Zgjedhjet e 23 qershorit, me ndarjen e mandateve sipas 2009-ës, votohen në fund të janarit

Florenc Drizari

lefteriLefterie Lleshi dhe Denar Biba raportuan para Komisionit të Ligjeve për ndarjen e mandateve, mbledhja u shoqërua me debate dhe akuza

 

Komisioni i Ligjeve miratoi me shumicë të thjeshtë votash propozimin e mazhorancës për ndarjen e mandateve sipas vitit 2009. Pasi morën në pyetje prej gati tri orësh në ambientet e komisionit krerët e KQZ-së, kryetaren Lefterie Lleshi dhe nënkryetarin Denar Biba, lidhur me ngërçin e krijuar për ndarjen e mandateve, deputetët e Komisionit të Ligjeve votuan që kjo çështje t’i kalojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë në seancën e ardhshme parlamentare.
Relatori Edi Paloka propozoi që ndarja e mandateve të bëhet ashtu si në zgjedhjet e fundit parlamentare, për vetë faktin se, sipas tij, kjo çështje është konsumuar në KQZ dhe Komisioni i Ligjeve nuk mund të marrë atributet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të bërë llogaritjen e mandateve në bazë të formulës matematikore. “Në ushtrimin e kompetencës së caktimit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, Kuvendi nuk mund të marrë dhe as të zëvendësojë rolin dhe funksionet e KQZ-së. Për pasojë, rruga e vetme mbetet miratimi i vendimit të caktimit të mandateve duke u bazuar tërësisht në ndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore të bërë nga Kuvendi për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Për këtë qëllim paraqitet projektvendimi përkatës dhe që është i njëjtë me atë që ka miratuar Kuvendi në vitin 2009”, – tha relatori Paloka. Ndërsadeputeti i PS-së Damian Gjiknuri theksoi se ndarja e mandateve si në vitin 2009 nuk respekton kriterin e barazisë ndaj ligjit.“Mandatet nuk janë pazare politike, ka afat deri me 7 mars për ndarjen e tyre. Po kërkoni të bëni një lojë vetëm të një pale,me këtë njëanshmëri po njollosni zgjedhjet. Kuvendi po luan si kasap politik. T’ia lëmë KQZ-së vendimin përndarjen e mandateve, Kuvendi ka hyrë në procedurë të paligjshme”, – deklaroi Damian Gjiknuri.

Raportimi Lleshi – Biba tek Ligjet

Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, dhe nënkryetari Denar Biba raportuan në një seancë maratonë pyetjesh lidhur me ngërçin e krijuar për ndarjen e mandateve në komisionin më të lartë të administrimit zgjedhor.
Pas një diskutimi që zgjati prej më se tri orësh me dy drejtuesit më të lartë të KQZ-së, kryetaren Lefterie Lleshi dhe nënkryetarin Denar Biba, Komisioni i Ligjeve miratoi relacionin e paraqitur nga mazhoranca dukë bërë ndarjen e mandateve sipas skemës së 2009-ës. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me mosgjetjen e konsensusit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mandateve, dy krerët e KQZ-së vijuan qëndrimet e kundërta lidhur më këtë çështje edhe para ligjvënësve. Kryetarja Lleshi tha se për shkak të qëndrimit kundër ndarjes së mandateve në sallën e KQZ-së nga anëtarët e propozuar nga opozita, komisioni nuk arriti të merrte një vendim për ta zgjidhur këtë çështje dhe tashmë sipas saj, zhbllokimi i ngërçit është në kompetencë të Kuvendit të Shqipërisë. “KQZ ka kryer llogaritjen e mandateve sipas informacioneve të marra nga Ministria e Brendshme. KQZ vendosi të mos ndante mandatet, pasi kjo gjë nuk u votua me shumicë të cilësuar”, – tha Lleshi. Por nga ana e tij, nënkryetari Denar Biba shpjegoi qëndrimin e tij duke vënë theksin tek indicet që kishin ardhur nga Partia Socialiste për manipulime me listat zgjedhore në Qarkun e Kukësit dhe për këtë kërkoi që kjo çështje të hetohej më tej. Sipas tij, KQZ është ende në kohë dhe ka të drejtën ligjore për të bërë ndarjen e mandateve për Kuvendin e Shqipërisë. “Nuk dyshuam në falsitetin e të dhënave të Ministrisë së Brendshme por donim verifikim, pasi hidhej dyshim mbi integritetin e votës. Nuk erdhi informacioni që kërkuam nga Ministria e Brendshme, dhe KQZ nxitoi të votonte për mandatet. Nuk kemi dyshuar tek letra e MB, por të dhënat e dy akteve binin në kundërshtim me njëri-tjetrin. Në një moment të dytë ishim të gatshëm të votonim por nuk mund të kalohet në një vendim tjetër, nëse i pari s’është kaluar parimisht. KQZ-ja është në gjendje të marrë një vendim për ndarjen e mandateve”, – tha Biba.

