Andi Bushati: Ç’fshihet pas armiqve që shpall Edi Rama

  • Andi Bushati: Ç’fshihet pas armiqve që shpall Edi Rama

Pse duhet lexuar një libër i dy teoricienëve të demokracisë në Harvard që tregon shumë për atë qe po ndosh në Shqipëri

Në të njëjtën kohë që pothuajse të gjitha TV-të e lajmeve po transmetonin këtë të shtunë loghorenë anti opozitare të Edi Ramës, përpara socialisteve të Lushnjës, ish ministri i tij i jashtëm, Ditmir Bushati, publikoi në You Tube episodin e fundit të podcastit të vet, Public Square, ku po bashkëbisedonte me një prej teoricienëve bashkëkohorë të demokracisë, Daniel Ziblatt.

Në pamje të parë asgjë nuk do të mund ti lidhte bashkë këto dy ngjarje, që gjografikisht i ndan në mes oqeani Atlantik, që praktikisht u flasin audiencave të ndryshme: njëri që u drejtohet militantëve të tij myzeqarë dhe tjetri, profesor në Harvard, që shqetësohet për metodat që përdorin liderët autoritaristë për të vrarë ato sisteme që i kanë sjellë në pushtet përmes votës.

Por, po ti i ndiqje nga ekrani, njëri pas tjetrit, nuk mund të mos vije re një fije të nëndheshme që i bënte bashkë. Edi Rama shfaqej duke i etiketuar kundërshtarët dhe kritikët e vet si qenër që lehin në koridoret e BE kundër qeverisë së tij. Duke e barabitur veten me Shqipërinë ai i etiketonte ata si armiq të saj dhe i paralajmëronte se nuk do të mundnin kurrë ti’a merrnin pushtetin duke sharë në Bruksel dhe duke dhënë intervista në TV e huaja.

Nga ana tjetër në median alternative, profesori dhe autori i librave Ziblatt, skiconte identikitin e një udhëheqësi, që ka potencialin për të qenë varmihës i demokracisë. Sipas tij, përpjekja për të mos legjitimuar opozitarët dhe kritikët, për ti përjetuar ata si armiq, për të përdorur ndaj tyre çdo mjet që bën të pamundur rotacionin e pushtetit janë simptoma të dukshme të kësaj sëmundjeje të rëndë. E këtu lidhja mes dy ngjarjeve fillon e bëhet e prekshme. Por, për cilindo që yshtet nga kureshtja për tu thelluar më shumë, Daniel Ziblatt, së bashku me kolegun e tij, Steven Levitsky ka shkruar para disa vitesh, një libër të mrekullueshëm, të botuar tashmë edhe në shqip nga shtëpia botuese Pema, të titulluar “Si vdesin Demokracitë”.

Aty, në mes të tjerave tregohet se diktatorët e rinj, nuk i ngjajnë atyre të shekullit të shkuar, të cilët përdorinin vrasjen apo burgimin për të sunduar. Ata tregojnë se metodat e instalimit në pushtet janë sofistikuar. Pa përmendur enkas Shqipërinë, në këtë libër të shkruar gjatë presidencës së parë të Trumpit, ata na japin të gjitha levat dhe instrumentat për të kuptuar se ç‘ndodh sot tek ne. Ata marrin shembujt e Fuxhimorit në Peru, të Orbanit në Hungari, të Putinit e Erdoganit e kështu me radhë.

Një nga dukuritë më të prekshme sipas tyre është blerja me para ose joshja me poste e kundërshtarëve politikë, siç ndodhi në Peru, kur duhet të shtyhej përtej afateve të ligjshme kohëzgjatja në pushtet e presidentit. Më pas vjen rekrutimi i mediave të mëdha, shndërrimi i tyre në bori të regjimit përmes dhurimit të aksesit në paranë publike. Ata të rrallë që nuk e pranojnë këtë rrugë kanë aftin e keq, që Putini i dhuroi Boris Berezovskit apo Erdogani konglomeratit mediatik Dogan Yain, që kishte në kontroll edhe gazetën Hurriyat. Një hap tjetër është tubimi i oligarkëve rreth vetes duke perdorur, sipas nevojës, herë joshjen dhe herë friksimin. Kështu në vitin 2003 diktatori i Kremlinit urdhëroi burgosjen e Kohdorovskit, padronit të Yukos, pasuria e te cilit shkonte deri në 15 miliardë USD. “Mesazhi për oligarkët e tjerë ishte i qartë: bëni para por qëndroni larg politikës”, shkruajnë autorët.

Ata vizatojnë edhe tipare të tjera të vrasësve të demokracisë, që fillojnë me korruptimin e personazheve VIP të shoubizit apo ndërkombëtarëve, që vazhdojnë me asgjesimin e arbitrave, pra drejtësisë së pavarur duke fshirë me fshesë sistemin e vjetër ekzistues para ardhjes se tyre ne pushtet e duke shkuar edhe me tej me ndryshimin e njëanshëm të rregullave të lojës, duke i qepur ato si kostume me porosi për trupin e autokratit.

Pasi rendisin të gjitha këto fenomene Levitsky dhe Ziblatt arrijnë në konkluzionin: “Duke dobësuar arbitrat, blerë a cfilitur kundërshtarët dhe rishikuar rregullat e lojës udhëheqësit e zgjedhur janë në gjendje të krijojnë përparësi vendimtare dhe të përhershme ndaj rivalëve të tyre. Por duke qenë se këto masa janë të ngadalshme dhe ruajnë vellon e ligjshmërisë, devijimi drejt autoritarizmit jo gjithmonë shoqërohet me rënien e këmbanave të alarmit. Qytetarët në përgjithësi e kanë të vështirë të kuptojnë se demokracia po çmontohet ndonëse kjo ndodh përpara syve të tyre”( faqe 110 e botimit shqip).

Majfton të lexosh këtë konluzion edhe po su thellove në tërë faqet e “Si vdesin demokracitë” për të kuptuar se sa shterpë është debati i herë pas hershëm që ndizet në këtë provincën tonë. Mjafton ti drejtosh te këta autorë ata që vijojnë të mbrojnnë tezën se ne jetojmë ne demokraci, pasi këtu Edi Ramën ka të drejtë ta shajë çdo kush, se këtu nuk ka diktator që burgos rivalët, se këtu pushteti katërmandatësh zgjat vetëm si pasojë e opoziatëve të pa aftë e të korruptuar.

Në fakt, fabula është krejt e ndryshme: në Shqipëri ne vijojmë të ruajmë vetëm për fasadë kufomën e demokracisë, ndërkohë që janë çjetëzuar të gjitha organet vitale të saj. Pikërisht një nga simptomat e pamë edhe sot në mbledhjen e asamblesë në Lushnje me trajtimin e opozitarëve që qen që lehin për të nxirë Shqipërinë. Po të dëgjosh intervistën e Daniel Ziblatt në Public Square, ky është një ndërmjet shumë tipareve të një autokrati.

©Lapsi.al

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.