Avokatura e Shtetit, jo vetëm mangësi dhe vonesa në zbatimin e vendimeve, por edhe dëm financiar

Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton një barrë të konsiderueshme financiare për Avokaturën e Shtetit, e krijuar nga mënyra se si janë menaxhuar largimet nga puna dhe proceset gjyqësore me ish-punonjësit. Sipas auditimit, gjatë viteve 2023–2024 nga institucioni janë larguar gjithsej 26 punonjës, shumica dërrmuese me dorëheqje dhe një rast me shkarkim. Vetëm në vitin 2023 janë regjistruar 13 largime, ndërsa po aq edhe në vitin 2024. Paralelisht me këto largime, ndaj Avokaturës janë ngritur një sërë padish për largime të konsideruara të pajustifikuara, nga të cilat pesë vijojnë ende të jenë në proces gjyqësor.

Nga shqyrtimi i çështjeve të trajtuara në raport, rezulton se dhjetë procese gjyqësore kanë pasur si objekt largimin nga puna, ndërsa katër prej tyre kanë sjellë detyrime të drejtpërdrejta financiare për institucionin. Deri në fund të vitit 2024, Avokatura e Shtetit ka paguar 3,608,445 lekë gjatë vitit 2023 dhe 1,418,160 lekë gjatë vitit 2024 për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Këtyre shifrave u shtohen edhe 320,547 lekë shpenzime përmbarimore, duke e çuar faturën totale në 5,347,152 lekë.

Raporti thekson se kjo shumë përfaqëson një kosto të drejtpërdrejtë për buxhetin publik, e cila lidhet jo vetëm me humbjen e çështjeve në gjykatë, por edhe me mënyrën joefikase të zbatimit të vendimeve. Audituesit konstatojnë se në asnjë rast Avokatura e Shtetit nuk ka vepruar me ekzekutim vullnetar të vendimeve pas marrjes së formës së prerë. Pagesat janë kryer vetëm pas ndërhyrjes së përmbaruesve privatë, çka ka sjellë tarifa shtesë dhe shpenzime të panevojshme. Nëse institucionit do të kishte zbatuar vendimet në kohë dhe pa ndërmjetësim përmbarimor, një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve do të ishte kursyer.

KLSH lidh drejtpërdrejt kostot financiare me mangësitë në administrimin e burimeve njerëzore. Largimet nga puna pa bazë të fortë ligjore, mungesa e dokumentimit të plotë dhe vendimmarrja e dobët administrative kanë krijuar terren për padi të suksesshme nga ish-punonjësit. Në shumë raste, gjykatat kanë vendosur rikthim në detyrë, pagesë të prapambetur ose dëmshpërblim me disa paga mujore, duke rënduar ndjeshëm buxhetin e institucionit.

Po ashtu, raporti vë në dukje se Avokatura e Shtetit nuk ka shfrytëzuar në mënyrë sistematike mundësitë për zgjidhje administrative apo marrëveshje paraprake, të cilat do të mund të shmangnin përplasjen gjyqësore. Mungesa e dialogut institucional dhe e mekanizmave parandalues ka bërë që konfliktet e punës të përfundojnë pothuajse gjithmonë në gjykatë, me pasoja financiare për institucionin.

KLSH paralajmëron se rreziku për rritjen e mëtejshme të faturës mbetet real, pasi pesë çështje të tjera janë ende në shqyrtim. Nëse këto përfundojnë me vendime në favor të ish-punonjësve, Avokatura e Shtetit mund të përballet me detyrime të reja financiare në vitet në vijim.

Në përfundim, raporti e konsideron shumën mbi 5.3 milionë lekë si pasojë direkte të vendimmarrjes së gabuar administrative dhe të mungesës së disiplinës institucionale në zbatimin e vendimeve gjyqësore. Sipas audituesve, një menaxhim më profesional i marrëdhënieve të punës, respektimi rigoroz i procedurave ligjore dhe ekzekutimi në kohë i vendimeve do të kishin shmangur një pjesë të madhe të këtyre humbjeve nga fondet publike.

Raste konkrete

  1. Gj.: Larguar në vitin 2021. Gjykata vendosi rikthimin në detyrë dhe pagesë të prapambetur. Nga detyrimi prej 2,457,905 lekësh u shlyen 1,698,813 lekë, pasi ish-punonjësi hoqi dorë nga pjesa tjetër.
  2. P.: Larguar në vitin 2021. U rikthye në punë me vendim gjykate, por detyrimi financiar mbetet ende i pashlyer plotësisht.
  3. B.: Larguar në vitin 2018. Përfitoi 18 paga dëmshpërblim, të cilat janë paguar.
  4. Th.: Larguar në vitin 2021. U dëmshpërblye me 12 muaj page, sipas vendimit gjyqësor.
  5. Sh.: Larguar në vitin 2022. Ka fituar dëmshpërblim për 14 paga e 5 ditë, por çështja ndodhet ende në Apel dhe nuk është ekzekutuar. /ekofin.al

