Akuzat për kreun e qeverisë/ Berisha: Rama po e çon vendin drejt diktaturës

Jetmir Olldashi

berishaIsh-kryeministri sjell në vëmendjen e publikut vrasjen e komisar Dritan Lamajt dhe vrasjet e Kostandin Xhuvanit, duke i quajtur raste të shëmtuara të ndërhyrjes së politikës në drejtësi

Shkrirja e policisë bashkiake dhe kalimi nën juridiksionin e ministrisë së brendshme është veprim antiligjor dhe diktatorial – është shprehur ish-kryeministri Berisha në një komunikim të tijin me publikun. Lideri historik i së djathtës ka zgjedhur mënyrën e tij të preferuar për t’iu drejtuar publikut, duke akuzuar kreun e qeverisë se po e kthen vendin mbrapa në kohën e diktaturës. Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në “Facebook” Berisha tha: “Dje ne takimin e Edi Rames me te sap zgjedhurit e tij vendore, ai iu komunikoi atyre se ne perputhje me platformen e shtetit policor te tij “nje shtet nje polici”, do te shkrihet policia bashkiake dhe ata do te varen per cdo problem ne zbatimin e ligjit nga drejtori i policise se qarkut qe e emeron qeveria. Nje praktike e tille nuk ekziston ne asnje vend te lire, por vetem ne regjimet policore, pra diktaturat”. Zoti Berisha e ka quajtur një akt të rëndë dhe një atentat ndaj decentralizimit të pushtetit vendor. Sipas ish-shefit të qeverisë, në vendet e lira pushtetet janë të ndara. “Ky eshte nje akt tjeter i shemtuar ne rrugen e vendosjes se plote te shtetit policor. Cilido qe njeh diktaturat ose lexon manuale per shtetin policor, gjen se parimi themelor i tyre eshte “nje shtet nje polici”, me te cilen kreu i regjimit kontrollon te gjitha fushat e jetes se shoqerise. Keshtu, Edi Rama po ecen me vrap drejt shtetit te eterve te tij per te çuar para vendin ne Europe!” Ishte kreu i qeverisë i cili në një mbledhje gjysmëformale u komunikoi të zgjedhurve të rinj, por të pamandatuar të 21 qershorit se disa nga kompetencat e tyre këputeshin nëpërmjet sistemit “një shtet – një polici”. Kreu i qeverisë mblodhi kryebashkiakët e rinj të zgjedhur të së majtës dhe u komunikoi në vija të përgjithshme reformat që do të ndërmarrë qeveria deri në miratimin e një ligji për pushtetin vendor. Në takimin e Kryeministrit Rama morën pjesë dy të zgjedhur vendorë të djathtë, kryebashkiaku i Dropullit dhe i Përmetit Niko Shupuli. Ish-kryeministri Berisha ka shprehur mendimin e tij edhe për rastin e dënimit të 20-vjeçarit që masakroi dy turistët çek në Dukagjin. “Ne mediat konvencionale dhe ato sociale shprehet nje indinjate e thelle dhe mendoj une e ligjshme, mbi pergjysmimin nga 10 ne 5 vite nga Gjykata e Apelit te Shkodres, Mjacajt, vrasesit te turisteve çeke per pjesemarrjen e tij ne vitin 2010 ne vrasjen e nje djali 13-vjecar. Rast akoma me i shemtuar sesa ky eshte denimi pas nderhyrjeve politike vetem me 1 vit burg i Kostandinit te Partise pasi vrau ne Tirane nje bashkemoshatar te tij, i cili vitin e kaluar do te ekzekutonte ne pak minuta 4 vete”. Ligjvënësi demokrat gjithashtu ka sjellë në vëmendjen e publikut edhe arratisjen e Arben Frrokut i dënuar për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. “Por nje rast po kaq i rende dhe i shemtuar eshte percjellja qe i beri Edi Rama ne Kube Arben Frrokut, vrasesit te komisarit Dritan Lamaj, pasi permbushi misionin e blerjes se votave ne rrethin e Pukes dy dite para zhvillimit te seances gjyqesore dhe denimit ne mungese me burgim te perjetshem nga Gjykata e Apelit. Rama takoi dhe piu nje birre te ftohte ne turizmin e Pukes, si te thuash i dha lamtumiren Arben Frrokut qe te nesermen do te nisej me detyre ne Kube nga Partia”, – tha Berisha.

 

Shupuli: Pata mirëkuptimin e Bashës për takimin me Ramën

Kryebashkiaku i Përmetit, Niko Shupuli, pas pjesëmarrjes në takimin me Kryeministrin Rama ka qenë i pranishëm edhe me liderin e opozitës Lulzim Basha. Pas disa shkrimeve në media lidhur me këtë qëndrim ka qenë vetë zoti Shupuli, që në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” ka thënë: “Koherent me filozofine time qeverisese si dhe me deklarimet e premtimet e fushates, mora pjese ne takimin e Kryeministrit me kryetaret e porsazgjedhur te bashkive. Pjesemarrja ne takim per te shprehur vullnetin se jam i gatshem te vendosim urat e bashkepunimit institucional e njerezor ne dobi te Permetit e banoreve te tij”. Shupuli ishte një nga dy kryebashkiakët e opozitës të cilët iu përgjigjën pozitivisht telefonatës së Kryeministrit Rama. Në postimin e tij, qytetari numër një i Përmetit lë të kuptohet se ka pasur mbështetjen edhe të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. “Mirekuptim nga lidershipi i familjes time politike per prononcimin e dhene per pjesemarrjen ne takim. Do te vijoj te bashkepunoj pa komplekse me kedo qe ka mundesi per te ndihmuar ne zhvillimin e Permetit”. Duket se veprimi për të marrë pjesë në të dyja takimet, ka qenë i nxitur nga e mira e qytetarëve të Përmetit sipas kryebashkiakut të ri Niko Shupuli. Ndërkohë që drejtuesit e tjerë lokalë të zgjedhur nga opozita nuk kanë preferuar të marrin pjesë në këtë takim ku mungonte ftesa zyrtare axhenda dhe një sërë procedurash të tjera protokollare në kësi rastesh. Problemi kryesor që ngritën të zgjedhurit demokratë ishte fakti se ata nuk ishin mandatuar ende nga institucionet përkatëse. Problemet kryesore të shtruara nga të zgjedhurit demokratë ishin dhe miratimi i ligjit mbi pushtetin vendor dhe barazia që duhet të tregojë qeveria në shpërndarjen e investimeve publike. Reagim zyrtar ka qenë ai i Voltana Ademit, e cila në një deklaratë publike ka bërë me dije arsyet e mungesës në tryezën e kreut të qeverisë. “Menjëherë pas një telefonate e më pas dhe një email-i aspak zyrtar për të marrë pjesë në një takim me Kryeministrin, i kam kërkuar shefit të protokollit ftesë zyrtare, axhendën e takimit si dhe disa sqarime të rëndësishme procedurale dhe çështje të rëndësishme për diskutim, për të cilat nuk morëm përgjigje”. Sipas zonjës Ademi, mungesa e seriozitetit ishte shkak për të bojkotuar ftesën e Kryeministrit Rama. Takimi i organizuar nga Kryeministri Rama u bojkotua nga të zgjedhurit e djathtë, ndërsa u dëgjua me ëndje dhe qetësi prej të majtëve të pamandatuar ende nga institucionet përkatëse si kryebashkiakë.

Share it :