Basha: Lajm i zi për Shqipërinë/ Bie marrëveshja e dekriminalizimit. Ndoka dhe Ndreu të pafajshëm

Jetmir Olldashi

goditja ndaj strazesGjykata pushon çështjen e dhunës ndaj opozitës në Kuvend

Pjerin Ndreu: Ndjesë për veprimin, por vendi ka probleme të tjera më të mëdha se këto, janë gjëra që kanë ndodhur në të gjithë botën e do të ndodhin

Dekriminalizimi i politikës vdiq! Tubat e oksigjenit i hoqi Gjykata e Lartë, e cila shpalli të pafajshëm dy deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të cilët i dhanë një ‘mësim të mirë’ kolegut të tyre të opozitës. Në një ngjarje ku u përfshinë disa ligjvënës ku deputetët e majtë Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu goditën para kamerave kolegun e tyre Genti Strazimiri, Gjykata e pa të arsyeshme në mënyrë procedurale t’i shpallte të pafajshëm agresorët. Ngjarja për të cilën opozita u largua për 6 muaj nga Parlamenti dhe u rikthye me ndërmjetësimin ndërkombëtar, duke firmosur dhe një marrveshje me shumicën parlamentare duket se u kthye në pikën zero nga ky vendim i paprecedent. Gjakrat janë nxehur dhe Partia Demokratike reagoi dje, duke e sulmuar hapur vendimin e shkallës më të lartë të gjyqësorit në Shqipëri. ‘Thonë se në shtëpinë e të varurit nuk duhet të përmendet litari. Dhe litari që la jashtë sot Gjykata e Lartë me vendimin e saj të turpshëm, është një litar që kërkon të mbytë përfundimisht drejtësinë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Që e keqja dhe e liga po çojnë vendin në një shteg që po mbytet’. Kjo ishte deklarata e deputetit Eduard Halimi në cilësinë e bashkëkryetarit të komisionit për dekriminalizim në Kuvendin e Shqipërisë. ‘Është një vendim i cili tregon për të gjithë shqiptarët standardin e rrënuar të kësaj Gjykate, të kapjes, të nënshtrimit dhe lakut që po mbyt drejtësinë dhe qytetarët dhe vendosjes së një regjimi autoritarist’. Ligjvënësi i selisë blu akuzoi kryeministrin Rama si njeriun që ka urdhëruar një vendim të tillë. Halimi tha se asgjë nuk mbaron këtu, opozita do e vazhdoj edhe më tej luftën e saj. ‘Vendimi i turpshëm i Gjykatës së Lartë sot, duke mbajtur të paprekur, të paprekshmit e urdhëruar personalisht me sms nga Rama për të dhunuar, ashtu si dhe vendimet e po kësaj gjykate për të dënuar eksponentët e lartë të Partisë Demokratike se preken me fjalën e lirë të paprekshmin Kryeministër, nuk kanë as për të intimiduar opozitën dhe për ta ndërprerë betejën e saj për fjalën e lirë dhe dekriminalizimin pa kushte të parlamentit’. Akuzat e PD-së bien të gjitha mbi kryeministrin Rama duke aluduar se ai është koka e urdhrave që duan t’i mbyllin gojën opozitës, nëpërmjet malavitës të futur në parlament. ‘Të gjithë shqiptarët panë me zë dhe figurë se ishte personalisht Edi Rama ai që urdhëroi dhunën me sms, që ishin personalisht të paprekshmit e Ramës që zbatuan urdhrin dhe ushtruan një dhunë primitive ndaj deputetit dhe ja ku dolën të palagur. Miliona shqiptarë janë dëshmitarë të këtyre skenave dhe vendimeve te turpshme që tregojnë qartë standardin e rrënuar dhe gjendjen e kalbjes së sistemit, të nënshtrimit të drejtësisë para urdhrave politikë të regjimit që po vendos Edi Rama’. Ndërkaq, lideri i opozitës, Lulzim Basha, është shprehur i indinjuar. Ai ka sjellë në vëmendjen e publikut përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në këtë proces. Shpresa e shefit të opozitës duket se mban datën e zgjedhjeve vendore për t’i dhënë një goditje horrave Rama-Meta, siç i quajti ai nga Fushë-Kruja. ‘Lajm i zi për Shqipërinë, demokracinë dhe parlamentarizmin shqiptar. Çdo shqiptar që pa me zë dhe figurë skenat e shëmtuara të sulmit fizik kundër fjalës së lirë dhe opozitës, është sfiduar. Partnerët tanë amerikanë dhe evropianë janë sfiduar. Në vend të dekriminalizimit, si një nevojë urgjente dhe jetike e politikës dhe shoqërisë shqiptare, Edi Rama vulosi veprën e tij të kriminalizimit të pushtetit. Kapja dhe marrja peng e institucioneve nga krimi i veshur me pushtet dhe pushteti i veshur me krim është vepra e tij e zeze. Beteja jonë për dekriminalizmin nuk ndalet, reagimi i qytetarëve është detyrë. Me votë, me gjykimin suprem të votës popullore – kjo është zgjidhja’. Ndërsa ish-kryeministri Berisha e quajti hanxhar në duart e Ramës Gjykatën e Lartë. Ai shprehu bindjen se opozita ndodhet para një momenti të vështirë, por që duhet të reagojë. ‘Në këtë regjim sot e tutje në institucionin suprem të drejtësisë për opozitën ka ndëshkim dhe jo të drejtë. Opozita vendoset sot para alternativës më të rëndë në tërë historinë e saj. Edi Rama, ky bastard i bllokmenëve hoxhistë, mendon dhe beson se me këtë vendim i dha duart dhe vendosi në gijotinë opozitën e vendit. Sot më shumë se kurrë opozita duhet të ngrihet e gatshme për çdo vendim, çmim dhe sakrificë, për të mbrojtur ekzistencën reale të saj!’, – ka përfunduar reagimin e tij lideri historik i PD-së.

