Dje, pothuajse në çdo media u shpërnda lajmi se nisi zyrtarisht ngritja e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, institucioni i ri financiar me kapital 100% shtetëror që premtohet se do të ndihmojë bizneset, startup-et dhe ekonominë shqiptare.
Por ndërsa propaganda fliste për zhvillim, dokumentet tregojnë se banka ende pa nisur punë ka hapur një tender prej 315,849,000 lekësh për “shërbime konsulence për mbështetjen e zhvillimit të kuadrit strategjik dhe operacional të BZH”.
Pra mbi 3 milionë euro vetëm për t’i treguar bankës si duhet të funksionojë!
Në QKB, Banka Shqiptare e Zhvillimit rezulton e regjistruar me kapital të regjistruar prej 10 miliardë lekësh, ndërsa kapitali i shlyer deri tani është 1 miliard lekë nga shteti shqiptar.
Administrator i bankës është italiani Silvio Pedrazzi, ndërsa në Këshillin Mbikëqyrës janë emëruar Irida Huta, Arben Shkodra, Eris Hysi, Artur Asllani dhe Daniel Marc Demeulenaere.

Megjithatë, edhe pse kemi të bëjmë me një institucion që financohet me para publike, nuk ka asnjë transparencë për pagat e administratorit, t? anëtarëve të këshillit, t? punonj?sve t? sapo rekrutuar, kostot operative apo shpenzimet administrative të bankës së re bashkë me qeranë që paguajnë te ABA Business Center e Bashkim Ulajt.
Ndërkohë, objekti i vetë bankës, sipas statutit të publikuar në QKB, është të financojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, startup-et shqiptare, eksportet, projektet publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Por banka që u krijua për të financuar zhvillimin, po nis fillimisht duke financuar vetveten.
Tenderi prej 315 milionë lekësh nuk ka të bëjë me ndërtim sistemi bankar apo teknologji të avancuar. Në thelb, bëhet fjalë për dokumentet bazë të funksionimit të bankës: strategjinë, organizimin operacional, mënyrën si do jepen kreditë, si do menaxhohet risku, si do ndërtohen procedurat dhe politikat e institucionit.

Pra shteti shqiptar ka ngritur një bankë me administrator, staf, këshill mbikëqyrës dhe kapital publik, por po paguan miliona euro të tjera që dikush nga jashtë t’i shkruajë mënyrën si duhet të funksionojë.
Dhe kjo është vetëm faza e parë.
Vetë statuti parashikon që kapitali i bankës të shlyhet gradualisht deri në vitin 2029, me injektime të tjera miliardëshe nga buxheti i shtetit.
Në një vend ku bizneset e vogla ankohen çdo ditë për mungesë kredie, ku startup-et shqiptare mbijetojnë pa mbështetje dhe ku universitetet nuk financojnë dot as laboratorët e tyre, miliona euro po shkojnë fillimisht për konsulenca, struktura, borde dhe strategji të blera.
Banka Shqiptare e Zhvillimit u prezantua si instrument për të zhvilluar ekonominë shqiptare. Deri tani, ajo po shfaqet si një tjetër strukturë që thith e zhduk para publike para se të prodhojë ndonjë efekt konkret për qytetarët./Kontrast