Përplasja PD-PS
E drejta se kujt i përket vendimmarrja për ndarjen e mandateve, Kuvendit apo Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas ngërçit të krijuar për këtë çështje, shkaktoi debate të ashpra një ditë më parë mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Ligjeve. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike mbështetën idenë se KQZ-ja i ka ezauruar mundësitë ligjore për ta marrë këtë vendim dhe me dorëzimin e shkresës në Kuvend, kjo çështje i përket Parlamentit. Por ndryshe u shprehën përfaqësuesit e majtë, të cilët ritheksuan qëndrimin e tyre që zgjidhja e çështjes së mandateve të bëhet në KQZ, pasi sipas tyre, Komisioni i Zgjedhjeve është ende legjitim për ta marrë këtë vendim dhe ende nuk kanë skaduar afatet ligjore. Sipas përfaqësuesve të Partisë Socialiste, votimi i ndarjes së mandateve sipas vitit 2009, është në shkelje të së drejtës kushtetuese të barazisë së votës. Për nënkryetarin e Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, miratimi i ndarjes së mandateve sipas 2009-ës përbën një goditje të rëndë për procesin zgjedhor, ndërsa për kreun e komisionit Ilir Rusmalin, Kuvendi është në të drejtën ligjore për ti dhënë zgjidhje këtij ngërçi që është krijuar në KQZ prej disa javësh.
Vëzhguesit Vendorë
Pas raportimit të krerëve të KQZ-së, Lefterie Lleshi dhe nënkryetari Denar Biba dje në Komisionin e Ligjeve, i erdhi radha Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, të cilët ishin thirrur për të raportuar në Kuvend me kërkesë të Partisë Socialiste. Në fjalën e tyre përfaqësuesit e Koalicionit mbështetën idenë e rikthimit të çështjes së ndarjes së mandateve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, edhe pse kritikuan veprimtarinë e KQZ lidhur me këtë çështje. Përfaqësuesit e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë thanë se ndarja e mandateve sipas vitit 2009 përbën shkele të kushtetutës lidhur me barazinë e votës, pasi, sipas tyre, popullsia nuk është e njëjtë me periudhën në fjalë dhe qytetarët duhet të përfaqësohej në mënyrë të drejtë.

 

 

Zgjedhjet 2013, KQZ cakton ambientet e zyrave rajonale zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) miratoi të mërkurën pa debate projektvendimin “Për caktimin e njësive administrative ku do të ngrihen ambientet e punës së zyrave rajonale zgjedhore”, në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit. Pas raportimit të kryetares Lefterie Lleshi dhe nënkryetarit Denar Biba, krerët e KQZ-së zhvilluan mbledhjen e radhës duke miratuar me konsensus projektvendimin. Projektvendimi i hartuar nga administrata e KQZ-së parashikon ngritjen e 12 zyrave rajonale zgjedhore, që përkon me 12 qarqet e vendit. Zyrat Rajonale Zgjedhore ngrihen për një periudhë 5-mujore dhe jo më vonë se një muaj nga data e zgjedhjeve. KQZ propozon që zyrat rajonale të ngrihen në 24 rrethe të vendit dhe pikërisht në ato rrethe që janë më të shkëputura nga qendra e qarkut dhe në këtë mënyrë njëri nga punonjësit mbulon qendrën e qarkut dhe punonjësi tjetër rrethin që është më larg. Kjo do të siguronte një mbulim më të mirë të territorit, për të pasur lehtësi në administrimin e zgjedhjeve.

