“Vuçiç manipuloi votimet”, Beogradi sërish në zgjedhje

Zgjedhjet për pushtetin në kryeqytetin e Serbisë, do të rimbahen më vonë gjatë këtij viti, thanë të dielën autoritetet serbe. Njoftimi pasoi disa muaj tensionesh politike në rritje rreth pretendimeve se partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiç, mashtroi në zgjedhjet për kuvendin e qytetit të Beogradit.

Partia Përparimtare Serbe e krahut të djathtë u shpall fituese e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit. Por aleanca kryesore opozitare, Serbia Kundër Dhunës, këmbënguli se asaj iu vodh fitorja në Beograd dhe votimet për parlamentin e vendit u dëmtuan gjithashtu nga parregullsi të përhapura. Mosmarrëveshjet çuan në protesta të mëdha në rrugë.

Nuk është e qartë se kur do të mbahen zgjedhjet e reja në Beograd, e diela ishte afati i fundit që duhej të ishte mbledhur kuvendi komunal.

“Konstatoj se aktualisht nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës dhe ju njoftoj se nuk janë plotësuar kushtet e parapara me ligjin për vetëqeverisjen lokale për konstituimin e Kuvendit të qytetit të Beogradit. Kjo do të thotë zgjedhje të reja”, tha Toma Fila, kryetar i Kuvendit të Beogradit.

Presidenti Vuçiç dhe partia e tij i kanë hedhur poshtë pretendimet për manipulime, duke i cilësuar ato të sjuara që synojnë destabilizimin e Serbisë.

Vëzhguesit ndërkombëtarë, thanë në fillim të kësaj jave se votimet e dhjetorit u mbajtën në “kushte të padrejta”, pjesërisht për shkak të përfshirjes së presidentit dhe avantazheve që i krijon sistemi partisë në pushtet.

Raporti i OSBE/ODIHR-it në Evropë tha gjithashtu se zgjedhjet ishin “dëmtuar nga retorika e ashpër, animet në media, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.

Ai renditi një sërë rekomandimesh që Serbia duhet të përmbushë përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Politikanët e opozitës thanë se zhvillimet në Beograd dëshmuan se presidenti Vuçiç humbi pushtetin prej një dekade në kryeqytetin serb.

“Sot ata pranuan se i humbën zgjedhjet pavarësisht vjedhjeve të përmasave të mëdha. Qytetarët e Beogradit kanë treguar se nuk i duan ata”, tha Vladimir Obradoviç, kandidat i opozitës për postin e kryetarit të Beogradit.

Opozita dhe disa vëzhgues lokalë të zgjedhjeve thanë se votues nga jashtë janë përfshirë në listat e votuesve në Beograd dhe janë dërguar me autobusë në ditën e zgjedhjeve për të votuar për partinë në pushtet.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por presidenti Vuçi është përballur me akuza për kufizimin e lirive demokratike që kur mori kontrollin mbi pushtetin mbi një dekadë më parë.

/VOA/

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :
5 Maji/ Blushi: Liria e atdheut sot e kërcënuar, detyrë mbrojtja e familjes dhe kombit Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, nga Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në 5 Maj, u shpreh se kjo ditë përbën jo vetëm një moment kujtese dhe nderimi për sakrificën e dëshmorëve, por edhe një thirrje të përhershme për mbrojtjen e lirisë së vendit. Blushi theksoi se sakrifica e Qemal Stafës dhe mijëra të rinjve që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë mbetet një amanet për ruajtjen e vlerave kombëtare, të cilat sipas tij sot ndodhen të rrezikuara nga politika që ai i cilësoi si të drejtuara kundër familjes, kombit dhe interesit kombëtar. Fjala e plotë 5 Maji është një ditë shumë e rëndësishme e kombit tonë. Është jo vetëm një ditë kujtese dhe reflektimi, por së pari mirënjohje dhe nderimin më të thellë para sakrificës më sublime të Qemal Stafës, mijëra Dëshmorëve të rinj e të reja, të cilët dhanë jetën në lule të rinisë për lirinë e Atdheut. Sakrifica e tyre më sublime, amaneti i Dëshmorëve të Atdheut, është një kushtrim i madh, i përhershëm për të gjithë shqiptarët, për të mbrojtur si sytë e ballit vlerat e lirisë, të kërcënuara sot më shumë se kurrë nga një çetë uzurpatorësh, të cilët nuk e kanë pushtuar Shqipërinë me tanke dhe blinda, por me promovimin e atyre antivlerave të goditjes së familjes, të goditjes së Kombit nëpërmjet shpopullimit dhe shkombëtarizimit. Ndaj është detyrë patriotike , misioni më i lartë sot për çdo shqiptar, në veçanti për Partinë e Lirisë, e cila ka si simbol të saj pikërisht edhe ngjyrat Kuq e Zi të flamurit kombëtar, por edhe për shkak të emrit që ajo ka, që të bëjë sot çdo sakrificë dhe të paguajë çdo çmim për mbrojtjen e vlerave të lirisë, për mbrojtjen e familjes, shoqërisë dhe kombit Shqiptar nga kjo çetë uzurpatorësh dhe kuislingësh që po bëjnë gjithçka për të shbërë jo vetëm Shqipërinë por edhe Kombin Shqiptar. Jemi të vendosur të paguajmë çdo çmim dhe të bëjmë çdo sakrificë për të përmbushur amanetin e Dëshmorëve të Atdheut. Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të Atdheut! Faleminderit!