 

Ndreu: Vendi ka probleme të tjera, këto janë gjëra që ndodhin

Pas vendimit ka reaguar dhe ligjvënësi socialist Pjerin Ndreu. Deputeti i selisë rozë tha se vendi ka probleme të tjera më të mëdha dhe nuk mund të merret me rrahjen e Strazimirit. “Kërkoj falje për atë moment gjaknxehtësie, po nuk mund të bënte shkak ligjor për të ndërtuar një fabul dhe për ta sjellë në Gjykatë. Vendimi i Gjykatës e tregoi se kjo orvatje ishte nul dhe çështja penale nuk duhet të fillonte. Më vjen keq për autorët që e gatuan këtë histori kaq të madhe. Vendi ka çështje shumë më të thella e rrezikshmëri shumë më të lartë sesa këto, janë gjëra që kanë ndodhur në të gjithë botën e do të ndodhin. Unë e di që jam person atraktiv se kam vite që jam në qendër të vëmendjes për t’u sulmuar. Por ju deklaroj se nuk kam qenë e nuk do të jem kurrë në linjat e bashkëpunimit me krimin”, – u shpreh Ndreu në përfundim të seancës.

 

Reagimi në FB i deputetit Genti Strazimiri/ Strazimiri: Momenti zyrtar i vendosjes së një diktature është momenti kur qeveria nxjerr vetë një vendim gjykate!

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të shpallur të pafajshëm dy deputetët agresorë Ndoka dhe Ndreu, ka reaguar dhe viktima e sherrit, deputeti i PD-së Gent Strazimiri. Në një status në Facebook Strazimiri ka thyer heshtjen dhe ka zgjedhur një mënyrë vërtet të veçantë për të komunikuar me publikun. ‘Të nderuar miq të majtë e të djathtë që sot gjatë gjithë ditës më keni kontaktuar me telefonata, sms, viber, whatsapp, facebook etj., ju falënderoj me mirënjohje për mbështetjen dhe solidaritetin. Gjykata e Lartë nuk i zhgënjeu aspak pritshmëritë e mia! Gjykata e Lartë ka qenë thjesht “sporteli i shpërndarjes” së këtij vendimi, pasi kaligrafia, siç e prisja, është e Edi Ramës! Jam krejtësisht kundër secilit prej jush miq të mi, që më shkruani se “ky vend nuk bëhet më”, “se gjithçka ka marrë fund”, se “duhet ikur një orë e më parë”…pasi fajin nuk na e ka aspak Atdheu! Atdheun, bandës së tutorëve të prostitutave, policëve të korruptuar, trafikantëve të drogës e vrasësve, si dhe maskarenjve që u hapen dyert e politikës, ia dorëzuam NE këtu e 2 vjet më parë në këmbim të 20 mijë lekëve të vjetra, e bashkë me të edhe shpresën për një jetë me dinjitet dhe me një drejtësi qoftë dhe relative! Miq të shtrenjtë që sot përpiqeni të më gjindeni pranë sikur të më ketë rënë ndonjë hall: “Halli” nuk është i imi por i të gjithëve ne, pikërisht sepse po na e bëjnë të pajetueshëm Atdheun duke përbuzur çdo shqisë e liri tonën, të të gjithëve pa përjashtim, duke na nxjerrë kësisoj jashtë shinave të demokracisë! Vendime të padrejta gjykatash ka dhe do të ketë gjithmonë, por specifika ndjellakeqe e këtij të sotmit, është se e ka emetuar qeveria… Momenti zyrtar i vendosjes së një diktature nuk është ai kur qeveria shkel të drejtat e individit të parë, as kur vret padrejtësisht individin e parë… Momenti zyrtar i vendosjes së një diktature, është momenti kur qeveria nxjerr vetë një vendim gjykate!’

 

Share it :