Gëzim Saliu
Kreu i PD-së: Bashkia me demokratët do të ketë dy zyra, një në Kamëz dhe tjetra në Paskuqan
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bashkëbisedoi dje me banorë të Komunës së Paskuqanit, ku risia e këtij takimi ishin dy aktivistë të LSI-së e PS-së, të cilët siguruan mbështetjen e tyre për opozitën për garën lokale të 21 qershorit. “Jam Gjergj Balloca, anëtar i Këshillit të Bashkisë Kamëz, ish-përfaqësues i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Shikojeni vëllezër, ku është rilindja? 300 mijë vende, ku jeni? 150 familje vetëm në komunitetin ku jetoj unë kanë braktisur shtëpitë e tyre e jetojnë jashtë Shqipërisë”, – u shpreh qytetari i parë. Në të njëjtën linjë qytetari tjetër pjesëmarrës në takim theksoi: “Edhe unë deri sot, në këtë moment jam pjesëtar i LSI-së të Paskuqanit dhe sot vij këtu jo vetëm unë si Marash, por po vijnë me dhjetëra e dhjetëra njerëz të LSI-së të Paskuqanit. Largimi im sot është publik nga LSI-ja për këto arsye: Mashtrimi. Na tha do keni punësim dhe kush u punësua? U punësuan ata njerëz që nuk ishin fare pjesë e LSI-së”.
Takimi
Në takimin e zhvilluar me banorët e Paskuqanit, të cilët tashmë me hartën e re i janë bashkuar Kamzës, kryedemokrati ngulmoi të theksonte rëndësinë që ka kjo zonë për demokratët. Sipas Bashës, Kamza do të ketë jo një, por dy bashki të reja pasi një zyrë do të improvizohet në Paskuqan. “Kandidati ynë dhe kryetari i ardhshëm i Bashkisë së re të Kamzës që përfshin dhe Paskuqanin, Xhelal Mziu, një ndër gjërat e para që më tha është se unë do të kem të paktën dy zyra. Si dy zyra i thashë, mendova… Më tha nëse paradite do të jem në Kamëz, pasdite do jem në Paskuqan. Nëse pasdite do jem në Kamëz, paradite do jem në Paskuqan”, – tha kreu i PD-së. Për liderin e opozitës, vota e 21 qershorit do të shërbejë për të ndëshkuar arbitraritetin dhe arrogancën e qeverisë në këta 18 muaj. “Ata e kanë kuptuar se shqiptarët janë të bashkuar në vendimin e tyre, për t’u dhënë mësimin që meritojnë në 21 qershor, të djathtët e të majtët sepse ashtu si opozitarët, si mbështetësit tanë, edhe të majtët këtu në Paskuqan e në të gjithë Shqipërinë janë po aq të papunë, paguajnë çmime po aq të larta, janë po aq të regjistruar në listat që zgjaten e shtohen të ushqimeve, sa edhe të djathtët. Janë po aq të pamundur të paguajnë faturat e energjisë elektrike, janë po aq të goditur nga kërbaçi i arbitraritetit dhe arrogancës, gjobave, kontrolleve, kërcënimeve me burg dhe janë dyfish të zhgënjyer se ndryshe nga votuesit tanë besuan se me të vërtetë do të vinte Rilindja”- tha Basha. Po ashtu sipas tij, dita vendimtare e 21 qershorit për zgjedhjet e pushtetit lokal, do të shërbejë jo vetëm për të ndëshkuar me votë qeverinë Rama-Meta, por se fitorja e demokratëve do të grisë hartën e re territoriale. “Këtë hartë antiqytetare, antipopullore, antizhvillim, këtë hartë oligarkike me votën e shumicës së shqiptarëve nga jugu në veri ta grisim dhe ta zëvendësojmë me hartën që doni ju dhe me hartën që do të zëvendësoni ju”, – deklaroi Basha.
