Akuzat ndaj Kryeministrit/ Dënohen me nga 200 mijë lekë Paloka dhe Ristani. Rama: Lajm i mirë. Basha: I papranueshëm

Dy demokratët shpallen fajtorë për shpifje, por të pafajshëm për akuzën e fyerjes. Paloka: Pati presion ndaj Gjykatës, por respektoj vendimin dhe paguaj gjobën

rama-ristani-palokaNga 200 mijë lekë të reja do të paguajnë për akuzat e bëra në janar të këtij viti ndaj Kryeministrit Edi Rama, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj force, Arben Ristani. Vendimet për të dënuar me gjobë Palokën dhe Ristanin u morën gjatë ditës së djeshme në dy seanca të veçanta në Gjykatën e Lartë. Sipas vendimeve të dy kolegjeve penale, Paloka dhe Ristani duhet të paguajnë secili nga 200 mijë lekë gjobë brenda një viti, ndarë në dy këste. Por nga ana tjetër, Gjykata e Lartë vendosi t’i shpallte të pafajshëm dy zyrtarët demokratë për akuzën e fyerjes. Pas vendimit, nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka, i cili ishte i pranishëm në seancën e fundit në ngarkim të tij, deklaroi se mbi Gjykatën është ushtruar presion dhe kërcënim për ta shpallur atë të fajshëm. Me gjithë rezervat, Paloka pohoi se do të paguajë gjobën. Pas seancës u prononcua për median dhe avokatja e Kryeministrit Edi Rama, që e cilësoi dënimin e dy deputetëve historik dhe që sjell një standard të ri në gjyqësor. Në lidhje me shpalljen të pafajshëm së deputetëve për akuzën e fyerjes, avokatja sqaroi se objekt i mbrojtjes ishte vetëm shpifja, qëllim i cili u arrit me dënimin e Ristanit dhe Palokës. Më herët, gjatë javës së kaluar organi i akuzës kishte kërkuar pafajësi për të dy deputetët e Partisë Demokratike.

 

Reagimi i Ramës dhe Bashës

Pas dënimit për shpifje që Gjykata e Lartë dha ndaj demokratëve Paloka dhe Ristani, ka reaguar edhe Kryeministri Rama, i cili theksoi se kjo betejë nuk mbaron me këto dy gjyqe pasi dënimet – sipas tij – nxjerrin në pah nevojën për kriminalizimin e shpifjes si mjet lufte politike. Përveç kësaj, Rama ka edhe dy arsye të tjera për të cilat tha se dy dënimet e dhëna nga Gjykata e Lartë përbëjnë një lajm të mirë. E para, sepse sipas Kryeministrit opinioni publik e mësoi nga një palë e tretë, pra Gjykata, që akuzat e opozitës ndaj tij për lidhje me krimin janë shpifje. Arsyeja tjetër, sipas tij, është se loja që e ka kthyer politikën një neveri në sytë e qytetarëve, nga sot nuk është më e pandëshkueshme. “Kush shpif duhet të llogarisë mirë përballjen me ligjin”, – deklaroi ai. Nga ana tjetër ndaj këtij vendimi nuk mungoi as reagimi i kryedemokratit Basha, i cili tha se ai u mor në kushtet e presionit nga Kryeministri. “Presioni i paprecedent, që ai i ka bërë sistemit të drejtësisë me qëllimin e vetëm për të mbuluar kontratën e tij me krimin, solli që sot drejtësia të japë një vendim të papranueshëm pasi kishte refuzuar më parë të merrte në shqyrtim prova, fakte dhe dëshmitarë që hedhin dritë mbi lidhjet e Edi Ramës me krimin. Vendimi i sotëm është i papranueshëm për opozitën që ka kërkuar dhe kërkon dekriminalizimin e politikës”, – u shpreh ai. Më tej, kreu i demokratëve theksoi se është fakt i njohur që Kryeministri është i lidhur me krimin. “Është fakt i njohur botërisht që ai përdori kontratën me krimin, si një instrument për të fituar pushtetin, si një instrument që po e përdor sot sërish për të mbajtur pushtetin. Asnjë alibi nuk e shpëlan Edi Ramën nga dosjet dhe lidhjet e tij me krimin, dosje të cilat partnerët tanë ndërkombëtarë ia kanë përplasur në tryezë. Është fakt i njohur botërisht që Edi Rama ka qenë dhe mbetet mbrojtësi më i flaktë i personave me rekorde të tmerrshme kriminale në parlament dhe në listën e tij të kandidatëve vendorë”, – tha Basha.

Share it :