Kreu i PD në Durrës! Cara: ‘Porti’ është afera më e madhe korruptive e Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, dega Durrës, Igli Cara, denoncoi gjatë një konference për shtyp mega-aferën me Portin e Durrësit.

“Për fat të keq, atë që nuk na e bënë as pushtuesit, Durrësit e shqiptarëve po ia bën Rama,” tha Cara.

Sipas tij, projekti që po serviret është një mega-skandal.

DEKLARATA E PLOTE

Projekti i portit të Durrësit ka qenë prej kohësh kryefjalë e denoncimeve të opozitës.

Një mega-skandal që dita-ditës po qartësohet për këdo.

“Durrës Yachts & Marina” nuk ka asgjë të përbashkët me emërtimin e projektit, ku qëllimi i vetëm është vjedhja duke shfrytëzuar pasuritë publike.

Pa transparencë dhe në errësirë të plotë ky projekt përfaqëson aferën më të madhe korruptive të kësaj qeverie.

Durrësi është i lidhur ngushtë me portin, aq sa njihet ndër vite si qyteti-port.

Porti dhe qyteti janë dy anë të së njëjtës medalje.

Përpara syve tanë po kryhet, jo vetëm një akt i paprecedentë i grabitjes së pronës publike, por dhe një akt i turpshëm mbi historinë dhe identitetin kombëtar.

Projekti që po na serviret, është projekti i babëzisë, sepse e keqja me këtë qeveri nuk ka kufi.

Të vjedhësh me ligj është standardi i vendosur nga kjo qeveri!

Dëshmi është edhe nxitimi për ta miratuar me shpejtësi këtë projektligj, që fut ujë nga të gjitha anët.

Me gjuhën e shifrave afro 3.8 miliardë euro kundrejt një “fitimi” nëse mund të quhet i tillë prej 2% të xhiros vjetore, që investitori do mbledhë nga Marina.

Në kufijtë e të paimagjinueshmes!

Shteti shqiptar vë në dispozicion rreth 800 mijë metër katrorë të Portit Aktual të Durrësit, ndërkohë që investitori do të investojë vetëm 76 milionë euro.

Një projekt i ndarë në dy faza, ku në fazën e parë nuk përmendet në asnjë rresht Marina, vetëm 4000 ndërtime. 280 vende ankorimi në Marinë, kundrejt mbi 8600 apartamente të tjera të planifikuara në vijim.

Për këtë ka nevojë Durrësi? A duhet shkatërruar nga themelet kjo nyje strategjike, duke e zëvendësuar me ndërtime?

Ndërkohë Rama nuk u kursye duke i etiketuar armiq të gjithë ata, që mendojnë ndryshe!

Pra armiq edhe përfaqësuesit e BE-së sepse ky projekt është në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Po kështu edhe përfaqësuesit e NATO-s, të cilët janë shprehur kundër.

Pa lënë mënjanë specialistët më në zë të fushës, të cilët gjithashtu janë shprehur kundër.

Për fat të keq, atë që nuk na e bënë as pushtuesit, Durrësit e shqiptarëve po ia bën Rama.

Opozita ka folur qartë dhe është e vendosur në qëndrimin e saj, në lidhje me këtë projekt antikombëtar dhe të pabesë, që në krye të herës.

Nuk do të ndalet duke thënë të vërtetën dhe duke përdorur çdo rrugë demokratike e ligjore për ta ndaluar marrëzinë e babëzisë.

Share it :