Altin Koruti/ Të kërcesh erotizmin pa qenë nudo

Intervistoi: V. Murati

Olta Gixhari në skenën e TeatritKulturë/ Balerini i parë i Teatrit të Operas dhe Baletit të Athinës, shqiptari që emigroi 18 vite më parë, në Tiranë

Altini ka mbi 20 vite që kërcen, duke zgjedhur Athinën si modelin e jetës së tij, së paku artistike. Ai është solist në Teatrin e Operas dhe Baletit në kryeqytetin grek. Ka ikur si gjithë të rinjtë shqiptarë, në emigrim, në kushte absurde pa ditur se çfarë do ta priste, por thjesht duke ndjerë ëndrrën në mes; kërcimin. Në këto vite të fundit, në performancën e baletit “Penetrimi i shpirtrave” mbështetur në poezinë e Rita Petros, me koreografi të Arjan Sukniqit, ardhja në Tiranë është rasti i tretë, sidomos pas rolit mbresëlënës në baletin “Zorba”.

Altin Koruti tani ka shkollën e tij të baletit në Athinë, ngulur atje bashkë me karrierën, por në plane, si prekje e finales duket se do të jetë sërish një rol i propozuar po nga Sukniqi, në projektin e baletit “Ali Pasha”, që mendohet të vihet në skenë vitin që vjen. Në intervistën e mëposhtme, marrim pak atmosferë të vitit `97, kur i ri, Koruti u përball me dilemën e të mbijetuarit dhe fatin e papritur të balerinit në Teatrin e Athinës.

 

Keni ndërtuar karrierën në Teatrin e Athinës, sa vite ju deshën?

Po, u bënë pothuaj 18 vite që jetoj në Athinë dhe ku jam solist i parë në Teatrin e Operas dhe Baletit atje. Isha nga të parët shqiptarë që jam paraqitur në audicion ku merrnin pjesë më shumë se 100 djem, duke u përzgjedhur mes tyre.

 

Ju keni mbaruar Liceun në Tiranë?

Po, kam mbaruar në Tiranë dhe në atë vit menjëherë hyra si solist në Teatrin e Operas dhe Baletit. Por nuk isha i bindur si gjithë të rinjtë, kur më vonë ishte nisja ime për të kërkuar diçka më të mirë për karrierën time.

 

Si ishte gjithë kjo pjesë e rrugës për të shkuar në Greqi?

Ajo ishte si aventurë. Në moshën 19 vjeç mora një rrugë që nuk e dija se si do shkonte. Mendimi i atëhershëm ishte se do shkonim direkt, do gjenim punë menjëherë. Por fillimi ishte i vështirë, shumë i vështirë. Dy vite të para ishin të vështira sa të hyje në rrethin e kërcimtarëve.

 

E kishe synim se do të merreshe vetëm me balet?

Po, po, ashtu ishte mendimi së pari, që do të shkoja dhe do të gjeja direkt balet. Por ishte komplet ndryshe.

 

Dhe situata e parë, e përballjes?

Një asgjë, nga fillimi. Ngaqë isha nga të parët që ika, nuk dija ku ishin institucionet për baletin. M’u desh në fillim të merresha me punë të tjera për t’u mbajtur, për të fituar para. Por ishte fati im, mbaj mend kur po kaloja para teatrit Akropoli në qendër të Athinës pashë disa fëmijë, ishte një shfaqje shkolle. U tërhoqa dhe mora guximin të hyja brenda për të parë se çfarë ishte. Nuk kisha letra, leje qëndrimi. Dhe imagjinoni kisha gati një vit pa kërcyer, pasi nga Teatri i Tiranës ika direkt në Greqi dhe duhet të mbijetoja. U mallëngjeva aq shumë sa tërhoqa vëmendjen e koreografit, të cilin e njoha më vonë. Ai më pikasi në këtë gjendje, m’u afrua dhe më pyeti, duke menduar se mos kisha ndonjë të afërm aty.

I tregova se isha kërcimtar, historinë time, duke vendosur të më merrte menjëherë në Teatrin e Operas. Më vonë hyra në audicion dhe kështu nisi karriera ime në Greqi.

 

Cilat ishin sfidat artistike që të dolën, pas kësaj njohje, fati a rastësie që kaluat?

