji” të Bashkisë së Elbasanit. Bashkëbisedimi me qytetarët vuri në dukje se gjendja ekonomike është bërë e padurueshme. Ndërsa tregtarë të vegjël u ankuan se janë zhytur në borxhe, se taksat janë mjaft të larta se fuqia blerëse ka rënë si asnjëherë në vitet e shkuara. Mjaft biznese të vegjël në këtë lagje janë mbyllur ose kanë falimentuar. Kryetari Basha u shpreh se kjo e keqe merr fund dhe ndëshkohet me votë vetëm në zgjedhjet e 21 qershorit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me banorë të Shijakut. Basha tha se hallet dhe shqetësimet e qytetarëve nuk mund të injorohen me barsoleta e tallje siç po bëjnë çdo ditë Rama-Meta. Papunësia, varfëria, pamundësia për të mbyllur muajin janë shqetësime që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, tha Basha dhe nuk mund të fshihen me propagandë qeveritare.

Detyra është të japim zgjidhje, tha zoti Basha dhe zgjidhje u jep oferta e Partisë Demokratike, e hartuar dhe bazuar mbi hallet, problemet dhe shqetësimet e qytetarëve.

“Të ulim taksat, të heqim TVSH për mallrat e shportës, të paktën për bukën, miellin, orizin, sheqerin, vajin, të ulim çmimin e energjisë, t’u vijmë në ndihmë këtyre familjeve që s’kanë një lek për të blerë bukën e jo t’i heqim nga lista e ndihmës ekonomike, të hapim vende pune!”, – tha shefi i selisë blu, Basha.

 

Ilir Krosi: Ndalni shantazhin dhe presionet ndaj mësuesve dhe maturantëve

Të ndalet presioni ndaj mësuesve dhe maturantëve! Deklarata është bërë nga kryebashkiaku aktual i Peshkopisë njëherësh dhe kandidati i Partisë Demokratike Ilir Krosi për zgjedhjet e 21 qershorit, i cili ka denoncuar presionet në arsim. Sipas kryebashkiakut Krosi nëpërmjet telefonit po u bëhet shantazh arsimtarëve dhe maturantëve në emër të një kompanie sondazhesh. ‘Një skandal i përmasave të turpshme pas atij të mësuesit me aftësi fizike në Zall-Dardhe që e internuan për të lëne detyrën fisnike, po ndodh edhe në shkollat e qytetit të Peshkopisë. Një sondazh fals i dirigjuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale Dibër duke u prezantuar si një kompani prestigjioze sondazhesh dhe përfituar nga situata zgjedhore ka telefonuar të gjithë mësuesit e shkollave të qytetit e ndonëse në vazhdim të fshatrave, duke provokuar dhe drejtuar pyetjen, se kush fiton zgjedhjet? Është i pa pranueshëm presioni psikologjik dhe shantazhi që po u bëhet mësuesve konkretisht të qytetit me kërcënime se nuk do të rinovohen kontratat për vitin e ardhshëm akademik,nëse ato nuk do të votojnë majtas,ku sipas sondazhit fitues i Bashkisë Dibër është kandidati i djathtë. Skandali merr përmasa akoma më të mëdha nga ankesat e disa maturantëve te cilët po kërcënohen me note negative dhe se nëse do votojnë majtas, do t’i kalojnë dhe do te marrin note pozitive. Është për të ardhur keq kur maturantet kanë sfida të tjera për të përballuar provimet e Maturës Shtetërore dhe rrugëtimin e gjatë të shkollimit dhe dijes, ato fatkeqësisht duhet te bëhen preh e këtij sistemi autoritar dhe ndëshkues.

Kam besimin se qytetarët dhe mësuesit Dibran,do të refuzojnë me çdo kusht këtë lloj sistemi të kontrollit të brendshëm totalitare,tiranik’, – mbyll deklaratën e tij kryebashkiaku Krosi.

 

Share it :