Asosacioni i Gazetarëve paralajmëron padi në Gjykatën Kushtetuese për mbylljen e Tik Tok

Asosacioni i Gazetarëve paralajmëron padi në Gjykatën Kushtetuese për mbylljen e Tik Tok

Drejtuesi i Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë (AGSH), Isa Myzyraj i tha BIRN se vendimi i qeverisë shqiptare për bllokimin e platformës së mediave sociale Tik Tok, cenonte lirinë e shprehjes dhe bie ndesh me Kushtetutën.

“Ne e konsiderojmë këtë veprim të rrezikshëm për lirinë e shprehjes dhe kemi nisur tashmë punën për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese”, tha Myzyraj. “Çdo veprim që cenon lirinë e shprehjes do të sfidohet nga ne në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, shtoi ai.

Me kërkesë të Autoritetit të Komunikimeve Postare Elektronike (AKEP), kompanitë që ofrojnë shërbimeve interneti në vend, pritet të bllokojnë të enjten qasjen ne aplikacionin e Tik Tok në Shqipëri.

Ky bllokim ndjek vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 6 mars, 2025, për mbylljen e platformës për shkak të efektit të pretenduar negativ mbi shëndetin psiko-emocional të fëmijëve.

TikTok është një platformë e mediave sociale e fokusuar te videot e shkurtra. Ajo u krijua nga kompania kineze ByteDance dhe lejon përdoruesit të krijojnë, montojnë dhe ndajnë video të shkurtra me efekte speciale, muzikë dhe filtra të ndryshëm.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në një postim në rrjetin social ‘X’ që vendimi për mbylljen e platformës Tik Tok është marrë nga qeveria pas konsultimeve të gjëra me prindër dhe mësues.

“Ky është një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues, dhe e dyta është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike”, shkruan Rama.

Shifrat e ofruara nga kryesministri nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, pasi takimet e tij nuk janë mbajtur në prani të medias. Megjithatë, organizatat për mbrojtjen e lirisë së shprehjes në vend dhe ato ndërkombëtare janë shprehur kritike ndaj vendimit të qeverisë.

Blerjana Bino, drejtuese ekzekutive e qendrës SCiDEV i tha BIRN se ky është një precedent që cënon të drejtat themelore të njeriut.

“Ne na shqetëson precedenti që krijohet me mbylljen totale të Tik Tok, pra një precedent i “internet shutdown” duke cenuar kështu të drejtat themelore të qytetarëve siç është liria e shprehjes”, u shpreh Bino.

“Nën justifikimin e sigurisë për fëmijët qeveria me të njëjtën mënyrë mund të mbyllë nesër platforma të tjera, media apo internetin vetë, sepse shkaktojnë ‘dëm’”, shtoi ajo.

Drejtuesja e SCiDEV shtoi më tej se marrja e një dakordësie nga prindërit në kushte emocionale të ngarkuar nga një tragjedi, nuk është proces i rregullt i konsultimit dhe nuk mund të shërbejë si justifikim për mbylljen totale të platformës.

“Nuk ka asnjë raport publik të këtij konsultimi të pretenduar veç daljeve mediatike të Kryeministrit dhe Ministres përkatëse në shkolla”, tha Bino, teksa theksoi se të gjithë janë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve, por ka masa proporcionale të tjera që mund të merren.

“Shqipëria ndodhet dy muaj përpara zgjedhjeve parlamentare dhe mbyllja e një platforme që është shndërruar në një medium të rëndësishëm për zërat e rinj në politikë dhe jo vetëm, ngre shqetësime të tjera për qëllimin pas saj”, theksoi Bino.

Edhe kreu i AGSH-së Isa Myzyraj tha se ky vendim është praktikisht një precedent për akte të tjera të censurës në një vend me një qeveri autokratike.

“Kjo tregon qartë se institucionet tona janë autokrate dhe nuk reflektojnë pavarësisht se dhjetra organizata vendase dhe ndërkombëtare kanë shprehur shqetësimin për mbylljen e Tik Tok”, tha ai.

“Jemi të shokuar që qeveria nuk ka bërë asnjë reflektim dhe asnjë hap pas në lidhje me këtë situatë”, përfundoi Myzyraj./BIRN

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.