Më dolën shumë sfida artistike. Me hyrjen time atje bëra shumë role. Më besuan shumë role, Don Kishoti, Zorba, Zhizel etj. Sërish në rastësi roli i fundit që bëra në Tiranë, në baletin e Don Kishotit qëlloi, për fat, të ishte roli im i parë me të cilën nisa karrierën në Athinë. Më dukej sikur nuk ndalova, sikur të ishte vazhdimi.

 

Si ishin vlerësimet e para?

Ishte një kënaqësi e madhe, ngaqë publiku dhe koreografi nuk dinin se Shqipëria, një vend i vogël, mund të kishte kërcimtarë të mirë. Ata nuk dinin se ne kemi një shkollë, me traditë nga shkolla ruse. Ky ishte avantazh për mua. Pra, në fillim më shkoi mjaft mirë. Atyre iu duk e çuditshme që Shqipëria nxjerr kështu kërcimtarësh. Por, mbas meje në vitet `97-`98 erdhën mjaft djem nga Shqipëria. Dhe tani jemi 12 kërcimtarë shqiptarë në Teatrin e Operas, shtuar edhe një vajzë, Altea, e cila ishte dhe në veprën e Arjan Sukniqit

 

Janë 20 vite investim, ke menduar ndonjëherë të ikësh nga Greqia, me diferencën e Perëndimit ku mjaft balerinë kanë marrë më tepër famë?

Në vitet e para, pas hyrjes sime në Teatrin e Operas, në `97-ën, shkova në Holandë në Teatrin Kombëtar të Baletit atje, ku kisha një propozim nga një koreograf. Por të them të vërtetën ndjehesha më mirë në Athinë, kështu nuk pranova, dhe u ktheva përsëri atje. Nuk e di, ndjehesha mirë nga klima, mjedisi, pothuaj e njëjta me Shqipërinë. Më pëlqente jeta në Athinë. Më pas kisha një mundësi edhe në Francë, por nuk isha i bindur sërish. Kështu karriera ime u lidh me Athinën, mbeta atje, u martova u bëra edhe me dy vajza. Më pas kam hapur dhe shkollën time të baletit, dhe tani sigurisht ndjehem i ngulur në Athinë.

 

Dhe një ftesë, propozim për koreografinë e Sukniqit për shfaqjen “Penetrim shpirtrash”?

Është dhera e tretë që marr ftesa nga Shqipëria dhe ndjej shumë kënaqësi në çdo rikthim. Hera e parë më 2010, me baletin “Zorba”, ishte një kënaqësi se kthehesha pas 12 vjetësh. Pas dy vitesh me “Ëndrra e një nate vere” po me koreografi të Sukniqit, dhe tani përsëri me veprën e tij, “Penetrim shpirtrash”.

 

Sa jeni ndeshur me poezinë e Rita Petros, mbi të cilën është ndërtuar dhe fabula e këtij baleti, sa jeni dakord me idenë e interpretimit si provokimit seksual? Si e keni përjetuar këtë pjesë?

E kam lexuar poezinë e Rita Petros disa herë, pasi kur u bë propozimi nga Sukniqi, erdhëm e pamë dhe lexuam poezitë, folëm dhe me autoren. Arjani ka bërë një punë mjaft të mirë, nuk ka kaluar cakun. Ne, nuk duhet të tregojmë anën banale të çiftit në një marrëdhënie seksualet, por anën erotike për të mos kaluar në vulgaritet. Unë besoj se çdo njeri që e ka parë ka menduar, e reflektuar mbi një aspekt të jetës së tij. Tre duetet që performuan përfshinin anë të ndryshme të kësaj marrëdhënie; një çift që dashurohet, krijon raporte me ndjenjën, në jetën e përditshme; një çift tjetër që jetojnë bashkë por janë të ftohtë, sikur nuk shohin me njëri tjetrin, nuk flasin, vetëm sa bashkëjetojnë; dhe një çift që jeton dashurinë si në ferr me patos, me shumë dashuri, të zjarrtë. Bukuria e kësaj performance është se, ne balerinët jemi aktorë pa fjalë, duhet të tregojmë me gjuhën e trupit gjithë ndjenjat.

