Artistët me 120 firma te Presidenti kundër Kumbaros  

artistet-nishaniNjë grup artistësh nga Teatri i Operas dhe Baletit dje kanë zënë dyert e Presidencës. Arsyeja ka qenë reagimi i tyre i ditëve të fundit pas dërgesës nga Ministria e Kulturës së një drafti mbi reformimin e TKOBAP, duke detajuar mënyrën e marrëdhënies së punës së artistëve me institucionin. Pra, kontrata që vinte nga Mirela Kumbaro, duke “urdhëruar” drejtorin e Operas, Ilir Kernin, parashikon nënshkrimin e kontratave të punës me artistët.

Përfaqësia e artistëve, përbërë prej shtatë vetash, i kanë shprehur kreut të shtetit, Bujar Nishanit, shqetësimin për reformën e nisur në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe konkretisht në kundërshtinë e tyre ndaj kontratës individuale.

Argumenti i artistëve vazhdon të këmbëngulë te shkelja që i bëhet kontratës kolektive të parashikuar në nenin 171 të Kodit të Punës, që sipas tyre në asnjë rast nuk i është referuar draftit të propozuar nga ministrja e Kulturës.

Pas këtij shqetësimi Nishani tha se dialogu dhe transparenca në proceset vendimmarrëse apo shmangia e presionit janë garanci për reformën.

Kjo do të thotë që artistët duhet të vazhdojnë në “revoltën” e tyre përderisa sipas tyre nuk është reflektuar mendimi mbi kontratat individuale. Për këtë arsye ata i kanë dorëzuar Presidentit edhe peticionin me 115 firma që hedhin poshtë propozimet e sjella nga Ministria e Kulturës, si dhe për marrëdhëniet e reja juridike mes artistëve dhe institucionit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Presidenti u garantoi mbështetje në kërkesat e tyre, duke u shprehur se zëri i tyre do të përcillej dhe nëpër institucionet ndërkombëtare. Është hera e tretë që artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit vihen përballë provës së grevës me Ministrinë e Kulturës, duke mos hequr dorë nga e drejta, sipas tyre, që po cenohet nga dikasteri më i lartë i kulturës përmes presionit dhe diktatit.

Ndërsa pak ditë më parë, një letër e gjatë u është dërguar nga Ministria e Kulturës me propozime në lidhje me reformën ne TKOBAP. Letër që i është drejtuar direkt drejtorit Ilir Kerni dhe një grupi përfaqësues të artistëve, duke vënë në dijeni dhe sindikatën e tyre.

Në këtë draft shënohej se ka mungesë të plotë të kontratave të vlefshme të punës dhe nuk është zbatuar ligji mbi artin dhe kulturën, që e detyronte, sipas Ministrisë, institucionin e artit të lidhë kontrata individuale mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, po ashtu dhe arbitraritet në kategorizimin profesional të tyre. Sipas Ministrisë, është verifikuar dhe moszbatim të parashikimeve të kontratës kolektive, e cila presupozon ekzistencën e kontratës individuale, si garanci e marrëdhënieve personale të punës mes punëmarrësit e punëdhënësit.

Nisur nga kjo premisë me arsyen se ka edhe keqinformim sa i takon reformës Ministria e Kulturës ka hedhur propozimet duke thënë se i është kërkuar mendimi komunitetit të artistëve, përmes ngritjes së një grupi pune dhe negociatave me përfaqësues të Sindikatës dhe sektorëve të trupës artistike. Prej këtej buron edhe hartimi i skemës së propozuar të punësimit. Kjo do të thotë se punësimi i artistëve në TKOBAP do të kryhet nëpërmjet sistemit të audicioneve dhe konkurseve publike, të cilat parashikohen qartësisht në rregulloren e brendshme. Forma e kontratës fillestare: 3 muaj provë

Kohëzgjatja e kontratës: Në varësi të rolit dhe pozicionit për të cilin konkurrohet; Rregullimin e marrëdhënies së punës nëpërmjet sistemit të kontratave individuale; kontratë pune me afat nga 2-4 vjet, e rinovueshme sipas kategorive. Në detaje ky draft nuk është pranuar sërish nga artistët duke ndërmarrë hapin institucional, tek më i larti shtetëror, duke trokitur në Presidencë.

 

 Yllka Mujo në “trishtimin e vjetër” të O’Neill

Teatri Kombëtar i kthehet repertorit. Më 31 maj vihet në skenë premiera “Udhëtimi i gjatë drejt natës” dramë nga nobelisti amerikan dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave Eugene O’Neill. Me regji të Spiro Dunit kjo vepër “rikthen” në teatër aktoren Yllka Mujo në profilin e saj natyror, një vepër e cilësuar si “dramë e një trishtimi të vjetër, e shkruar me lot dhe gjak”. Drama e O’Neill fokusohet në një familje jofunksionale, e cila paraqitet të përballet dhe merret me emocionet ambivalente pasojë e problemeve serioze familjare, duke përfshirë: varësia nga droga, degradim moral, frikë dhe faj i rrënjosur thellë dhe sëmundje që rrezikon jetën. Familja Tyrone është e copëtuar dhe secili pjesëtar largohet, izolohet disi nga pjesa tjetër. Ftohja më e dukshme është mes Tyrone dhe Jamie-t, të cilët që të dy e lejojnë hidhërimin të mbizotërojë mbi çfarëdolloj dashurie dhe respekti që e ka mbetur për njëri-tjetrin. Jamie e bën babain dorështrënguar përgjegjës për drogimin e Mery me morfinë, ndërsa Tyrone nuk mund të falë atë çka sheh tek shkatërrimi i të birit që po e çon në greminë. Të dy nuk e përmbajnë veten me njëri-tjetrin, përpiqen thjesht ta shmangin njëri-tjetrin, veçanërisht kur pija ua ka zhveshur maskën e qytetarisë. Më delikat është distancimi ambivalent që Jemie ndien për Edmundin. Ai rrëfen se një pjesë e tij e urren Edmundin, nga xhelozia dhe një asoclim i palogjikshëm, që lidhet me gjendjen dëshpëruese të mamasë pasi Edmundi mundi të mbijetonte. Më e distancuar dhe e veçuar nga të gjithë është Mary. Në luftën e saj me drogën është dëshpërimisht e vetme, në pjesën më të madhe të kohës përtej simpatisë apo mirëkuptimit të të tjerëve. Ajo flet gjatë për izolimin e saj, duke ia vënë fajin Tyrone për mënyrën e jetesës që u ka imponuar, duke u endur si aktor që është. Nën ndikimin e drogës ajo arratiset në të kaluarën e saj të idealizuar, si e prerë me thikë nga dhimbja e jetës së saj reale.

 

Share it :