“Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet, jo kriminelë. SHBA do të vazhdojë t’u kërkojë të gjitha partive që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike”
Gëzim Saliu
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë reagoi dje lidhur me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili nënvizonte praninë e një deputeti të dënuar për trafikimin e qenieve njerëzore. Sipas Ambasadës së SHBA-së, evidentimi i një ligjvënësi të Parlamentit shqiptar me të shkuar që lidhet me trafikimin e qenieve njerëzore përbën një turp për Shqipërinë. “Ambasada vlerëson si të turpshme, faktin që ka një anëtar të Parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve”, – theksohej në njoftimin e Ambasadës. Më tej në reagimin e saj, selia diplomatike më e rëndësishme në vend theksoi se do të vazhdojë përpjekjet e saj për të qenë aktive në raport me partitë në Shqipëri për pastrimin e skenës politike dhe publike. “Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarde të larta etike, jo kriminelë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike, që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë”.
Reagimi
Nga ana tjetër, Ambasada e SHBA-së thekson se raporti i DASH vlerëson se qeveria e Shqipërisë bëri përparim të mirë dhe vazhdon të bëjë përpjekje domethënëse për të përmbushur standardet minimale për eliminimin e trafikut. “Ne nxisim qeverinë shqiptare t’i vazhdojë ato përpjekje, për të luftuar të gjitha format e trafikimit të njerëzve, nëpërmjet zbatimit të fortë të ligjit dhe mbrojtjes efikase të viktimave, si dhe me politika për parandalimin e trafikimit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të mbështetur përpjekjet e vazhduara kundër trafikimit të njerëzve”, – thuhej në njoftim. Dy ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin vjetor për trafikimin e qenieve njerëzore, ku Shqipëria shihet si vend burimi dhe destinacioni për trafikimin e burrave, grave dhe fëmijëve. Në raportin e tij, DASH theksoi se qeveria shqiptare nuk vepron në lidhje me standardet minimale për eliminimin e trafikimit, “megjithëse po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë”. Ndërkohë, në raport, si asnjëherë më parë, përmendej edhe një deputet i Parlamentit shqiptar, pa iu specifikuar emri, i cili, sipas DASH, ka pasur dënime të mëparshme për krime të lidhura me trafikimin e qenieve njerëzore. Ky evidentim i Departamentit Amerikan të Shtetit vjen pas përplasjes së fortë të palëve politike në vend lidhur me dekriminalizimin, ku opozita nga ana e saj ka akuzuar mazhorancën qeverisëse se ka futur në Parlament ligjvënës të inkriminuar. Lidhur me këtë çështje qëndrimi i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë ka qenë i prerë, duke theksuar se të inkriminuarit duhet të largohen sa më parë nga Parlamenti. Po ashtu, edhe për zgjedhjet vendore ambasadori Lu bëri thirrje që qytetarët shqiptarë të mos votonin kandidatët që kishin të shkuar kriminale. Nga ana e saj, opozita pretendoi se të paktën dy prej kandidatëve të mazhorancës, të cilët edhe u shpallën fitues në zgjedhjet vendore, ishin të inkriminuar.





