Avullojnë” 1 miliardë euro për rindërtimin, Bashkia e Durrësit nuk ka fonde: S’na jep qeveria

Shqipëria u godit nga një tërmet i fortë më 26 nëntor 2019. Lëkundjet zgjatën të paktën 50 sekonda, teksa 51 persona humbën jetën dhe mbi 3000 të tjerë u plagosën. Dëmet në njerëz dhe pronë ishin kolosale.

Disa muaj më vonë, në muajin shkurt 2020, u bë një konferencë e donatorëve, ku u mblodhën, në formën e granteve dhe kredive, shuma prej 1.1 miliardë eurove. “Dëmet janë mbi 900 milionë euro, rindërtimi do diçka më tepër se 1 miliardë euro” tha në atë kohë ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Ndërkohë, krerët e Bashkimit Europian dhanë qindra miliona euro ndihma.

Por, ku shkuan këto para’?!

Qyteti më i prekur ishte Durrësi, me gjysmat e viktimave, dhjetëra pallate të rrëzuara e qindra me dëmtime të rënda. Mbi 100 pallate u cilësuan DS4, të pabanueshëm dhe kishin nevojë për riforcim të plotë.

Ndër vite, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, do të deklaronte se procesi do të zgjaste disa muaj. Por, kur jemi futur në vitin e 6-të, mijëra banorë enden rrugëve. Bonusi i qirasë iu hoq me vendim qeverie në mars të vitit 2023.Prej vitesh, banorët e Durrësit kanë protestuar para bashkisë për mënyrën e rindërtimit dhe ndërprerjen e qirasë. “Po na vonojnë, vijnë njëherë dhe më pas ndryshojnë mendim. Nuk e dimë se çfarë po bëjnë” kanë deklaruar banorët prej 5 vitesh.

Gjatë këtyre 62 muajve pas tërmetit, Bashkia e Durrësit ka bërë dhjetëra tendera, për ndërtim banesash dhe riforcime pallatesh. Por, në terren janë edhe shumë godina të tjera, që s’është vënë dorë.

Emisioni “Fiks Fare” ka ndjekur ndër vite procesin, duke denoncuar vonesat dhe mënyrën e rindërtimit. Në vitin 2023, emisioni investigativ shkoi në lagjen 12, ku bisedoi me banorët e një pallati. Ata thanë se njëherë i kanë nxjerrë dëmet në DS3, më pas DS4 dhe tani na zvarrisin. “Na dhanë 500 mijë lekë dhe tani ikën. Më pas e bënë të pabanueshëm, s’po na japin informacion se çfarë po bëhet” pohojnë banorët.

Ndërkohë, në fund të muajit janar 2025, Bashkia e Durrësit ka parashikuar që të riforcojë 2 pallate për të strehuar të dëmtuarit nga tërmeti. Sipas një dokumenti që disponon Fiks Fare, është parashikuar që në vitin 2025 të bëhet tenderi i riforcimit të pallatit “FAKLE”, në afërsi të stadiumit të qytetit, në rrugën “Teodor Rupi”. Bashkia ka parashikuar një tender me vlerë 506 milionë lekë për rikonstruksionin e godinës nr.23.

Ndërkohë, e njëjta bashki, ka parashikuar edhe tenderin me objekt “riaftësim strukturor pallati 167, ‘VIKO’, lagja 13 në plazh”. Pallati është dëmtuar nga tërmeti dhe ndodhet në rrugën “Pavarësia”. Fondi i akorduar është 168 milionë lekë.

Fiksi i dërgoi disa pyetje Bashkisë së Durrësit se përse po vonohet rindërtimi. Në këtë përgjigje, bashkia shkruan se “në buxhetin e Bashkisë Durrës, është parashikuar, rindërtimi i pallatit ‘Fakle’ dhe procesi vonoi, pasi rindërtimi i këtij objekti, është parashikuar të realizohet me buxhetin e Bashkisë së Durrësit”. Me të njëjtën procedurë, thotë bashkia, është parashikuar për t’u ndërtuar edhe pallati “VIKO” në zonën e Plazhit!

Por, ku shkuan fondet prej 1.1 miliardë eurosh që u morën për procesin e rindërtimit, kur bashkia më e prekur në vend po përpëlitet për të mbyllur rikonstruksionet e dhjetëra pallateve me fondet e saj? Procesi me këto ritme duket i stopuar, teksa banorët janë pa bonus qiraje dhe pa shtëpi!

