Vazhdon “beteja” në rrjetet sociale midis liderit të PD-së, Lulzim Basha dhe kryeministrit Rama. JO-ja e BE-së, për mos-hapjen e negociatave shkaktoi një sërë reagimesh dhe kritika të pafundme nga politikanë dhe jo vetëm. Më i fundit është reagimi i kryedemokratit Basha i cili sërish ” shigjeton” kryeministrin, këtë herë duke cituar prestigjozen “Der Spiegel”. Basha shkruan se Europa nuk refuzoi Shqipërinë, por refuzoi Ramën, sepse ai është një autokrat që rri në pushtet me ndihmën e krimit. Sipas Bashës është koha ta refuzojnë dhe shqiptarët.
“Të gjithë shqiptarët e dinë të vërtetën që revista më e madhe e Europës, Der Spiegel e shkruan të zezë mbi të bardhë: Europa nuk refuzoi Shqipërinë, por refuzoi Ramën, sepse ai është një autokrat që rri në pushtet me ndihmën e krimit.
Shqipëria e meriton hapjen e negociatave. Shqiptarët meritojnë më të mirën. Një njeri e pengon këtë rrugë. Europa e refuzoi, tani është koha ta refuzojnë shqiptarët”, shkruan Basha.




