Agron Tufa, mbi metafizikën dhe romanin shqiptar 1990-2010

Agron TufaNë kuadër të Javës së Albanologjisë dje u mbajt sesioni i dytë sa i përket konferencave shkencore, me seancën e letërsisë ku për temë ishte Romani Shqiptar 1990-2010. Për të drejtuar këtë seancë në panel ishin Shaban Sinani, Emine Shabani dhe Arben Hoxha të cilët po ashtu dolën të lexonin studimet e tyre që i kishin bërë në lidhje me këtë temë. Ndër 14 shkrimtarët që dolën të lexojnë studimet e tyre ishte edhe shkrimtari Agron Tufa i cili shkrimin e tij e kishte bazuar rreth nocionit metafizik. “Termi “Metafizika” i ka rrënjët në klasifikimin që i ka bërë veprës së Aristotelit, Androniku i Rodosit (në shekullin e parë p.e.s), i cili e propozoi këtë emërtim për një pjesë të veprave të Aristotelit. Në zanafillë të vetë me këtë term ishte parasysh ajo shkencë që kishte si objekt shqyrtimi, jo atë me çfarë merrej “Fizika”, por atë sferë elaborimi që gjendej jashtë dukurive fizike. Në filozofinë e kohës së re metafizika identifikohej me përfytyrim abstrakt. Në çështjet filozofike të epokës sonë me termin “metafizikë” shënjohen dijet mbi atë që ndeshen përtej kufijve të eksperimentit, përvojës, domethënë empirikes”, – theksoi Tufa.

Ai vazhdoi studimin e tij duke treguar me shembuj të ndryshëm këtë nocion të metafizikës, që, sipas tij, duket shumë produktiv për shkak se të lejon një këndvështrim më panoramik të repertorit letrar të prozës pas viteve të 90-ta.

“Kjo tendencë që i përafron disa prozatorë të pas viteve të 90-ta, shprehet më së pari në konceptin ontologjik të problemeve metafizike në qendër të tematikës së narratives letrare dhe më posaçëm në diskursivitetin metafizik që hap vepra përmes reflektimeve, meditimeve, monologut e dialogut deri në përsëritjet filozofike të personazheve. Një ndër burimet më të fuqishme të lëndës metafizike në narrativën e romanit të pas nëntëdhjetës është tema e vdekjes, që shfaqet si një mortalitet i karakterit jo empirik”, – vazhdoi më tej Tufa.

Krejt për fund ai tregoi se të gjithë shembujt që i kishte zgjedhur për të ilustruar romanin “metazifik” të pas viteve `90 nuk janë shteruese.

“Ka vepra që mund të silleshin dhe ndoshta mund të ishin më përfaqësuese. Megjithatë kjo zgjedhje nuk është përjashtuese dhe as nuk pretendon të shterojë pasurinë e repertorit letrar romanesk, çka nuk përjashton një rikthim më të ngeshëm e më sistematik. Ajo që më gëzon është se përkundër thirrjes së “të verbërve” për mungesë “majash” në romanin e sotëm, proza jonë e gjatë bashkëkohore vazhdon të jap çdo vit vepra serioze, plot dinjitet moral e artistik, pavarësisht se është krijuar një ide e gabuar panairesh, se gjoja “nuk këndon qyqe mbi varrezën e shkretë të romanit shqiptar””, – përfundoi shkrimtari, Agron Tufa.

  1. S.Selimi

 

Qëndrim Rijani me “Art” në Tetovë

Teatri i Tetovës vjen me një shfaqje të re para spektatorëve të vet. Bëhet fjalë për shfaqjen “Art”, autore e së cilës është Yasmina Reza ndërkaq regjisor i shfaqjes është Qëndrim Rijani. “Art” është vepër franceze e cila u shfaq për herë të parë në vitin 1994 në “Comédie des Champs-Élysées“ në Paris. E përkthyer dhe adaptuar në gjuhën angleze nga Christopher Hampton është shfaqur në “London West End“ ne vitin 1996. “Art” është luajtur në “Broadway” me aktorët Alan Alda, Victor Garber dhe Alfred Morina i cili u nominua në “Tony Aëard” për aktor më të mirë. “Art“ ka marrë çmimin “Tony” për shfaqje më të mirë dhe është shpallur si një ndër 600 shfaqjet më të luajtura në po këtë teatër. Vepra sjell pikëpyetje të shumta rreth artit dhe shoqërisë në të cilën ne jetojmë, si përfaqësues të së cilës janë tre shokët: Serzhi, Marku dhe Ivani. Dashuria e tij për artin modern e bën Serzhin që të blej një pikturë të bardhë mjaft të shtrenjtë. Marku, tmerrohet për këtë dhe marrëdhënia e tyre merr tatëpjetën mes konflikteve të rënda për shkak të mendimeve të kundërta rreth artit. Ivani, i cili gjendet në mes të konfliktit mundohet që ti qetësojë gjakrat dhe të zbusë marrëdhënien midis tyre. Serzhi, është krenar për pikturën e shtrenjtë. Marku e përshkruan atë si “një copë plehër e bardhë“. Por, a është piktura që e ofendon atë apo ndjenja e vetë kënaqësisë së tepruar të Serzhit? Ivani si një person i pasigurt në vetvete i zhytur në problemet e martesës dhe pakënaqësitë e punës si shitës kancelarish, qeshet me Markun rreth pikturës, por nga ana tjetër i thotë Serzhit se e pëlqen pikturën e tij. Vepra nuk është e ndarë në akte por në pjesë. Disa prej tyre janë dialogë mes dy personazheve, disa janë monologë ku njëri prej personazheve i drejtohet audiencës dhe tjetri është në bisedë mes tre personazheve.

“Regjisorialisht vepra është punuar mbi “rregullat” e teatrit të “varfër” ku marrëdhënia mes publikut dhe personazheve është gati e mishëruar. Përmes dy instrumentisteve të veprës si element shtesë kemi arritur që të ndërtojmë një marrëdhënie të trefishtë të lojës në skenë, kur e gjithë përralla e veprës përçohet përmes “Teatrit në Teatër”. Pra të tre personazhet janë “kukullat” të cilat transmetojnë tek publiku përrallën “ëndërr” të instrumentistëve”, – shprehet regjisori Qëndrim Rijani. Skenografia e shfaqjes është përgatitur nga Petrit Bakalli, kostumet nga Edlira Qyshka dhe muzika nga Nita Reçi dhe Sara Sinani. Aktorët që luajnë janë Petrit Neziri, Arsim Fazlia dhe Adrian Aziri.

 

 

Share it :