Altin Dumani, si do të mbahet mend ndryshe!
Nga Flamur Vezaj
“Është më e vështirë t’i bësh njerëzit të besojnë të vërtetën, sesa t’i bindësh se janë mashtruar”- shkruante Mark Twain dikur! Sot kjo vështirësi është shtuar edhe më shumë, sepse jetojmë në një kohë kur rrjetet sociale kanë ndryshuar, ndër të tjera, edhe perceptimin për punën dhe realitetin, sidomos tek turmat. Dhe për t’i bindur turmat se ekziston edhe një anë tjetër e së vërtetës, nuk është e lehtë. Por, të paktën, disa gjëra duhen thënë për ata që duan të kuptojnë se nuk ka vetëm një anë të medaljes.
Sot do të përpiqem të rendis disa të vërteta të tjera, ato që shpesh nuk i gjejmë të renditura, edhe në media, për shkak të ndërhyrjeve apo fushatave propagandistike. Këto të vërteta kanë të bëjnë me kreun në ikje të SPAK-ut, Altin Dumanin, i cili, përveçse “heroi” imagjinar i fëmijëve të ish-ambasadores Yuri Kim, do të mbahet mend edhe për disa fakte më pak të lavdishme.
Prokurori Dumani do të mbahet mend si shkelës i Kushtetutës në të paktën dy raste: sekuestrimi i mjeteve të punës së gazetarit E. Qyno dhe sekuestrimi i telefonave të personave (dëshmitarë apo jo) pa vendim gjykate. Është prokurori i parë shqiptar dhe si drejtues i SPAK-ut ndaj të cilit Komiteti Ndërgjyqësor i OKB-së në Gjenevë ka dhënë dy vendime kundër (rasti Qyno). Ai do të mbahet mend si prokurori që sulmoi dhe shantazhoi gazetarët, duke ngritur akuza dhe vendosur masa sigurie që më vonë u rrëzuan nga gjykatat. Si dhe si prokurori që, bashkë me Klodian Brahon, vendosen në vëzhgim gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese (për herë të parë në historin e drejtësisë) pa vendim gjykate, edhe pse ishin palë në një proces.
Altin Dumani do të mbahet mend si drejtues që komunikonte vetëm me letra me drejtoreshën e BKH-së. Do të kujtohet edhe si prokurori, në procesin e të cilit shtatë të arrestuar pas tre vitesh në burg fituan pafajësi (nuk ka ndodh asnjëherë 7 pafajësi në një proces). Si prokurori që nxori urdhër-arrestet “burg pa afat”, por pas katër vitesh i hoqi ato dhe mbylli hetimet me pushim ndjekjeje penale (rasti Lul Berishës, Altin Ndocit e Talo Çelës). Si drejtuesi që nuk priti një qytetar nga Lezha për ta dëgjuar si ishte mashtruar e grabitur nga skema e mikro-kredive, i cili u vetëdogj në derën e SPAK-ut dhe gjeti vdekjen!
Altin Dumani do të mbahet mend edhe për marrëveshjen ekstraligjore me “ndërtuesin” Armand Lilo (me lidhje biznesi familjar), ku i ktheu pronat e sekuestruara në këmbim të pagesave bankare!! Do të kujtohet për dështimin spektakolar të “Task-Forcës” zgjedhore që nuk parandaloi asnjë krim elektoral, sidomos mazhorances! Dumani do të mbahet mend si shefi që me dhjetra herë ka hapur e anuluar tenderat e institucionit, derisa fitues të dilnin kompanitë “e duhura”.
Ai do të kujtohet edhe për faktin se në tre vite të drejtimit të tij në krye të SPAK-ut, nuk u kap asnjë kilogram kokainë apo heroinë nga hetimet e tij, të gjitha rastet janë proceduar kur informacionet vinin nga jashtë vendit. Do mbahet mend edhe si “shefi” që vendosi emrin e tij në çdo dosje të njohur për publicitet, por pa bërë asnjë hetim proaktiv personal.
Altin Dumani do të mbahet mend si prokuror hakmarrës, që pasi u përplas paradite për “çështje parimore” me Arben Krajën, pasdite e shkarkoi nga detyra e shefit të seksionit. Do të kujtohet si prokurori që shantazhoi kolegët prokuror/gjyqtarë me biseda të përgjuara në “Sky”. Si drejtues që nuk guxoi të prekte qarkun e Fierit e Vlorës, duke mos goditur asnjë grup kriminal në atë zonë! Do të mbahet mend si “kampioni botëror” që mori medalje nga Blinken, por që një muaj më pas vet Blinkeni, u shpall “non grata” nga administrata Trump për korrupsion, një ironi historike! Do të kujtohet si njeriu që ngriti kultin e individit në prokurori, me më shumë selfie e foto në takime zyrtare e konferenca, se vajzat e “Për’puthen”.
Mund të këtë edhe tjera që nuk i di, e ftoj kolegët e kronikës e jo vetëm të thonë të vërtetat siç janë, qofshin pozitive apo negative ndaj shefit në ikje Altin Dumani! E nderkohë, para se të largohet si drejtues, me gjithë arritjet dhe dështimet, mendoj se e meriton të mbjellë një pemë në oborrin e institucionit të SPAK-ut, që të kujtohet si “Pema e Dumanit”.