I përgjigjet Ramës/ Kosova: S’kam kompleks të bashkëpunoj me Kryeministrin. Sa të bëj një debat, mendoj një zgjidhje
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës ishte i pari ndër kandidatët e djathtë që iu përgjigj argumenteve të Kryeministrit Rama të shprehura në takimet e ndryshme sipas së cilave propozimet e demokratëve për bashkitë e kanë kompleks të bashkëpunojnë me të majtët. Kandidati demokrat, u shpreh se është i gatshëm të bashkëpunojë me kryeministrin nëse do të zgjidhet më 21 qershor. “Isha 15 vjet drejtues i një spitali, ku kam ndërru kryeministra të forcave të ndryshme politike, kam pasur lidhje pune me shumë ministra por prioritet në punën time ka qenë bashkëpunimi me çdo forcë politike në të mirë të pacientit dje dhe qytetarit sot”, – tha ai. Mes batutave, gjatë takimit me taksistë të kryeqytetit, Halim Kosova premtoi se në 4 vite në krye të bashkisë, ai do të luftojë informalitetin në treg, që është edhe problemi më i madh për ta.“Informaliteti, unë do ta quaja korrupsioni është kryefjala që prish barazinë në treg, ofron shërbim të pakontrolluar. Unë jam i mendimit që biznesi juaj të përmirësohet vazhdimisht, nuk duhet të pajtoheni me realitetin”, – theksoi ai. Ndërsa më herët dje, gjatë takimit me banorë të Shkozës, kandidati demokrat, premtoi ulje taksash dhe projekte konkrete për ta. I pyetur nga banorët, Kosova tha se nuk ka kohë për replikë me kryeministrin dhe as për debate. “Unë nuk kam kohë për debate dhe nuk kam kohë për replika. Pse? Shumë thjeshtë. Sa të bëj një replikë, mendoj një zgjidhje. E dyta, z. Rama e ka shprehur publikisht respektin më të madh për punën time. Unë nuk jam konkurrent i Ramës”, – u shpreh Kosova.
OSBE: Kodi etik të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar
Kreu i OSBE-së ne vend, Florian Raunig, vuri theksin dje tek miratimi i kodit të etikës i cili shihet si një element i rëndësishëm në kulturën demokratike. Në tryezën e punës organizuar me qëllim finalizimin e Kodit të sjelljes së deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri tha se shpresonte që kodi të miratohej deri në fund të këtij sesioni parlamentar. “Politika nënkupton integritet moral, në Shqipëri në Evropë dhe kudo në botë. Për këtë arsye kodet e etikës shihen si një element i rëndësishëm në kulturën demokratike. Tani ju duhet të bëni hapin e radhës të zhvilloni standardet e etikës së sjelljes parlamentare. Shpresoj që ky takim të mos jetë i vetmi, por të shënojë një gur themeli në finalizimin dhe miratimin e kodit deri në fund të këtij sesioni parlamentar”, – tha ai.
Zgjedhjet e 21 qershorit/ Audry Glover sërish në krye të vëzhguesve të ODIHR-it, u kontestua nga PD në 2009-ën
Kreu i vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit në vend do të jetë sërish Audry Glover. Sipas Zërit të Amerikës, ambasadorja britanike është emëruar sërish, pasi ka drejtuar edhe misionin e vëzhguesve ndërkombëtarë në zgjedhjet e vitit 2009. ODIHR-i ja ka besuar për të dytën herë këtë detyrë, pavarësisht se ardhja e saj në vitin 2009 shkaktoi një përplasje të fortë me mazhorancën e djathtët të asaj kohe. Demokratët nuk kishin harruar klimën e vështirë që ishte krijuar me vëzhguesit ndërkombëtarë në zgjedhjet problematike të vitit 1996, ndërsa e kishte konsideruar “jo realist” raportin e atëhershëm të ODIHR-it, që drejtohej pikërisht nga Glover. Këtë herë ambasadorja Glover pritet të jetë në krye të 24 vëzhguesve afatgjatë dhe afër 250 vëzhguesve afatshkurtër.