Ndërtuesit e këtyre pallateve u përjashtuan nga përgjegjësia e riparimit të këtyre dëmeve. Tashmë fondet mbaruan dhe Bashkia e Durrësit ka parashikuar fonde për vetëm 2 pallate, pasi aq e ka fuqinë.

Një nga pallatet e lënë jashtë është “Tod Trungu”! Ndërtuesi, Fiqiri Farruku dhe ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, u akuzuan se lejuan kate shtesë. Ndërtuesi Fiqiri Farruku u hetua me masën e arrestit shtëpiak. Ai u dënua me 2 vite burg, por dënimi iu pezullua me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale. Ai ka mbyllur zyrat e firmës në Durrës dhe nuk ka informacion se ku ndodhet.

Ndërkohë, banorët që jetonin në atë pallat, janë në ajër dhe nuk ka informacion se çfarë do të ndodhë me ta! Madje, edhe Bashkia e Durrësit bën të paditurën, pasi në përgjigjen për Fiksin thotë se “nuk mund ta identifikojmë dot objektin”.

Të njëjtin fat, si këta banorë, e ka edhe zonja Mimoza Çaushi, banore e lagjes nr.13 në zonën e plazhit në Durrës. Pallati ku jetonte u cilësua i pabanueshëm, por ajo vijon edhe sot të jetojë në ato gërmadha! “Ndërtuesi rregulloi katin e parë pas tërmetit. E bëri dy hyrje. S’kishte asnjë leje. Këtë apartamentin tim e leu nga jashtë dhe brenda është copë-copë” pohon Mimoza.

Mimoza ka shkuar me dhjetëra herë në Bashkinë e Durrësit dha ka marrë të njëjtën përgjigje; nuk ka fonde! “Nëse ka bërë ndërtime, i ka thënë burgut hapu. Ti duhet të shkosh te Ministria e Rindërtimit, ata i kanë paratë” i thotë drejtori qytetares.

Por, ku shkuan këto fonde?

Fiksi i dërgoi një kërkesë zyrtare Bashkisë së Durrësit se sa pallate janë ende të pa rikonstruktuara. Sipas saj, janë edhe 76 objekte pallat, me nivel dëmi DS4, për të cilat janë hartuar ekspertizat e thelluara nga Instituti i Ndërtimit Tiranë. Për këto pallate është i nevojshëm hartimi i projekteve përforcuese.

Fiksi e pyeti bashkisë se kur parashikohet të përfundojë i gjithë rindërtimi dhe a ka ndonjë afat? “Bashkia e Durrësit ka kërkuar fonde pranë Ministrisë përkatëse, për hartimin e projekteve të përforcimit të këtyre objekteve, fonde, të cilat, deri më tani, nuk janë miratuar. Ndaj, dhe me qëllim për të rregulluar pasojat e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, Bashkia Durrës ka më shumë se dy vjet, e cila, me fondet e saj të miratuara në buxhet, ka marrë përsipër përforcimin e disa objekteve si dhe hartimin e projekteve të përforcimit për objekte të tjera me nivel dëmi DS4” thotë Bashkia e Durrësit.

Me këto ritme, do të duhet edhe një 10 vjeçar tjetër që të përfundojë i gjithë rindërtimi në Durrës! Por, çfarë do të bëhet me mijëra banorë në atë qytet?!

Ballafaqimi i qytetares me drejtorin e Bashkisë Durrës

Drejtori – Unë dua një sahat e më parë që kjo gjë të mbyllet sa më shpejt. Dhe kjo zonja për atë është, por kjo e ka pallat!

Qytetarja – Si kalove ti?

Drejtori – Asnjë gjë s’është bërë!

Qytetarja – Asnjë gjë?!

Drejtori – Po!

Qytetarja – Sa do presim?

Drejtori – Do të presim çfarë kam thënë herën e fundit.

Qytetarja – “S’ka fond, s’e kam unë” – the ti – “e ka shteti”.

Drejtori – Po pra!

Qytetarja – Kush e ka, ku të vete unë, ku të vete?

Drejtori – Në Ministrinë e Rindërtimit në Tiranë!