 

Sociale dhe artistike është e vështirë të hyje në gjendje të tilla, për të prekur kultin estetik, çfarë është majë e lartë e artit, për ta konsideruar një marrëdhënie erotike, dashuri?

Është shumë e vështirë. Nuk është hera e parë që kërcejmë erotizëm. Në Athinë kemi bërë shumë balete të kësaj natyre, të këtij koncepti. Kemi bërë gjëra edhe më të avancuara, me lakuriqësi duke mos kaluar cakun, duke krijuar lojën me dritat dhe me hijen e skenografisë. Ndërsa këtu, jemi munduar të nxjerrim më të mirën, duke kuptuar dashurinë e çiftit në thelb, pasi publiku shqiptar nuk është i rrahur me këto shfaqje.

 

Duke u shoqëruar me një poezi, të llojit që thyen tabutë, ju si balerinë në perceptimin e nudos, mund të krijonte kjo paralele me fjalën?

Po, ka ngjashmëri, dhe krijon njëjtësi, pasi e rëndësishme në çdo koreografi është të jepet qartë mendimi. Në rastin konkret të “Penetrimi i shpirtrave”, momentet e dhënies së marrëdhënies seksuale, përmes kombinimit të kostumografisë dhe dritës krijuan pikërisht këtë sfond erotik, paralel me fjalën, sa u krijua vizivja sikur të jetë nudo. Kjo është pika e takimit mes fjalës dhe fizikes artistike.

 

Keni projekte në Athinë?

Ne jemi të angazhuar me projekte gjatë gjithë kohës. Ja, kur erdha në Shqipëri kishim Hirushen si projekt. Sapo mbarojmë këtu, në Shqipëri do të përgatitem për Karmenin që do të bëhet në Akropoli, në teatrin e hapur.

 

Keni ndonjë rol imagjinar që doni të arrini para se të mbyllni karrierën? Cilët janë karakteret që kanë lënë gjurmë te ju?

Ndër karakteret që mbetet në mua ishte roli i Zorbës. Në çdo shfaqje është kthyer shumë herë. Një rol mjaft interesant që më kanë tërhequr, e mbetur janë dhe Don Kishoti apo baleti Liqeni i Mjellmave. Ndërsa po pres me padurim çfarë do të ndodhë me baletin Ali Pasha, një projekt që ma ka propozuar qysh tani për ta vënë në skenë koreografi Arjan Sukniqi. Besoj se do të jetë kënaqësi e madhe për t’u rikthyer. E kam thënë se sa herë të më bëjnë ftesë nga Shqipëria do t’i përgjigjem.

 

 

Olta Gixhari, “seks” me çorape të grisur në skenën e Teatrit

Olta Gixhari shfaqet nga fundi i sallës së Teatrit, e veshur si “prostitutë”, por dhe provokative në marrëdhënien e saj me femrat, duke shkruar drejt skenës për të realizuar aktin final: marrëdhënien seksuale. Ndërsa poezia e Rita Petros që luan me aktorët, dritat, kostumet herë bëhet provokative, herë e ashpër, herë tronditëse për përballjen erotike në skenë të një gjuhë tabu, por duke mbyllur ciklin, ritualin erotik përmes koreografisë së Arjan Sukniqit. Një realizim skenim me pretendime erotike. Por që ruante cakun estetik përmes koreografisë, përkundër fjalës poetike. Në këtë atmosferë shfaqet aktorja e teatrit Olta Gixhari, në performancë reale baleti, alla moulin rouhge apo roskana. Asgjë të re në këtë performancë veç spektaklit të saj prej aktoreje, pasi është e njohur pjesa nga një spektakël televiziv. Vetëm diferenca ishte e dukshme, pak etike në veshjen e Gixharit. Ajo u ngjit në skenë, në momentet kulmore të baletit, elektrizuar nga erotizmi dhe shëmbëlltyra e marrëdhënies seksuale, – me çorape të grisur. Ajo pamje e prishte gjithë “luksin”e lartë të baletit, duke u shfaqur “Vrima” poetike e Rita Petros në vrimat konkrete të çorapeve të Olta Gixharit. Sigurisht asgjë me rëndësi, veçse shëmtisë etike në skenë, që presupozon kulmin e sqimës.

Share it :