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :
Më keq se Vuçiçi’/ Berisha: Rama vuri sanksione ndaj Kosovës, çfarë duhet të bëjë tjetër të quhet kryetradhtar Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Foltoren në qytetin e Dibrës ka krahasuar qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj Kosovës si “më të rëndë se ai i presidentit serb Aleksandar Vuçiç”. Berisha tha se qeveria shqiptare ka mbajtur qëndrime që dëmtojnë interesin e Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon, duke përmendur takime dhe iniciativa rajonale që kanë synuar rishikimin e kufijve të Kosovës. Ai akuzoi Ramën për qëndrime politike në samite rajonale dhe për përdorim simbolikash, të cilat kanë përçuar mesazhe të gabuara për statusin e Kosovës. Berisha tha gjithashtu se Shqipëria ka mbajtur qëndrime të paprecedenta ndaj Kosovës, duke përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve, të cilat i cilësoi si të dëmshme për marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas tij, veprime të tilla nuk kanë ndodhur më parë nga asnjë qeveri shqiptare dhe përbëjnë, siç u shpreh, devijim nga interesat kombëtare. Deklarata e plotë: Dibrane dhe dibranë, shqiptare dhe shqiptarë, mendoni pak. Mendoni pak çfarë i bëri Kosovës. Më tepër se Vuçiçi. Absolutisht më keq. Ja të ndalemi. Erdhi në pushtet, drejt e në Beograd. Nuk ishte me katër sy. Ishte me gjashtë sy, aty ishte dhe Batoni, ish-agjenti personal i Stankoviçit. Çfarë ra dakord aty? Çfarë u bë? Doli që Kosova duhet të dorëzojë territore. Doli që duhet të ndryshojnë kufijtë e Kosovës. Paçka se Kosova kishte fituar gjyqin ndërkombëtar. Paçka se në gjykatë ndërkombëtare nuk kishte paditur Kosova, kishte paditur Serbia, Kosovën. Dhe Kosova kishte, dhe Serbia kishte humbur gjyqin. Dhe gjykata i kishte njohur kufijtë ekzistues si kufi ndërkombëtar të Kosovës. Gjykata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Po ato nuk i njihte Vuçiçi. Dhe tani duhet t’i vinte në diskutim edhe argati i tij. Dështoi me këtë. Shkoi në Novi Sad. Mos harroni kurrë atë hartë të vendosur në katedrën ku po flisnin, e cila tregonte Kosovën pjesë të Serbisë. Në qoftë se simbolet flasin, ai ishte simboli më i urryer ndaj shqiptarëve. Edi Rama fliste aty duke patur përpara një hartë në të cilën Kosova ishte shkrirë, s’ekzistonte më. Dhe këtë hartë e postoi në Facebook-un e tij. Cili ishte kuptimi? Kosova duhej të ndahej. Projekti i parë që thoshin, ja po ti kalojmë ca fshatra të të, aty Preshevës vijnë këtej, këto shkojnë andej e këto me radhë, absolutisht s’ishte asgjë tjetër, vetëm Serbia gjer tek Patrikana në Pejë, i merrte të gjitha ato territore. Ky projekt ishte i Slobodan Millosheviçit dhe e ka sjellë në zyrën time nëpërmjet ndërmjetësve nga Greqia dhe Turqia disa herë. Por natyrisht s’më shkonte mendja kurrë të pranohej. Dështoi dhe me këtë. Vuri sanksione, i pari në Evropë që vuri sanksione ndaj Kosovës. A mund të ndodhë kjo mor miq? Po çfarë duhet të bëjë tjetër më shumë të quhet kryetradhtar? Si moj i vure sanksione? Çfarë të bëri Kosova ty që i vure sanksione? Përveç respektit. Ju e dini çfarë respekti dhe adhurimi kanë për Shqipërinë. Paditi kryeministrin e Kosovës në gjyq, s’ka ndodhur kurrë. Një kryeministër të padisë kryeministrin tjetër. Ky po, e paditi. E paditi sepse natyrisht nuk mund të pranonte kurrë aktet e tij të copëtimit të Kosovës. Do hartonte ky, Paniç i ri, statutin e Asociacionit të komunave serbe si një shtrirje të shtetit serb në Kosovë. Po si mundet? Si mundet një shqiptar? Po se mori përsipër këtë as kryeministri i Maqedonisë, as i Bullgarisë, as i Rumanisë, asnjë! Si mundet ti të jetë një argat i verbër i Vuçiçit? Dhe Veriu i Kosovës tokë e askujt. Ta marrin në dorë KFOR-i. Do kthehet në kohën e bronzit. Se sipas tij Putini do hidhte armë bërthamore në Kosovë.