Qytetarja – Në Tiranë të vete?

Drejtori – Po.

Qytetarja – Po ajo të rregullon?!

Drejtori – Ata i sjellin fondet këtu!

Qytetarja – Po ti s’e ke lexuar fare këtë ça ka.

Drejtori – Si s’e kam lexuar!

Qytetarja – Po kështu, ai ka ndërtuar poshtë, e ka zbukuruar ai i katit të parë.

Drejtori – Kush?

Qytetarja – Ju s’keni ardhur fare. Ai ndërtuesi!

Drejtori – Për çfarë do të vij unë, kur unë kam këtë letër. Ai mund ta ketë bërë në mënyrë të paligjshme.

Qytetarja – Po mirë ju pse s’jeni interesuar, të vinit ta shikonit atje.

Drejtori – Si?

Qytetarja – Ai e zbukuroi timen nga jashtë, nga brenda është copë!

Drejtori – Si, si të interesohem unë?

Qytetarja – Po si është punë, si e bëri pa leje.

Drejtori – Kush e ka bërë pa leje?

Qytetarja – Ai ndërtuesi! Ai që kemi blerë ne hyrjet, këtë e kishte pa shitur dhe e rrethoi katin e parë.

Drejtori – Po.

Qytetarja – E bëri dy dhoma e kuzhinë, dy dhoma e kuzhinë, se e kishte lokal më përpara. Dhe pjesën time ka shkuar shkumë deti dhe llaç. E ka lyer nga jashtë. Nga brenda është copë.

Drejtori – Në qoftë se i ka thënë burgut hapu, ti bëj. Tani këtu s’është bërë asnjë gjë, sepse nuk ka, nuk ka ardhur fondi nga Ministria e Rindërtimit.

Qytetarja – Po mirë ne edhe sa do të presim? Po tani qiranë me çfarë do ta paguaj unë, po bëj 2 vjet as qira asnjë gjë. Si ta paguaj?

Drejtori – Të njëjta fjalë të përsëris, unë e di që ke hall, prandaj vjen këtu, po janë të njëjta fjalë që të kam thënë para 2 javësh. Para dy javësh ke ardhur, para 3 javësh?

Qytetarja – Sa herë kam ardhur?

Drejtori – Ke ardhur para 2 javësh.

Qytetarja – Po.

Drejtori – Po, tani unë të njëjta fjalë do të them.

Qytetarja – Thamë ne mo …

Drejtori – I kemi çuar shkresë edhe ministrisë.

Qytetarja – Shiko, apartamenti jonë është shumë me probleme atje, se edhe ai ka bërë ndërhyrje, dhe ne s’e kemi parë se çfarë ndërhyrje janë bërë atje, dhe nuk fut dorë njeri më atje. Dhe na kanë lënë në prapavijë ne. Pse plazhi u bë komplet, s’ka më plazhi.

Drejtori – Ka edhe plazhi.

Qytetarja – Pse s’e di unë aty!

Drejtori – Di i di me të thënë njerëzit, unë i di me shkresa, me dokumente.

Qytetarja – Tani ç’a të presim ne?

Drejtori – Do të presësh kur të vijnë fondet për projekt, se nuk kemi fonde për projekt. Lërë si ankesë aty, regjistroje që ka ardhur, se këtu fjalët i merr era, shkresa ngel shkresë. Lërë si shkresë atje dhe këto objekte, s’është s’e do të ketë ndonjë klasifikim do të bëhet pallati i Lorencit para pallatit tënd, do të bëhen të gjithë njëherësh. Po presim fond për projekte, se s’është një fond me vlerë të vogël. E gjithë kësaj, vlera e fondit për projektin, shkon gati 200 milionë lekë të reja, për të gjithë pallatet. Janë 87 pallate. 87 a 88 pallate në total.

Qytetarja – Po mirë ç’a u thonë që andej?

Drejtori – Ç’a po të them unë, më thonë që andej. Do shikojmë mundësinë e realokimit, do shikojmë mundësinë e realokimit.

Qytetarja – 5 vjet u lodhëm!

Drejtori – Po tani, ç’a të them unë!

Qytetarja – U lodhëm, s’janë 5 muaj, janë 5 vjet!

Drejtori – Kjo është përgjigjja.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news