Atentat në zonën e Unazës së Re/ Dy persona me motor qëllojnë me armë zjarri 40-vjeçarin. Arrestohet njëri nga autorët

Sonila Mesareja

Policia: I arrestuari nga qyteti i Shkodrës, dyshohet si një nga autorët. Po punohet për kapjen e të dytit. Po hetojmë konfliktet e objektivit tw atentatit

atentat me arme zjarriNjë 40-vjeçar ka mbetur viktimë e një atentati mbrëmjen e djeshme në periferi në Tiranës, ndërsa brenda një kohe të shkurtër është vënë në pranga një nga dy autorët e dyshuar për këtë ngjarje. Dy persona të maskuar dhe të armatosur, kanë qëlluar në ambjentet e një lokali 40-vjeçarin Krenar Hasanaliaj, duke e plagosur rëndë atë. Më pas mësohet se ata janë larguar me shpejtësi me motorrin me të cilin po lëviznin kur kryen atentatin në drejtim të Mzezit, ndërsa i plagosuri u transportua me urgjencë për t’iu dhënë ndihma e parë në spitalin e Traumës në kryeqytet. Nga burime spitalore mësohet se 40-vjeçari ka mbërritur në gjendje mjaft të rëndë për shkak të plagëve të marra dhe humbjes së gjakut duke kaluar në vdekje klinike, ndërsa policia nisi menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Sipas policisë, dy autorët, një prej të cilëve i vënë në pranga pak kohë pas atentatit, kanë qëlluar 4 herë në drejtim të Hasanaliaj. Nga ana e uniformave blu po hetohen konflikte të mundshme të 40-vjeçarit për të arritur në emra e autorëve të krimit.

Ngjarja

Rreth orës 19:00 të mbrëmjes së djeshme, dy të rinj të maskuar dhe të armatosur, ndërsa lëviznin me një motor tip “Scooter” kanë qëlluar me armë zjarri në ambjentet e një lokali në zonën e Unazës së Re shtetasin Krenar Hasanaliaj. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije, se i plagosuri është qëlluar katër herë nga dy personat e maskuar, të cilët janë larguar menjëherë pas ngjarjes me një motor në drejtim të Mzezit. Sipas burimeve policore, 40-vjeçari i plagosur është dërguar me urgjencë në drejtim të spitalit për marrjen e ndihmës mjekësore. Por, referuar të njëjtave burime, pavarësisht ndërhyrjes së bluzave të bardha, Hasanaliaj ka kaluar vetëm pak minuta më pas në vdekje klinike për shkak të plagëve të marra dhe humbjes së një sasie të madhe gjaku. Policia është vënë menjëherë në lëvizje për kapjen e autorëve. Mësohet se nga blutë janë ngritur 8 postoblloqe, për të bërë të mundur ndalimin e tyre. Ndërkaq kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Arrestimi

Policia ka arritur të vërë në pranga një nga dy autorët e dyshuar për vrasjen e Hasanaliaj. Mësohet se njëri nga dy personat që qëlluan në drejtim të 40-vjeçarit është një i ri, ndërsa po punohet për kapjen e autorit të dytë. Personi i arrestuar mësohet se është nga Shkodra ndërsa nuk dihet ende identiteti i tij. Ndërkohë vijon puna e policisë për arrestimin edhe të atentatorit tjetër, që mësohet se është larguar në drejtim të Domjes. Ngritja e postblloqeve në disa akse rrugore, shoqerimi i 12 personave që ishin të pranishëm apo panë skenën e krimit, duket se dha frutet në identifikimin e autorëve të dyshuar. Mësohet se autorët pasi kanë qëlluar me armë janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mzezit, falë motorit tip Scooter, në ngjyrë të zezë, me të cilin udhëtonin. Nga të dhënat e dëshmitarëve të ulur në lokalin bar-kafe ku ndodhi ngjarja, autorët mbanin maska dhe nuk janë mundur të identifikohen nga pamja, por janë dhënë detaje të rëndësishme të veshjeve të tyre. Nga të dhënat fillestare dihet vetëm që, njëri mbante veshur një xhup në ngjyrë kafe dhe kapuç, ndërsa tjetri xhup të bardhë dhe kapuç.

Share it :