Arrestimin e Jorgo Goros, kryebashkiakut socialist të Himarës, nënkryetari i PL, Petrit Vasili, e sheh si si vazhdim të aferës mafioze të grabitjes së pronave në bregdet, lojë të një drejtësie të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama dhe çështje bedelësh.
I ftuar sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, Vasili tha:
“Ky është vazhdim i një afere mafioze që ndodh me pronat në Himarë dhe në bregdet, përgjithësish në të gjithë bregdetin e Jonit. Është e qartë se mbrapa kësaj afere ka qenë vetë Edi Rama se në të kundërt, nuk mund të ndodhte kurrë që pas denoncimeve për një kryetar bashkie, për Goron (të cilat kanë kohë që kanë ndodhur) ashtu si edhe për Xhaçkën, për burrin e saj, ju e dini që njeriu që i ka vënë gjoksin publikisht që në korrikun e 2022-shit, me gjithë Xhaçkën atje në krah, në sallën e onferencave të shtypit të Këshillit të Ministrave, ka qenë Edi Rama vetë dhe e ka mbrojtur me një patos të jashtëzakonshëm.
Një kryeministër i përgjegjshëm, që nuk i ka qelbur duart – se ju e dini se që ku fillon Vlora dhe deri poshtë është Edi Rama në krye të punëve, nga Sazani tani në fund dhe të tjera historira, të tjerë investitorë strategjikë që nga burri i ministres dhe karagjozë të caktuar atje që rrëmbejnë pronat – pra, po të ishte i përgjegjshëm dhe serioz, njeri që zbatonte ligjin, qoftë edhe me informacionin apo me shqetësimin e parë publik që do të kishte dalë, do të kishte qenë ky përpara çdo lloj prokurorie a tjetër që do të kishte bërë verifikimet për të zbuluar të vërtetën.
Por ka pasur dy qëndrime të Edi Ramës: e para, ta mbronte dhe e dyta e punës, për të mbajtur gjithmonë në gatishmëri, bedelin e radhës sepse drejtësia me regji dhe Edi Rama që drejton atë drejtësi, punojnë me një tufë bedelësh.
Nja dhjetë bedelë, drejtorë, ju e dini që vajtën në burg për të mos vajtur Erion Veliaj nga bashkia e Tiranës.
Jorgo Goro, sepse çështja e tij njihej prej kohësh, por për të kompensuar, për t’i hedhur hi syve opinionit për arrestimin e paligjshëm, flagrant, mafioz të Fredi Belerit dhe për të bërë sikur drejtësia qenka e barabartë, sikur funksionon edhe për atë, edhe për këtë – lojëra nga më të tarashat që mund të ekzistojnë – po i bën shërbim me këtë bedelin, që është bedeli për Himarën.
Pra, ishte bedeli për bashkinë e Tiranës; janë bedelët në Shëndetësi që u futën nja 15 vetë atje (në burg) dhe në çdo çështje të madhe, për të mos u prekur Edi Rama me gjithë ata klientët e tij, mbahet bedeli i radhës.