 

Debatet për ndarjen e mandateve në Kuvend

Denar Biba: Është një vendim absolutisht i pavlefshëm, mendoj se Komisioni Qendror është plotësisht në kompetencën e vet për ta rimarrë atë vendimmarrje, sepse nuk ka ndodhur atje, është nul si vendim.
Lefterie Lleshi: Më vjen shumë keq që debatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e zhvendosim në sallën e Komisionit të Ligjeve, gjithsesi më duhet të sqaroj dy-tri gjëra në lidhje me ato që tha Denari. Vetë Denari tha që ne refuzuam të marrim vendim, Kodi Zgjedhor nuk parashikon refuzim vendimi, parashikon o pro, o kundër. Dhe pastaj thotë që ne kemi firmosur kundër. Në lidhje me afatet që parashikon kodi për ndarjen e mandateve.
Edi Paloka: Ku e gjeni ju të drejtën ligjore që ua jep kodi për të hetuar nëse është apo jo e vërtetë ajo që ka thënë Ministria e Brendshme (Denar Bibës)?
Denar Biba: I nderuar deputet, nuk kam memorie të jashtëzakonshme dhe mos prit të jap tani nen për nen referencën absolute kaq apo aq. Neni 81, pika dy ose tre, i Kodit të Procedurave Administrative, kemi tagrin që i jepet një anëtari kolegjial mbi të drejtën e vendimmarrjes. (Ndërhyrje nga deputetët e PS-së)
Ilir Rusmali: Po ça keni mor burrë i dheut, juve pozicionin politik nuk deshët ta mbronit dje, deshët që t’jua mbrojë z. Biba. Ai po përfaqëson veten për bukuri, çfarë halli keni?
Edi Paloka, Denar Bibës: Ju me vetëdije të plotë, e shprehët edhe sot por edhe në sytë e të gjithë shqiptarëve, keni refuzuar në kundërshtim me ligjin në vetëdije të plotë të votoni një vendimi qoftë edhe ai më absurdi siç mund ta komentoni ju. Duke qenë jurist siç thatë edhe vetë, mendoni se është normale që në sytë e të gjithë shqiptarëve të shkelni ligjin dhe të mos shqetësoni për atë?
Ilir Rusmali: Atëherë mospjesëmarrja në votime z. Biba.
Fatmir Xhafaj: Me leje?
Ilir Rusmali: Një sekondë të lutem.
Fatmir Xhafaj: Në qoftë se bën ai pyetje, ti s’ke të drejtë të bësh pyetje mbi pyetje dhe koment mbi koment.
Ilir Rusmali: Po lene mor burrë i dheut, mos bëni kështu.
Fatmir Xhafaj: Në të dy rastet jeni gabim. S’është hera e parë.
Ilir Rusmali: Ore, mos u bëni nervoz, mos u bëni nervoz.
Fatmir Xhafaj: Jo, nuk bëhem fare nervoz, por kur të ndërhyjnë anëtarët e Komisionit të Ligjeve, nervozohesh për një ndërhyrje për parregullsi. Tani drejtoje tamam këtë mbledhje dhe e mbyllim këtë histori.
Ilir Rusmali: Mos u bëni nervoz, ju lutem shumë!
Fatmir Xhafaj: Po as karagjoz nuk duhet të bëhemi Ilir.
Ilir Rusmali: Dakord. As nervoz, as karagjoz le të mos bëhemi.
Fatmir Xhafaj: Mos u bëj në rastin konkret dhe lëre kolegun të pyesë dhe ai të përgjigjet, pikë. Kaq ke për detyrë, asgjë më shumë.
Ilir Rusmali: Mos u bëni nervoz se nuk ju ka hije, mos u bëni. I nderuar koleg, nuk e di se çfarë do të them unë sepse jam moderatori… (debate jashtë mikrofonit…)
Dashnor Sula, pyetje Denar Bibës.
Ilir Rusmali: Z. Sula, 30 sekonda sa të qetësohen kolegët. Sa të qetësohen pak.
Bashkim Fino: Pse na provokon ne?
Ilir Rusmali: Sa të qetësohen pak kolegët…

Share it :