A shpëtohet porti i Durrësit? Malltezi: Ja 3 mënyrat ligjore për anulimin e projektit të shkatërrimit
Projekti kontrovers “Durrës Marina”, i cili parashikon transformimin e portit aktual të Durrësit në një zonë rezidenciale dhe turistike luksoze, mund të ndalohet përmes tre rrugëve kryesore ligjore dhe qytetare. Pavarësisht se projekti është miratuar nga qeveria, ekzistojnë mekanizma që mund të çojnë në nulifikimin e tij.
Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi gjatë bisedës më Flavio Qarrin në “Kafe Shqeto. Në Syri tv tha se, “së pari, zgjidhja qëndron në duart e vetë qytetarëve të Durrësit dhe përfaqësuesve të tyre lokalë”. Edhe pse projekti ka marrë miratimin qendror, autoriteti final për planifikimin dhe kontrollin e territorit i takon pushtetit vendor. Këshilli Bashkiak i Durrësit ka tagrin ligjor të rrëzojë projektin. Një presion i vazhdueshëm dhe i organizuar nga qytetarët ndaj Këshillit Bashkiak mund të rezultojë në nulifikimin e vendimit dhe rikthimin e zonës në gjendjen e mëparshme.
Së dyti, një tjetër rrugë thelbësore është ajo gjyqësore, konkretisht përmes Gjykatës Kushtetuese. Argumentohet se qeveria, me miratimin e këtij projekti, ka cenuar të paktën dy marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria: Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe Konventën e Aarhusit. Këto marrëveshje kanë epërsi mbi legjislacionin vendas, përfshirë edhe ligjin special të miratuar për projektin “Alabbar”. Një padi në Gjykatën Kushtetuese, e cila të vërtetojë këto shkelje, do të sillte automatikisht anulimin e projektit.
Së treti, qytetarët e Durrësit kanë të drejtën kushtetuese të kërkojnë një referendum vendor. Duke qenë se nuk janë konsultuar përmes dëgjesave publike dhe kanë dyshime mbi përfitimet reale të projektit për zhvillimin e qytetit, ata mund të kërkojnë shprehjen e vullnetit të tyre përmes votës direkte. Një referendum vendor do t’i jepte mundësinë komunitetit të vendosë vetë nëse dëshiron vazhdimin apo rrëzimin e projektit.
Flavio Qarri: Nëse do e kishit mundësinë, cila do ishte zgjidhja juaj për portin e Durrësit? Po e quajmë porti i Durrësit se aty s’ka më port.
Jamarbër Malltezi: Shiko, porti i Durrësit ka mundësi të shpëtohet. Si ka mundësi të shpëtohet? E para, duke u ngritur qytetarët e Durrësit, duke i bërë presion Këshillit Bashkiak të Durrësit ta rrëzojë këtë si projekt.
Të kemi parasysh, ndonëse Sulltani në Tiranë e ka miratuar si projekt, në fund fare, planifikimi dhe kontrolli i territorit është tagër i pushtetit vendor. Dhe pushteti vendor në Durrës është Këshilli Bashkiak. Pra, në rast se do arrijnë qytetarët e Durrësit t’i bëjnë presion Këshillit Bashkiak, ky projekt nulifikohet, pra bëhet nul dhe rikthehet në gjendjen e mëparshme. Së dyti, ky projekt mund të bëhet nul dhe i gjithë porti i Durrësit të shpëtojë, në rast se Gjykata Kushtetuese do ketë shtetarë dhe jo lapangjozë. Në rast se do ketë shtetarë, të cilët të duan të respektojnë ligjin, atëherë mjafton t’i shkohet një padi në Gjykatë Kushtetuese për t’i thënë që qeveria, për fat të keq, ka cënuar dy marrëveshje ndërkombëtare, në të cilën Shqipëria është palë dhe duhet t’i respektojë, siç është, një, MSA-ja, dy, Konventa e Arhausit. Të dyja këto, Shqipëria i ka ratifikuar, për pasojë janë ligjërisht të lidhëshme, dhe prevalojnë ndaj ligjeve shqiptare. Po të kemi parasysh që projekti i Alabbarit, Edi Rama e ka bërë si ligj me ligj të posaçëm, ligj privat, nominativ, por gjithsesi, marrëveshjet ndërkombëtare prevalojnë ndaj ligjeve vendore.
Ndaj, në rast se shkon në Gjykatë Kushtetuese dhe tregohet që janë shkelur qoftë Konventa e Arhausit, qoftë marrëveshja e stabilizim-asociimit me Bashkimin Evropian, këto prevalojnë dhe projekti normalisht duhet të nulifikohet, pra të anulohet.
Së treti, së treti, se si mund të anullohet kjo, do të ishte përmes referendumit vendor. Qytetarët e Durrësit kanë të drejtë të kërkojnë një referendum vendor. S’jemi pyetur, s’na ka bërë askush një dëgjesë publike, për pasojë, ne kemi dyshimet tona, ne nuk besojmë që kjo është mënyra më e mirë për të zhvilluar qytetin tonë, ndaj ne duam referendum vendor. Në referendum vendor, në rast se duan ta mbajnë, mund ta mbajnë, në rast se duan ta rrëzojnë, e rrëzojnë. Pra, këto janë tre mënyrat e vetme në të cilët porti i Durrësit mund të, mund të shpëtojë.




